TË FUNDIT

Si ta menaxhojmë vizitën e David Baker për sigurinë dhe prosperitetin e Kosovës

David Baker është zevendësndihmës i Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve i ngarkuar për çeshtjet euro-atlantike. Ai vizitoi Kosovën dhe Serbinë. Në Kosovë u takua me presidenten e Republikës, Vjosa Osmani, kryeministrin e vendit, Albin Kurti dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Statovci. Po ashtu pati takime edhe me komandantin e KFOR-it. Në focus të vizitës së tij ishte stabiliteti në rajon dhe zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhnëniebve bilaterale midis SHBA-ve dhe Kosovës. Po ashtu edhe me Serbinë. Temat që u diskutuan kishin të bënin me sigurinë dhe ndërtimin e punës së përbashkët për ta forcuar rendin, rregullin dhe stabilitetin në Kosovë e në rajonin e Ballkanit Perendimor.

Krejt sa përshkrova më lart është thjesht një qasje hyrëse dhe jo thelbi i asaj që dua të theksoj. Vizita ka të bëjë me perspektivën e rajonit dhe të Kosovës. Ndërkaq duhet thënë se vizitat e drejtuesve të lartë të Departamentit të Mbrojtjes Amerikane në Kosovë e kudo gjetkë ndryshojnë nga vizitat e diplomatëve të Departamentit të Shtetit. Ndërsa Departamenti i Mbrojtjes vepron me plane operacionale dhe objektiva konkrete, diplomacia gjendet në Kosovë e kudo gjetkë për të promovuar balanca dhe ekuilibra diplomatike.

Pra, vizita e David Baker nuk është thjesht diplomatike. Aq më pak në Kosovë. Ndërsa ai ishte në Serbi me qëllimin e mirë që të „neutralizojë“ përpjekjet e Beogradit për ta destabilizuar Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe për të garantuar kësisoj paqen në rajon, në Kosovë Baker ishte për arsye të njëjtat si qëllim, por dhe për thellimin e bashkëpunimit me këtë vend. Dy kongresiste amerikane, Claudia Tenney dhe Chrissy Houlahan, i patën dërguar para disa kohësh një letër presidentit Donald Trump dhe i kërkuan të bëjë një vizitë në Serbi e në Kosovë, me qëllim për ta realizuar njohjen reciproke të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe anasjelltas.

Duhet besuar kësisoj se vizita e David Baker zhvillohet në rrethana të reja dhe kanë për qëllim përdorimin e dy instrumenteve. Së pari, kjo vizitë bëhet si vazhdim i përpjekjeve amerikane për ta zgjidhur konfliktin shqiptaro-serb në Kosovë me njohjen dhe pranimin e Kosovës nga ana e Serbisë. E dyta lidhet me atë që quhet diplomaci imponuese, e cila vjen përmes investimit amerikan në Kosovë sa i përket mbrejtjes dhe sigurisë së saj. Takimet me krerët e lartë të shtetit të Kosovës me siguri kanë konfirmuar angazhimin amerikan dhe mbështetjen kosovare te Amerika. Duhet të jesh naiv jo thjesht ta bësh, por sikur edhe ta mendosh të kundërtën. Kjo do të thotë se Uashingtoni nëpërmjet Departamentit të Mbrojtjes, çon mesazh te Beogradi, se „me hir apo me pahir, Kosova është e pavarur, sovrane dhe një realitet gjeopolitik i pakthyeshëm“!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *