Institucionet nën kërcënim? Dyshimet për gjyqtarin Llaban ndezin alarmin e sigurisë
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se dielën se gjyqtari i pakicës serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Radomir Llaban, dyshohet se është “bashkëpunëtor i Agjencisë për Siguri dhe Informim të Serbisë, BIA”.
Ajo tha se BIA serbe e “komprementoi dhe ia organizoi zhvendosjen në Kosovë Llabanit” pasi ai ishte dënuar me gjashtë vjetë burgim në Serbi në vitin 2011.
E në lidhje me këtë paralajmërim të Haxhiut mbi rrezikun e Llaban në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
Ai tha se se çështja qartazi ka dimension të sigurisë kombëtare.
Sipas tij, integriteti i Kushtetueses është faktor kyç në funskionim të shtetit të së drejtës.
“Rasti i ngritur nga Ministrja në detyrë e Drejtësisë, lidhur me gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Radomir Llaban, është një çështje që ka dimension të qartë të sigurisë kombëtare. Integriteti i Gjykatës Kushtetuese është themelor për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe çdo dyshim për penetrim nga struktura të inteligjencës së huaj kërkon trajtim serioz institucional”, nënvizoi eksperti.
ImageDrizan ShalaFoto galeri
Krahas kësaj, Shala përmendi edhe rolin e AKI-së dhe verifikimet e raportimet e saj tek autoritet e caktuara.
“Organet përgjegjëse të sigurisë, përfshirë Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), në raste të tilla zakonisht kryejnë detyrat e tyre ligjore, duke realizuar verifikime të thelluara dhe raportime të klasifikuara tek autoritetet kompetente. Megjithatë, në periudha të caktuara, për të kaluar nga zbulimi dhe vlerësimi i rrezikut në (ndërmarrjen e veprimeve konkrete), kërkohet (vullnet i qartë politik) dhe koordinim ndërinstitucional”.
Ndër të tjera, eksperti tha se detajet e dhëna nga Haxhiu duhet të shërbejnë si alarm për forcimin e filtrave të sigurisë dhe për garantimin e besueshmërisë së gjykatave.
“Pa këtë vullnet, informatat dhe raportet e shërbimeve të sigurisë mbeten vetëm dokumente teknike, ndërsa rreziku për komprometimin e institucioneve të larta të shtetit mund të shndërrohet në realitet. Prandaj, ky rast duhet të shërbejë si alarm për forcimin e filtrave të sigurisë dhe për garantimin e pavarësisë dhe besueshmërisë së gjykatave tona nga çdo ndikim i jashtëm”, përmbylli Drizan Shala për “Bota sot”.