Njeriu i PDK-së zgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese
Deputetët e Kuvendit të Kosovës në raundin e dytë kanë zgjedhur Safet Hoxhën dhe Nexhmi Rexhepin për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, derisa në raundin e parë është zgjedhur Remzie Istrefi-Peci.
Pas raundit të dytë të votimit deputetët kanë votuar Nexhmi Rexhepi me 66 vota, ndërsa Safet Hoxhën me 62.
Ndërkohë kryeparlamentari Kadri Veseli ka bërë të ditur që emrat e tre gjyqtarëve të propozuar nga Kuvendi i Kosovës do të dërgohen për dekretim tek presidenti Thaçi.
Në mesin e këtyre kandidatëve ka njerëz të cilët kanë të kaluar politike, shkruan Insajderi.
Çfarë kanë punuar në të kaluarën dhe cila është përgatitja profesionale e kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.
Safet Hoxha
Safet Hoxha aktualisht është Kryetar i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP). Ndërsa në vitin 2013 kishte kandiduar për anëtar të Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në komunën e Suharekës.
Ka lindur më 19 janar të vitit 1968. Ka kryer shkollën fillore në Bllacë të Suharekës. Të mesmen në Suharekë dhe studimet në Prishtinë në Fakultetin Juridik.
Ka qenë më herët profesor në Shkollën Teknike “Skënder Luarasi”, dhe aktualisht është profesor në Fakultetin Juridik në Prizren.
Nexhmi Rexhepi
Është Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Kosovës në Republikën e Sllovenisë. Ndërsa në gjatë viteve 2009 – 2013, ka shërbyer si ambasadori i parë i Kosovës në Mbretërinë e Holandës.
Rexhepi ka lindur më 1977, në Prishtinë. Ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet postdiplomike i ka mbaruar në Universitetin e Bolonjës dhe në Universitetin e Sarajevës. Po ashtu, ka studiuar edhe në Universitetin Johns Hopkins, Universitetin Shtetëror të Arizonës, Universitetin e Illinois për Teknologji, Kent Law School, si dhe në Universitetin e Gracit.
Para se të bëhet pjesë e Shërbimit Diplomatik të Republikës së Kosovës, Ambasadori Rexhepi ka punuar si mësimdhënës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, si dhe Këshilltar Ligjor në Zyrën Civile Ndërkombëtare, në Prishtinë.
Për më tepër, më parë ka punuar edhe në Qeverinë e Kosovës në Ministrinë për Energji dhe Miniera, si drejtor për çështje juridike; Gjykatën e Qarkut në Prishtinë; Qendrën për Mbrojtje Juridike Penale (OSBE); Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës; Asociacionin për Trajnim Akademik; si dhe këshilltar ligjor për disa kompani dhe projekte të ndryshme.
Remzije Istrefi-Peci
Është profesoreshë-asistente në Fakultetin Juridik që nga viti 2012. Istrefi bart edhe shumë çmime për karrierën e saj profesionale.
Remzije Istrefi –Peci ka lindur më 28 gusht 1972. Istrefi është doktorante në Fushën e Drejtësisë Tranzicionale në Graz të Austrisë.
Në vitin 2009 ajo kreu studimet e doktoraturës në Universitetin e Prishtinës- Departamenti i Shkencave Politike me temën “ Përgjegjësia e Organizatave Ndërkombëtare në Situatat pas Konfliktit: Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK)”.
Ndërsa në maj të vitit 200, Istrefi mori titullin L.L.M (Legium Magister) në fushën e Ligjit për të Drejtat Ndërkombëtare të Njeriut në Universitetin “Notre Dame”, në Indiana të SHBA-ve.
Ajo për dhjetë vjet punoi si Këshilltare për të Drejtat e Njeriut në Misionin e OSBE-së në Kosovë, dhe ka shërbyer si këshilltare në institucione të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare duke përfshirë UNDP-në, ECMI-n, KJI-në dhe KIPA-n.
Istrefi ka publikuar disa artikuj shkencorë në fushën e të drejtave të njeriut dhe ka kontribuar në libra të shumtë që janë publikuar në Evropë.
Që nga viti 2010 ajo është Menaxhere Ekzekutive e projektit “Tejkalimi i Ndarjes” financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës – projekti më i madh multietnik i zbatuar ndonjëherë në qytetin e ndarë të Mitrovicës. Që nga viti 2011 Istrefi është arbitre pranë Odës Amerikane të Tregtisë.
