“Është mirë” që Albini t’ia dorëzojë pushtetin Hashim Thaçit në Hagë dhe Edi Ramës në Tiranë!
Gjykata Kushtetuese e Kosovës dha një vendim sa i përket ngërçit për krijimin e institucioneve. Por doli kundër vetëvetes, sepse në vitin 2015 ajo kishte marrë një vendim tjetër. Asokohe, me kërkesë të partive të sotme vendimi i saj ishte i prerë: – Partia fituese e propozon kryetarin e parlamentit dhe deputetët duhet ta votojnë atë. Ndërsa deputetët e partisë fituese duhet të votojnë propozimet e grupeve më të vogla parlamentare për nënkryetarët e Kuvendit. Para 10 vitesh kjo gjykatë votoi pro Partisë Demokratiek të Thaçit. Mori vendimin në fjalë, sepse ky ishte vullneti i Hashim Thaçit.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe sot. Partia e Thaçit ka marrë votat e gjykatësve kushtetues për kërkesën që i është bërë asaj. Gjykata e gjykatësve të Hashimit ka zhvleftësuar vendimin e para një dekade. Sërishmi në interes të PRONTO-s. Ka ndryshuar qasje dhe qëndrim, por ajo që nuk ka ndryshuar lidhet me faktin se kjo gjykatë si atëherë edhe sot i bindet vetëm vullnetit të ish-presidentit Hashim Thaçi. Sovrani popull, sovrani votues është krejt i parëndësishëm dhe inekzistent. Derisa Kosova ka Gjykatë Kushtetuese me gjykatës të PRONTO-s, nuk ka më nevojë për respekt dhe lejitimim të vullnetit të sovranit. Gjykatësit e kushtetueses e shprehin atë vullnet. Madje në kundërshtim me vetë kushtetutën e vendit.
Këtë vendim e kanë pritur me duartrokitje partitë opozitare, sidomos PDK dhe LDK. Janë kënaq sot edhe Memli me Lushtakun, edhe Lumiri. Kanë pi shampanjë dhe janë deh nga fitorja në tavolinën e kushtetueses, e cila zhvletësoi fitoren e Vetëvendosjes në zgjedhje. Kurtin e bllokuan. I thanë se ti nuk mundesh më të propozosh Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit të Kosovës. Madje Gjykata Kushtetuese u dha të drejtën deputetëve të PRONTO-s dhe të aleancës së tyre që të mos votojnë asnjë kandidat të Vetëvendosjes. Kurti ka në dorë, që edhe ai të mos i votojë kandidatët e partive që kanë deputetë aq sa ka Vetëvendosja. Këto parti mund ta zgjedhin kryetarin e parlamentit vetëm nëse marrin edhe votat e Listës Srpska. Deputetët serbë natyrisht që janë të gatshëm të votojnë edhe kreun e Kuvendit, edhe një qeveri të LDK+PDK+AAK. Le ta votojnë!
Pra ka dy rrugë: – Ose partitë opozitare marrin pushtetin në Kosovë me ndihmën e deputetëve serbë, ose vendi shkon në zgjedhje të reja. Në rastin e parë sovrani do të reagojë shpejt dhe pa vonesë. Sepse ai është shpërfillur. Eshtë dhunuar vullneti i tij. Pra, nëse humbësit krijojnë qeveri dhe institucione, atëherë do të ketë reagim qytetar. Jo vetëm kundër atyre që vijnë në pushtet, por edhe kundër kësaj gjykate kushtetuese, e cila merr atributetet për t’i dhënë legjitimitet dikurjt të palegjitimuar. Në rastin e zgjedhjeve të reja, sovrani do të reflektojë. Do të thotë se vota do të adresohet qartësisht. Nuk u duhet lënë politikanëve dhe gjykatësve të tallen me vullnetin tonë. Dhe qytetarët do të votojnë me shumicë absolute.
Ajo që ndodhi sot është dhunimi i legjitimitetit. Dikujt nuk i pëlqen Albin Kurti për kryeministër. Nuk i pëlqente as Marco Gjuriqit në fakt, i cili nga Uashingtoni e akuzoi zotin Kurti se “Nuk paska lejuar që Liqenit të Ujmanit t’i vihet emri i presidentit Trump”, ndërkohë që është pala e Beogradit ajo që nuk zbatoi asnjë pikë të marrëveshjes që pati nënshkruar më 4 shtator 2020 në zyrën ovale të presidentit amerikan. Legjitimitetin e jep sovrani, zgjedhësit. Ata votuan më 9 shkurt të këtij viti dhe sërishmi e ngarkuan Albin Kurtin të qeverisë Kosovën. Por nuk është dakord me këtë verdikt Gjykata e Hashim Thaçit!
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është vendim për grusht shteti. Në emër të ish-presidentit! Në emër të ilegjimitetit! Në emër të destabilitetit të institucioneve. Vendimi në fjalë është shkruar në qelinë e Hagës, ose në zyrën e Edi Ramës në Tiranë. Jo rastësisht u bë një ditë para protesta e 7 gushtit. Ishte preludi i këtij vendimi të GJK të tetë gushtit! Megjithatë Albin Kurti ka shansin t’ia lë pushtetin ilegjitim partive opozitare. Le t’i shohim edhe njëherë këto parti se çfarë do të bëjnë me veriun e Kosovës. Nëse do e shtrijnë plotësisht sovranitetin e shtetit në atë pjesë të vendit, apo do të krijojnë barriera në dobi të sovranitetit të Serbisë! Do të integrojnë serbët në instituconet e Kosovës, apo do të pajtohen me projektin e “Botës serbe”! Atëherë do të binden edhe ata votues që kanë dhënë votën për këto parti, se sa gabim të madh kanë bërë.
Albini duhet më mirë t’ia dorëzojë pushtetin Hashim Thaçit në Hagë dhe Edi Ramës në Tiranë, që shqiptarët të binden për ta votuar atë me 90 përqind!