Qarri zbulon prapaskenat politike dhe lojërat e deputetëve të nënshtruar – ja skenarët për largimin e Kurtit
Kuvendi vazhdon të jetë i bllokuar edhe pas vendimit të fundit të Kushtetueses.
Madje, partitë politike nuk kanë thirru as ndonjë seancë konstituive dhe në një situatë të tillë nuk dihet ende se çka pritet të ndodhë më tej.
E në lidhje me skenarët dhe koalicionet e mundshme, për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.
Fillimisht, ai foli mbi të mënyrat e votimit dhe të drejtën për të votuar fshehtë e që këtë të fundit e kundërshtoi Kushtetuesja.
Mirëpo, sipas tij, qëllimi i vërtetë i kësaj bllokadë është largimi i Kurtit nga pushteti dhe se partitë opozitare nuk kanë problem me emra të përveçëm.
“Duke pasur parasysh që vet Gjykata Kushtetuese, disa herë ka deklaruar se të dy format e votimit janë të mundshme dhe bazuar në faktin që nuk ekziston asnjë dispozitë kushtetuese a juridike që i jep të drejtë kësaj Gjykate të vendosë mbi formën e votimit në Kuvend, ngase mënyra e votimit është kompetencë e legjislativit, druaj fort se cirkun qesharak të 120 kapadainjve parlamentar, të paktën në “ri”-fillim të seancave, do të detyrohemi ta shohim përsëri, çdo 48 orë, bashkë me përsëritjen e lojërave cirkuzante të deputetëve të nënshtruar, lojëra për të cilat, ata do të vazhdojnë të paguhen nga 223.080 euro në muaj vetëm për pagat bazë, që pa asnjë meritë, vazhdojnë t’i marrin nga buxheti i varfër i Kosovës për vetëm pesë minuta qëndrim, çdo të dytën ditë, në sallën e seancave të Kuvendit.
Shto gjithë kësaj maskarade faktin që tanimë dihet botërisht, se problemi nuk qëndron te emri i propozuar për kryeparlamentar nga partia fituese, por qëllimi i vërtetë i partive të inkriminuara politike, mbetet rrëzimi i Kurtit dhe rimarrja e pushtetit në tavolinë, të cilat me po këtë synim, mbi tre muaj me radhë, edhe paraprakisht kanë bllokuar konstituimin e Kuvendit, krejt kjo flet mese qartë, se derisa këto partitë opozitare udhëhiqen apo dirigjohen edhe sot nga protagonistët e ndarjes së Kosovës si Vjosa Çitaku & Co në PDK dhe Lutfi Haziri & Co në LDK, nuk besojë se me parti të tilla, mundet dhe as që do të ketë koalicion parimor për zgjidhjen e ngërçit”, nënvizoi analisti.