Çeku: Pas Prizrenit, pres që edhe në Prishtinë të ketë aktakuza
Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, lidhur me aktakuzën ndaj dy zyrtarëve në Prizren për rrënimin e “Sarajit të Vjetër”, ka thënë se është vërtetuar ajo që e kanë thënë nga fillimi.
Sipas tij, rrënimi i paligjshëm i “Sarajit të Vjetër” në Prizren nuk ishte gabim, por shkelje e rëndë me pasoja të pariparueshme për trashëgiminë kulturore.
Ka shtuar se pas kallëzimit penal të dorëzuar nga Ministria e Kulturës, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të Urbanizmit dhe një bashkëpunëtoreje profesionale të komunës së Prizrenit.
“Ministria e Kulturës ka dorëzuar kallëzim penal për cënim të trashëgimisë edhe ndaj komunës së Prishtinës. Standardi që sot vendosi Prokuroria Themelore e Prizrenit duhet të ndiqet edhe nga ajo e Prishtinës”, ka thënë Çeku.