Policia për aksidentin me fatalitet në Shtime: Njëra veturë humbi kontrollin dhe goditi dy veturat e tjera
Policia për aksidentin me fatalitet në Shtime: Njëra veturë humbi kontrollin dhe goditi dy veturat e tjera
Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja për aksidentin me fatalitet që ndodhi mbrëmë në rrugën Ferizaj-Shtime, si pasojë e të cilit mbetën të vdekur katër persona.
Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se aksidenti ka ndodhur në orën 19:15, ku janë përfshirë tri vetura, shkruan lajmi.net.
Deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur kur drejtuesi i njërës nga veturat për arsye deri më tani të panjohura për policinë, ka humbur kontrollin mbi veturë dhe ka goditur dy veturat e tjera të cilat ishin duke lëvizur në drejtim të kundërt.
“Nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes është konstatuar se tre viktima meshkuj kosovarë janë pa shenja jete, ndërsa tre të lënduar tjerë janë dërguar në emergjencën e Ferizajt, ku më pas ka ndërruar jetë edhe viktima e katërt mashkull kosovar ndërsa dy të lënduarit e tjerë janë dërguar në QKUK-Prishtinë, për tretman të mëtutjeshëm mjekësor”, thuhet në raportin policor.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit. /Lajmi.net/