Gjilani në gjak, fajdet po na vrasin
Tre të vrarë, një i plagosur rëndë. Një qytet i tëri në panik. Një emër që të gjithë e dinin, por askush nuk e ndali: Mefail Shkodra. I njohur për fajde, për zhvatje e kërcënime, ky njeri nuk u bë i rrezikshëm sot. Ai ka qenë kërcënim prej vitesh, por shteti e la të lirë të ndërtojë perandorinë e tij mbi djersën, frikën dhe gjakun e të tjerëve. Kjo nuk është vetëm vrasje.
Është dështim i plotë i drejtësisë, i policisë dhe i prokurorisë. Fajdexhinjtë nuk veprojnë në hije – ata ecin hapur, nëpër kafene e rrugë, me makina luksoze dhe me shikimin përçmues ndaj ligjit. Sepse e dinë: nuk ka kush t’i prekë. Dhe kur ndodh një tragjedi si kjo, dëgjojmë të njëjtat fraza të lodhura: “Rasti po hetohet, do të zbardhet motivi”.
Po motivi dihet: Fajdet vrasin. Çdo institucion që sot bën sikur çuditet nga ky krim, është pjesë e problemit. Sa herë janë marrë deklarata për fajde dhe janë harruar në sirtarë? Sa herë janë lëshuar fajdexhinj të kapur në flagrancë, me arsyetime qesharake? Sot Gjilani është i mbuluar me gjak.
Nesër, nëse nuk ka veprim serioz, gjaku do të derdhet diku tjetër. Dhe fajdexhinjtë do të vazhdojnë të jetojnë si mbretër në qytetet tona, derisa një tjetër Mefail Shkodra të zbrazë armën. Ky krim është pasqyra e një drejtësie të kapur, ku paratë e pista dhe frika vlejnë më shumë se jeta e njeriut. Nëse nuk e pranojmë këtë realitet, atëherë jemi të gjithë bashkëfajtorë për viktimat e ardhshme.