Pas akuzave të Bajramit, vjen reagimi i fortë i Haxhi Avdylit: Ku e ke hallin, oj “Shotë Galica e Facebook-ut”?
Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas moscertfikimit të Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Bajrami i tha VV-së se hajnitë, dështimet, tenderët njëburimorë, nepotizmin, hapjen e institucioneve dhe lidhjet me mafinë energjetike s’mund t’i mbulojnë me Serbinë, urat dhe as me Listën Serbe.
E ndaj kësaj deklarate të Bajramit, ka reaguar edhe deputeti nga ‘Guxo’, Haxhi Avdyli.
Përmes një postimi në Facebook, Avdyli i është kundërpërgjigjur Bajramit me tone të ashpra, duke rikujtuar heshtjen e saj dhe të LDK-së gjatë bashkëqeverisjeve të mëparshme me Listën Serbe, si dhe tolerimin e ndikimit serb në institucionet e Kosovës, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Shpesh mundohem t’i iku ballafaqimeve me ish-kolegët e mi nga LDK-ja, por një deklaratë e tillë – sa është neveritëse, aq edhe morbide – të nxjerr fjalët edhe s’deshe.
Kurrë nuk e kam dëgjuar të ketë ngritur zërin për koalicionet me Srpska-n, pritjet me tepih të kuq për Rakiqët e Radoiçiqët në qeveritë e kaluara. E sot, Hykmetja po mundohet të shpërndajë mjegull…
Po, Hykmete, ne i kemi hapur korridorët për ikje – edhe tabelave serbe “KM”, edhe Komercijalna Bankës, edhe Postës Serbe, edhe dinarit, edhe rojave të urës, edhe brigadave të veriut, edhe ujësjellësit e rrymës serbe, edhe çdo shenje tjetër të shtetit serb në Kosovë.
E ata që i detyronin kryeministrat tanë të mbanin rrugëve të maleve për të shkuar nëpër fshatra shqiptare të bllokuara nga bandat terroriste – mu ata janë ndjekur siç ndiqen terroristët: disa u vranë, disa u zunë dhe po gjykohen, e disa ikën me bishtin ndër shalë…
Ku e ke hallin, oj “Shotë Galica e Facebook-ut”? Mu këta që i pate kolegë qeverie, ne i ndoqëm maleve, për të mos u kthyer më kurrë.
Me ne s’ka shans. Me ju, ndoshta edhe ndodh, ju hapet korridor kthimi.
Me ne, terroristëve dhe inspiruesve të tyre ua kemi mbyllur korridoret – njëherë e mirë.