“E tmerrshme, e frikshme, gjendja po përkeqësohet”, gazetari i medias alarmon, thotë se Kosova ka nevojë për një…
Gazetari i medias gjermane, Bahri Cani, ka reaguar pas vrasjeve në Gjilan.
Cani e konsideron të frikshme dhe të tmerrshme gjendjen, gjersa shton se kriminelët arrestohen e lirohen në Kosovë, pasi kanë lidhje me prokurorë e gjykatës, politikanë të lartë.
“E frikshme dhe e tmerrshme është bërë kur lexon lajmet për zhvillimet në Kosovë! Katër vrasje për një ditë. E rasti më i rëndë ishte në Gjilan.
Kriminelët, fajdexhinjtë dhe haraçexhinjtë e dyshuar vrasin të paktën tre persona në Gjilan dhe plagosin të tjerë. Të dyshuarit akoma nuk janë kapur dhe paraqesin rrezik edhe për të tjerët…
Kjo vrasje por edhe shumë zhvillime të tjera të dyshimta hedhin dilema të tmerrshme ndaj autoriteteve të sigurisë, hetuesisë, prokurorëve dhe drejtësisë, ndaj gjykatave dhe gjykatësve… por edhe vetë politikanëve!
E tmerrshme, kriminelët arrestohen e lirohen, dyshohet se kanë lidhje me prokurorë e gjykatës, e ndërkohë edhe fotografohen madje edhe me Presidentë e (ish)kryeministra, ministra e politikanë të lartë, mbajnë lidhje me autoritete të drejtësisë, futen në festimet shtetërore, ku duhet të ketë edhe ftesa e kontrolle… e i dyshuari kryesor Mefail Shkodra, paska pasur dhjetëra vepra për të cilat është ditur!”, ka shkruar Cani.
Sipas tij, disa media e shkruajnë e trumpetojnë, ndërsa gjendja në Kosovë po përkeqësohet.
“Dhe? Disa ditë mediat shkruajnë e trumpetojnë, politikanët denojnë “shumë ashpër” rastin, kërkojnë përgjegjësi dhe…
Gjendja në Kosovë po përkeqësohet – Kuvend nuk ka, qeveria është në detyrë, drejtësia ka nevojë për një veting të përgjithshëm, Kosova është nën sanksione… a po e sheh kush kah po shkon Kosova a hiç?
Kam përshtypjen që Kosova shumë shpejt do të ketë nevojë për ndonjë Eliot Ness… ndoshta nuk do t’i mjaftojë vetëm një!”, ka vazhduar shkrimin gazetari.