POLITIKATË FUNDIT

A rrezikohet Kosova? Driton Tali: Serbia tashmë është futur në luftë civile

Protestat kundër qeverisë së Aleksandar Vuçiçit në Serbi, të nisura pas një aksidenti tragjik në Novi Sad, janë bërë lëvizja më e madhe kundër korrupsionit dhe autoritarizmit në vend.

Mbi 300,000 njerëz marshuan në Beograd në mars, por përpjekjet për dialog dështuan.

Qeveria ka përdorur forcë për të shpërndarë protestuesit, ndërsa arrestimet dhe përplasjet vazhdojnë.

Analistët paralajmërojnë rrezikun e një lufte civile, duke kujtuar retorikën e viteve ’90.

Analisti Driton Tali, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për sitatutën që po zhvillohet në Serbi, duke thënë se gjuha agresive që përdorin përkrahësit e Vuçiqit dhe mediat e kontrolluara prej tij, si dhe epitetet e rënda mes palëve si “tradhtarë” dhe “terroristë”, ngjajnë me retorikën e përdorur në vitet 1990-91, kur shpërtheu lufta në ish-Jugosllavi.

Sipas tij, Serbia mund të jetë futur tashmë në fazën përfundimtare drejt një lufte qytetare, nëse protestat vazhdojnë të eskalojnë.

“Kjo situatë siç jemi dëshmitarë, po zgjatë që nga nëntori i vitit kaluar kur ra çatia e Stacionit të Trenit në Novi Sad, me eskalim të theksuar që nga dita e Vodovdanit, kur Vuçiçi i injoroi kërkesat e “bllokaderëve” në atë demonstratën masive paqësore, për çka ata e ndërruan strategjinë të shprehur me apelin ndaj qytetarëve të Serbisë për “padëgjushmëri qytetare” ndaj regjimit të korruptuar të Vuçiçit, e që ai apel mori përkrahje gjithandej Serbisë. Pra kjo është çfarë po ndodh në pika të shkurta atje.

Tani për t’u përgjegjur në pyetjen e mundësisë së luftës qytetare, gjykuar nga gjuha që po përdoret nga krahu i Vuçiçit (si nga bashkëpartiakët e tij njëashtu edhe aleatët tjerë) dhe nga mediat e kontrolluara nga ai, përshtypja jepet se Serbia veç është futur në fazën finale kur këto protesta të shumta të eskalojnë në luftë qytetare. Sepse vokabulari – epitetet që po përdoren nga dy palët kundërshtuese, ndaj njëra tjetrës, si tradhëtarë e terroristë, na rikujtojnë vokabularin e vitit 1990-91 kur filloi lufta në ish Jugosllavi nga Millosheviçi”, ka shpjeguar Tali.

Gjithashtu, Tali ka thënë se një luftë qytetare në Serbi nuk na konvenon si Kosovë dhe rajon për shkak të pasojave politike, sigurie dhe humanitare.

“Natyrisht, ne si Kosovë, por edhe rajonit në përgjithësi, nga aspekti politik dhe i sigurisë, nuk na konvenon një luftë eventuale qytetare në Serbi për shkak të konsekvencave të saj që do t’i ketë.

Në interes tonin është që “kjo Serbi” të demorkatizohet në mënyrë paqësore, ta njeh Kosovën dhe ashtu bashkërisht krejt Ballkani Perëndimor të futet në UE.

Por edhe nga aspekti humanitar nuk duhet t’i gëzohemi një lufte eventuale qytetare sepse aty do të pësojnë shumë njerëz të pafajshëm.

Prandaj të presim se çfarë po ndodh me shpresën që Serbia përfundimisht do ta gjejë forcën për t’u shëruar nga hegjemonizmi i saj, të demokratizohet në paqe, dhe të hiqen kriminelët nga pushteti”, ka deklaruar Tali.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *