TË FUNDIT

“Nuk shoh asnjë rrezik për Kosovën”- Profesori përmend deklaratën e Putinit që shkon në favor të shtetit tonë

Bytyçi: Argumenti i Vladimir Putin me Kosovën dhe vendimin e GJND për pavarësinë e saj sjell automatikisht njohjen e saj nga ana e tij, nëse atij i njihet sovraniteti ndërkombëtar në Krime.
Të hënën në mbrëmje me orën tonë lokale presidenti i SHBA-së Donald Trump priti në Shtëpinë e Bardhë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Selenski.

Kjo pritje erdhi si vazhdim i bisedimeve midis presidentit amerikan dhe presidentit rus javën e shkuar. Në takim erdhën e morën pjesë edhe disa liderë europianë, kryeministri britanik, presidenti francez, Presidentja e BE-së, Ursula von der Leyen, kryeministrja e Italisë, presidenti i Finlandës etj.

Atje nuk mori pjesë kancelari gjerman Fridrich Merz dhe për këtë nuk pati ndonjë shpjegim.

Sipas profesorit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare Dr. Enver Bytyçi ajo që ra në sy lidhet me faktin se presidenti Donald Trump “i vuri në rresht” të gjithë liderët europianë.

Profesori në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se shkuarja e tyre në Shtëpinë e Bardhë, në vend që të shtonte reputacionin e Europës, në fakt e uli atë edhe më shumë.

ImageProf. Dr. Enver Bytyçi
“Jo se morën pjesë në një ceremoni takimi të Trump dhe Zelensky-t, por se ata shkuan aty thjesht si figurantë. Madje thanë se “do të shkojmë në këtë takim me qëllim që të mos përsëritet skena e takimit të parë të presidentit të SHBA-ve me presidentin e Ukrainës.

Informacionet nga ky takim janë shumë të pakta, nganjëherë krejt anësore e të përgjithshme. Të gjithë e përshëndesin Donald Trump për përpjekjet e tij për të bërë paqe në Ukrainë. Dhe e vërteta është se përpjekjet e zotit Trump për të rikthyer paqen janë të jashtëzakonshme, epike, do të thosha. Askush nga ne nuk dyshon në sinqeritetin e këtyre përpjekjeve. Megjithatë ende shumë detaje janë krejt të paqarta dhe siç thuhet “djalli qëndron në detaje”! Pra cila do të jetë zgjidhja. Me siguri që është folur për këtë, por askush nuk e artikulon këtë zgjedhje. Opinioni publik di disa kërkesa të presidentit rus, Vladimir Putin, si psh kërkesa për të mbajtur Krimenë e pushtuar para 11 vitesh si dhe aneksimin e dy të ashtuquajturave republika të Ukrainës Lindore, gjithnjë në këmbim të paqes dhe përfundimit të agresionit suhtarak në këtë vend”, nënvizoi prodesori.

Sipas tij, në takim u fol më shumë për garancitë për sigurinë e Ukrainës, sesa për zgjidhjen.

“Presidenti Trump duket se është marrë vesh me presidentin Putin rreth çeshtjeve të sigurisë ukrainase. Ndërsa presidenti francez ka shprehur gatishmërinë për të çuar trupa paqeruajtëse në Ukrainë. Edhe vende të tjera e kanë shprehur këtë ide. Moska ka reaguar menjëherë, duke kundërshtuar çdo opsion për të dërguar trupa nga vendet e NATO-s. Por Trump tha në takimin e mbrëmshëm se “nuk e përjasjton mundësinë që SHBA-të të dërgojnë trupa ushtarake në Ukrainë pas marrëveshjes për paqe”. Këtë ide mund ta pranojë Vladimir Putin, sepse ai beson se Trump do t’i tërheqë shpejt trupat amerikane.

Por në takim u fol pak ose aspak për kërkesat e Putin për ndarjen e Ukrainës. Peronalisht prirem të besoj se kërkesa për aneksimin e dy republikave në Donbaskut është një truk, me qëllim që të realizohen kërkesat e tjera të Kremlinit”, u shpreh profesori.

Bytyçi thotë tutje se këto kërkesa do të preçizohen në mbajtjen e Krimesë dhe njëhjen e sovranitetit rus mbi të dhe në shpalljen e Ukrainës si vend asnjanës, pa të drejtë të bëhet anëtare e NATO-s.

“Putin nuk do të pranojë që në Ukrainë të shkojnë trupa të NATO-s, ashtu siç nuk pranoi Milosheviç në Rambuje që trupat e NATO-s të hynin pa luftë në Kosovë. Por Kosova ishte tjetër histori.

Çfarë mund të ndodhë? Krimeja do të jetë pjesë e Rusisë dhe kurrë më nuk do të rikthehet nën sovranitetin e Ukrainës. Donbask-u do të jetë aty, por me një autonomi të gjerë, të garantuar ndërkombëtarisht. Kievi do të ketë shumë më pak sovranitet mbi të. Çka do të thotë se de facto Rusia do të jetë brenda Ukrainës, gjithnjë përmes rusëve që jetojnë në Donbask. NATO-ja nuk do të guxojë më ta përmendë afrimin ose pranimin e Ukrainës në këtë organizatë. E diskutueshme do të jetë edhe pranimi i Ukrainës në Bashkimin Europian. Madje mendoj se nuk do të arrihet as kjo. Kjo do të thëtë se Ukraina formalisht do të jetë e pavarur, por praktikisht do të jetë një vend satelit i Moskës”, theksoi ai.

Profesori thekson se jo rastësisht në takim u fol për zgjedhjet e reja për presidentin dhe parlamentin e Ukrainës.

“Ishte paralajmërimi për largimin e Zelenskyt nga pushteti. Që do të thotë se do të tolerohet një president, një qeveri dhe një parlament i afërt me Rusinë. Kjo do të zgjedhte formalisht krizën. Do të thuhet më pas se vetë Ukraina është sovrane të zgjedhë aleatët e saj. Siç thuhet edhe tani kur ajo shpreh dëshirën të bëhet anëtare e NATO-s. Por pas luftës do të thonë se ajo është e lirë të ankorohet me Rusinë e Vladimir Putin. Pra edhe sovrane përmes përfaqësimit të sovranitm, edhe e varur me “vullnet të lirë”. A nuk ishin vendet komuniste të Lindjes të varura te Moska “me vullnetin e tyre të lirë”?! “, u shpreh profesori.

Megjithatë, Bytyçi potencon se e gjitha kjo nuk do të ndikojë në Kosovë.

“Në fund të fundit Krimeja është trofeja që gjithnjë ka dëshiruar Moska duke përdor si model pavarësinë e Kosovës, ose siç thoshte Putin “të drejtën për vetëvendosje të Kosovës”! Argumenti i Vladimir Putin me Kosovën dhe vendimin e GJND për pavarësinë e saj sjell automatikisht njohjen e saj nga ana e tij, nëse atij i njihet sovraniteti ndërkombëtar në Krime. Ndërkaq Putin do të kërkojë kontrollin e Ukrainës, duke dhënë te SHBA-të dhe Perendimi kontrollin mbi Kosovën e ndoshta edhe mbi Serbinë. Madje ai ka dhënë edhe kontrollin e Sirisë dhe Iranit, në këmbim të krijimit të zonës së tij të influencës në Ukrainë, Bjellorusi, Moldavi, Gjeorgji etj. Kësisoj nuk shoh asnjë rrezik për Kosovën, i cili mund t’i vijë asaj për shkak të zgjidhjeve në Ukrainë.”, përfundoi profesori.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *