OPINIONTË FUNDIT

“Duhet një kundërpërgjigje serioze”- Fetoshi: Serbia dhe Rusia po synojnë destabilizimin e Kosovës përmes mjeteve hibride

Për sigurinë aktuale në Kosovë, në një intervistë për “Bota sot” ka folur Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Prof. Asoc. Dr. Arben Fetoshi.

Ai thotë se siguria në Kosovë mbetet e brishtë për shkak të kërcënimeve hibride dhe tensioneve ndëretnike. Serbia instrumentalizon komunitetin serb përmes Listës Serbe, rrjeteve kriminale e spiunazhit, duke nxitur destabilizim me mbështetjen e Rusisë. Sipas tij, Kosova përballet me rrezik të lartë nga propaganda, sulmet kibernetike e krizat politike, ndërsa kërcënimi ushtarak është më i ulët falë NATO-s dhe SHBA-ve.

Derisa, sfida kryesore për sigurinë në Kosovë sipas Fetoshit mbetet agresioni hibrid i Serbisë, që përfshin propagandë mashtruese, instrumentalizim të komunitetit serb dhe mbështetje nga Rusia e rrjete kriminale, duke shtuar se sulmet kibernetike dhe kërcënimet ndaj infrastrukturës kritike po rriten, ndërsa rrjetet e spiunazhit mbeten faktor destabilizues.

Kurse, për tensionet në veri ai potencon se Serbia e sheh veriun si hapësirë strategjike për destabilizim, duke përdorur propagandë mashtruese, incidente të inskenuara dhe grupe të armatosura për të demonizuar Kosovën dhe mashtruar opinionin ndërkombëtar.

Ndërsa, për ndikimin shërbimeve të huaja të inteligjencës në territorin e Kosovës, Fetoshi thotë se BIA serbe dhe shërbimet ruse veprojnë në Kosovë përmes infiltrimit, kontrabandës, spiunazhit, propagandës digjitale dhe rrjeteve false, me synim destabilizimin e vendit dhe diskreditimin e UÇK-së e institucioneve.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovë?

Arben Fetoshi: Siguria në Kosovë vazhdon të jetë e brishtë dhe e cenueshme për shkak të kërcënimeve hibride dhe tensioneve ndëretnike. Serbia vazhdon ta instrumentalizojë komunitetin serb dhe të përdorë agjentë të ndërhyrjes siç është Lista Serbe, apo rrjete kriminale e të spiunazhit për të nxitur destabilizim politik. Pra, kemi të bëjmë me një kërcënim të vazhdueshëm si pasojë e qëllimeve shoviniste të Serbisë, përmes luftës informative, mjeteve hibride, sulmeve terroriste dhe mbështetjes nga Rusia, si kalkulim revizionist për ta minuar pavarësinë e Kosovës. Sa i përket kërcënimeve hibride si propaganda, sulmet kibernetike apo destabilizimi politik, Kosova përballet me rrezik të lartë, ndërkaq për kërcënimet e drejtpërdrejta ushtarake rreziku është më i ulët, për shkak të obrellës së NATO-s dhe rolit mbështetës të SHBA-ve.

“Bota sot”: Cilat janë sfidat më të mëdha të sigurisë me të cilat po përballet vendi sot?

Arben Fetoshi: Sfida më e madhe është agresioni hibrid nga Serbia që përfshin propagandën mashtruese siç është për shembull fushata aktuale për “përndjekjen dhe spastrimin e serbëve në veri”, taktikat si ajo “gaslighting” me qëllim të manipulimit ndërkombëtar apo instrumentalizimi i komunitetit serb për të penguar integrimin e tyre. Në këtë kuadër, mbështetja nga Rusia dhe strukturat e infiltruara kriminale për provokime të orkestruara në veri, përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues. Për shkak të varësisë teknologjike në epokën digjitale, sfidë tjetër për sigurinë e brendshme janë edhe sulmet kibernetike apo ato në infrastrukturën krike, që kanë shënuar rritje viteve të fundit. Duke pasur parasysh objektivat për sabotim, paralizim të shërbimeve apo vjedhje të të dhënave, në këtë aspekt duhet pasur parasysh edhe rrjetin e spiunazhit, që koordinon aktivitetet hibride dhe operacionet e influencës. Arrestimi i disa prej tyre si rezultat i hetimeve të përbashkëta të Prokurorisë, AKI-së dhe Policisë – ndonëse është sukses që dëshmon për kapacitetet e institucioneve tona – është po ashtu alarm në kuptimin e një rrjeti të organizuar dhe potencialisht me shtrirje të gjerë.

“Bota sot”: Sa seriozisht duhet të merret rreziku nga tensionet në veri të Kosovës?

Arben Fetoshi: Duhet të merren shumë seriozisht. Për Serbinë, veriu është hapësirë strategjike për ta luftuar Kosovën duke e mbajtur jostabile. Propaganda perfide me fushata shpifëse si ajo për “ngacmimin e vajzave serbe”, jo vetëm që kishte për qëllim demonizimin e Policisë së Kosovës, por edhe mobilizimin e qytetarëve serbë përmes nxitjes emocionale. Koordinimi i veprimeve hibride me narrativa mashtruese, inskenim të incidenteve, sulme dhe grupe të armatosura, të “arsyetuara” si rezistencë dhe mbrojtje nga represioni shtetëror, synon shtrembërimin e vërtetës dhe mashtrimin e opinionit ndërkombëtar, me qëllim të përfitimit politik në dëm të Kosovës. Këto veprime bëhen edhe më kërcënuese në kontekstin aktual të konfliktit gjeopolitik, prandaj na duhet një kundërpërgjigje serioze, e matur dhe energjike, që shmang rrezikun e “kompromiseve” të reja.

“Bota sot”: A ka rritje të ndikimit të shërbimeve të huaja të inteligjencës në territorin e Kosovës?

Arben Fetoshi: Padyshim. Siç tregojnë rastet e të arrestuarve për spiunazh, BIA (Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë) duket se ka shtrirje jo vetëm në veri, përmes infiltrimit në institucione të ndryshme, përmes kontrabandës dhe rrjeteve kriminale. Ajo është aktive në sulmet kibernetike, mbledhje të informacionit strategjik, por edhe në operacione të manipulimit e ndikimit, me qëllim të kriminalizimit të luftës së UÇK-së dhe rritjes së mosbesimit të qytetarëve në institucione. Përveç Serbisë, edhe shërbimet ruse ka kohë që janë prezente në rajon, jo vetëm përmes kanaleve diplomatike e të ashtuquajturës Qendër Humanitare në Nish e cila është bazë spiunazhi, por edhe përmes propagandës digjitale. Instituti “Octopus”, por edhe organizata të tjera në Kosovë kanë monitoruar në vazhdimësi narrativat pro-ruse dhe kundër Kosovës në mediat serbe dhe ato ruse si RT Balkan e Sputnik Serbia, duke identifikuar po ashtu mijëra llogari false në rrjetet sociale që shpërndajnë përmbajtje të njëjtë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Inteligjencës në raport me kërcënimet aktuale?

Arben Fetoshi: Jo vetëm policia, por gjithë infrastruktura e sigurisë ka bërë një punë të jashtëzakonshme, sidomos në veri. Neutralizimi dhe arrestimi i grupit terrorist në Banjskë, eliminimi i bandave kriminale dhe kapja e arsenalit të madh të armëve në veri, dëshmon për kapacitetet e larta profesionale të policisë. Për këtë arsye ajo është targetuar vazhdimisht nga fushatat shpifëse të propagandës serbe. Edhe Agjencia e Inteligjencës (AKI) ka treguar efikasitet të lartë me zbulimin e infiltrimeve dhe parandalimin e skenarëve të dhunës, duke demonstruar rëndësinë vitale të bashkëveprimit, si dhe bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare të sigurisë – KFOR-in e EULEX-in. Megjithatë, nuk duhet harruar se Serbia dhe Rusia kanë një aparat të sofistikuar për operacione hibride, prandaj Kosova duhet të rrisë mbështetjen buxhetore dhe kapacitetet e sigurisë, sidomos për analizat strategjike dhe inteligjencën digjitale.

“Bota sot”: A ka nevojë për reforma strukturore në sektorin e sigurisë?

Arben Fetoshi: Jo vetëm që ka nevojë, por e konsideroj urgjente. Reformat duhet të fokusohen në inteligjencën digjitale, që nënkupton përdorimin e AI-së për identifikimin e narrativave armiqësore dhe themelimin e një Qendre për Luftën Informative, që do të koordinonte kundër-influencën ndaj kërcënimeve serbo-ruse. Në këtë drejtim mund t’ju them se ka një iniciativë nga Ministria e Punëve të Jashtme, por ende mbetet të shihen hapat dhe dinamika në vazhdim. Përndryshe, në kuptim të qëndrueshmërisë dhe kundërshtimit efikas të kërcënimeve hibride, bashkëpunimi me NATO-n, me partnerët rajonalë dhe me vende që kanë përvojë të drejtpërdrejtë si Ukraina, është me rëndësi vendimtare.

“Bota sot”: Sa e përgatitur është Kosova për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike?

Arben Fetoshi: Më pak se ç’ duhet për fat të keq. Kemi vetëdijesim të lartë për rrezikun kibernetik, por ende kemi nevojë për përgatitje në këtë drejtim. Kosova ka miratuar Strategjinë e Sigurisë Kibernetike (2022-2027) që përcakton mekanizmat e zhvillimit funksional, mirëpo ende është në proces të fuqizimit të tyre me burime, kapacitete dhe koordinim ndër-sektorial për një mbrojtje efektive dhe të qëndrueshme. Megjithatë, duke pasur parasysh rrezikun nga Serbia dhe Rusia, Kosova ka përfituar nga ndihma dhe mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian për sigurinë digjitale, si dhe është prioritet në disa programe rajonale të sigurisë kibernetike.

“Bota sot”: A po investohet mjaftueshëm në mbrojtjen e infrastrukturës kritike digjitale?

Arben Fetoshi: Ndonëse është bërë përparim, mbrojtja e infrastrukturës kritike digjitale është ende e brishtë. Pjesa më e madhe e sistemeve dhe pajisjeve vijnë nga projektet e BE-së dhe mbështetja amerikane, që do të thotë se ende varemi në masë të madhe nga ndihma e jashtme. Agjencia për Siguri Kibernetike është në proces të funksionalizimit, derisa kapacitetet trajnuese të stafit në sektorët kritikë janë të kufizuara. Prandaj, për një mbrojtje të qëndrueshme duhet më shumë investim, fushata vetëdijesimi, bashkëpunim dhe rrjetëzim ndërkombëtar, që do të mundësonte shkëmbim të menjëhershëm informacioni mbi sulmet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *