OPINIONTË FUNDIT

Nga ndarjet te uniteti, partitë shqiptare bashkuan forcat për Graçanicën – Ajeti zbërthen prapaskenat e këtij vendimi

Nisma Aleanca Shqiptare, e ka bashkuar Lëvizjen Vetëvendosje, Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Ky vendim u mirëprit nga të gjithë, ku kandidat për kryetar të komunës nga kjo iniciativë do të jetë Leutrim Ajeti.

E në lidhje me këtë nismë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli pikërisht kandidati Ajeti, i cili tha detaje se si erdhi deri te kjo ide.

Ai tregoi se tentativa për t’u bërë bashkë kishte pasur dhe në të kaluarën, mirëpo që fatmirësisht pas disa vështirësive, kësaj radhe u realizua qëllimi.

“Ideja ishte e përbashkët, pra liderët e partive lokale këtu, por edhe nga persona me ndikim, u jetësua kjo ide. Motivi kryesor ishte, që qytetarët e kërkonin këtë dhe ia arritëm.

Ka pas tentime edhe zgjedhjeve të kaluara, por asnjëherë kështu s’ishim bashkë. Kështu që pas atyre tentimeve e gjithsesi edhe vështirësive, ia arritëm kësaj here. Bashkimi u arrit me kontribut të të gjithëve”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, kandidati për kryetar tregoi edhe planet dhe vizionin e tij politik për Graçanicën, ku shpreson që shqiptarët politikisht të rriten sa më shumë.

“Përfaqësimi krahasuar me mandatet tjera është dukshëm më i mirë, kjo pasi që këtë mandat që po e përfundojmë e kishim nënkryetarin e Komunës! Duhet të rritemi më shumë, si në Kuvend ashtu edhe në ekzekutiv.

Vizioni im është i qartë: rritja e fuqisë politike të shqiptarëve këtu, por gjithsesi duke qenë i barabartë për të gjithë, pa asnjë dallim”, theksoi Leutrim Ajeti për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *