TË FUNDIT

LDK nuk guxon nga PDK të votojë kryetarin e Kuvendit

PDK po luan rolin e regjisorit të heshtur duke shtyrë LDK-në të marrë barrën e bllokadës.
Skena politike në Kosovë po rrotullohet rreth pazareve të ditës, ku parimet zbehen para interesave të ngushta partiake. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit nuk është vetëm një proces teknik, por një akt politik që përcakton raportet e forcave dhe orientimin e shtetit për muajt e ardhshëm. Pikërisht këtu, përgjegjësia bie mbi Lidhjen Demokratike të Kosovës, një parti e cila shpesh ka dëshmuar luhatje mes qëndrimeve parimore dhe interesave të momentit.

LDK nuk guxon nga PDK të votojë kandidatin e Vetëvendosjes për kryetar Kuvendi. Një hap i tillë nënkupton dorëzim të plotë të LDK-së përballë një PDK-je që tashmë e ka shndërruar opozitën në monopol të saj. Të mbështetësh PDK-në në këtë pikë është sikur të jesh kundërshtar në fjalë, por bashkëpunëtor në vepra. E kjo po zhbën çdo kauzë opozitare që LDK pretendon ta mbajë gjallë.

Për më tepër, PDK po luan rolin e regjisorit të heshtur duke shtyrë LDK-në të marrë barrën e bllokadës. Nëse opozita është e vendosur ta sfidojë pushtetin e VV-së, atëherë duhet ta bëjë hapur, me kurajë, e jo me lojëra nën tavolinë. Çdo kompromis i fshehtë është tradhti ndaj votuesve.

LDK duhet ta ketë të qartë: vota për kandidatin e VV-së është votë legjitime edhe nga Kushtetuta dhe ndihmon në zhbllokimin e situatës. Çdo votë kundër është votë që rrënon çdo shpresë për një alternativë të shëndoshë demokratike. Është votë që LDK-së ia merr fytyrën, ia vjedh historinë dhe ia shuan rolin si opozitë.

Koha është për të treguar forcë politike, jo për t’u bërë patericë e PDK-së. LDK nuk guxon ta humbasë këtë betejë morale. Nëse e bën, do të mbetet në histori jo si parti e themeluar mbi vizion e sakrificë, por si parti që u nënshtrua për interesa të vogla në kohë të mëdha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *