TË FUNDIT

I dhanë votë për kryetarin e Kuvendit, a po hapet rruga për koalicion LVV- PDK? Flet analisti

Qaka: Ende nuk dihet nëse do të mund të zgjidhet një nënkryetar nga komuniteti serb pa përfshirjen e Listës Serbe, por fatkeqësisht ka pak gjasa
73 vota për, 30 kundër dhe tetë abstenime kanë rezoltuar që të votohet kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.

Basha i cili ishte propozuar për herë të dytë nga partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, ka arritur të sigurojë vota nga një pjesë e partisë më e madhe opozitare (PDK), Partia dhe një pjesë e AAK-së.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka treguar arsyen kryesore pse e votuan Dimal Bashën për kryeparlamentar, e që tha se kishte të bënte me premtimin publik të dhënë nga PDK se do ta votonin dikë që nuk ka qenë pjesë e Qeverisë Kurti.

Ai e konsideroi një ndër votimet më të vështira për PDK-në.

“E kuptoj shqetësimin që kanë njerëzit për votimin e kryetarit Basha. Nuk është votim që më bën mua të lumtur ose dikë në PDK, as se kemi bërë me ndonjë kënaqësi. Ndoshta është nga votimet më të vështira që e kemi bë në PDK.Votimi ka ardhë se na kemi dhënë premtim publik që do ta votojmë kandidatin që nuk ka qenë minsitër në Qeverinë Kurti, premtimin e kemi dhënë para 4 muajsh. Kur erdhi dita me u testu, kemi thënë e mbajmë fjalën”, u shpreh Gruda.

Duke komentuar qëndrimin e PDK-së, për votimin e Dimal Bashës njohësi i zhvillimeve politike në vend, Adnan Qaka, ka thënë për “Bota sot”, se është i drejtë dhe i dobishëm për vendin.

Sipas tij, është momenti për të ecur përpara, sepse qytetarët janë të lodhur nga kjo “telenovelë politike”

“Votimi i PDK-së pro Dimal Bashës si Kryetar i Kuvendit të Kosovës e shoh si një vendim të drejtë dhe të dobishëm për vendin. Ky vendim kontribuon në zhbllokimin e proceseve institucionale, pasi shteti ka stagnuar për muaj të tërë pa konstituim të Kuvendit. Është moment i rëndësishëm që të ecim përpara, sepse qytetarët e Kosovës me të drejtë janë të lodhur nga kjo “telenovelë” politike që ka zgjatur me muaj në sallën e Kuvendit. Edhe pse mendoj se Kryetari i ri i Kuvendit, z. Dimal Basha, nuk ka përgatitjen intelektuale të nevojshme për një post kaq të rëndësishëm, vendimi për zgjedhjen e tij është marrë nga përfaqësuesit e popullit dhe si i tillë duhet respektuar. I uroj suksese në detyrën e re”, ka thënë Qaka.

Kanë votuar për kryeparlamentar, por nuk do të votojnë për kryeministër, kështu ka thënë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Varet a konstituohet Kuvendi, dy mundësi janë këtu, përfundon konstituimi, hyjmë në afate kushtetuese. Unë i kam thënë z.Kurtit, urdhëro, dëshmoje që i ke 61 vota. A ka më e çuditshme se me thënë “unë i kam votat për kryeministër, por s’i kam votat kryetar Kuvendi, kjo s’ka ndodhur asnjëherë”

Por, në pyetjen se a ka votë nga PDK-ja për kryeministër, a u shpreh se kjo s’mund të ndodh në asnjë mënyrë.

“Jo në asnjë mënyrë, ajo është punë që as që diskutohet. Do të thotë ka votë kundër”, u shpreh tutje ai.

Njëjtë parasheh edhe njohësi i zhvillimeve në vend, i cili thotë se të dyja partitë kanë dallime të mëdha politike dhe konceptuale.

“Kjo nuk i hap rrugën një koalicioni të mundshëm ndërmjet PDK-së dhe Vetëvendosjes, për arsye se ekzistojnë dallime të mëdha politike dhe konceptuale ndërmjet këtyre dy partive, dhe as Kryesia e PDK-së dhe as elektorati i saj nuk e përkrahin një bashkëpunim të tillë”, shprehet Qaka.

Kuvendi të martën ka zgjedhur kryetarin e tij, por konsitutimi i plotë nuk është bërë kjo për shkak të mos votimit të nënkryetarit nga komuniteti serb.

Qaka thotë se pak ka gjasa që të zgjidhet një nënkryetar nga komuniteti serb pa përfshirjen e Listës Serbe.

Sipas tij, refuzimi i opozitës për të përkrahur kandidaturën e Nenad Rashiqit për nënkryetar është akt i rrezikshëm dhe i pafalshëm.

“Një çështje tjetër që ka mbetur pezull dhe që po e pengon funksionalizimin e plotë të Kuvendit, është moszgjedhja e një nënkryetari nga komuniteti serb. Sipas nenit 67, paragrafi 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi zgjedh Kryetarin dhe pesë Nënkryetarë nga radhët e veta. Ata ndihmojnë Kryetarin në përmbushjen e detyrave të tij. Nënkryetarët zgjidhen dhe shkarkohen me të njëjtën procedurë si Kryetari, pra me shumicën prej dy të tretash (2/3) të deputetëve. Ende nuk dihet nëse do të mund të zgjidhet një nënkryetar nga komuniteti serb pa përfshirjen e Listës Serbe, por fatkeqësisht ka pak gjasa. Opozita ka refuzuar të përkrahë kandidaturën e Nenad Rashiqit për këtë post, dhe ky veprim, për mendimin tim, përbën një akt të rrezikshëm dhe të pafalshëm. Refuzimi i Rashiqit është një shërbim i drejtpërdrejtë për Listën Serbe dhe për agjendën destabilizuese të Serbisë në Kosovë. Nenad Rashiq e flet mirë shqipen, është lojal ndaj shtetit të Kosovës dhe e pranon shtetësinë e saj. Edhe pse kam një mospajtim të madh me të në lidhje me qëndrimin e tij ndaj themelimit të Muzeut të Gjenocidit (ku ai abstenoi dhe nuk e pranoi që Serbia të konsiderohej shtet gjenocidal), gjithsesi ai do të ishte një zgjedhje shumë më e pranueshme sesa Lista Serbe. Zgjedhja e Rashiqit do ta linte Listën Serbe jashtë loje dhe do të ishte një veprim i mençur nga partitë shqiptare”, ka pohuar Qaka.

ImageAdnan QakaFoto galeri
Ai tutje ka shtuar se duhet paralizuar çdo përpjekje e Listës serbe për ta destabilizuar Kosovën dhe për të ndikuar në copëtimin e vendit.

“Lista Serbe është një organizatë politike terroriste që nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe që vazhdimisht vepron në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Ajo është një instrument i Serbisë dhe faktor destabilizues në Kosovë. Për fat të keq, edhe disa analistë dhe politikanë shqiptarë po e mbrojnë këtë parti me argumente të pabaza, duke u shërbyer interesave të Serbisë me një diskurs serbofil dhe sabotues ndaj shtetit tonë. Duhet të kemi një qëndrim të unifikuar dhe të ashpër ndaj Listës Serbe. Duhet të paralizojmë çdo përpjekje të saj për të destabilizuar Kosovën dhe për të ndikuar në copëtimin e vendit. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, neni 1, e thotë qartë: “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm.” Lista Serbe punon në vazhdimësi kundër këtij parimi themelor të shtetit tonë, duke ndjekur projektin e kahershëm të elitës serbe për ndarjen e Kosovës. Keto projekte janë të dokumentuara dhe të trajtuara në forma të ndryshme — nga memorandumet, tek elaboratet politike — dhe synojnë shkatërrimin e funksionalitetit dhe unitetit të Republikës së Kosovës dhe ndarjen e saj. Prandaj, duhet të jemi të vendosur dhe të qartë: nuk duhet të lejojmë formimin e asnjë asociacioni për pakicën serbe që do të rrezikonte funksionalitetin dhe sovranitetin e shtetit. Kosova ka bërë mjaft lëshime në të kaluarën dhe nuk ka përfituar asgjë. Është koha që të vendosim vijat e kuqe dhe të mbrojmë shtetin tonë me dinjitet dhe vendosmëri”, ka përfunduar Qaka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *