POLITIKATË FUNDIT

Situata në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë: Analistët i reagojnë Costa-s: “Llomotitje”, BE ledhaton Beogradin

Shqiptarët në Serbi vazhdimisht janë diskriminuar dhe madje vazhdimisht kanë kërkuar të drejtat sikur serbët që duan në Kosovë.

Në anën tjetër, ata kërkonin që ndërkombëtarët të mos heshtin përballë padrejtësive që bëhen atje.

Por, siç duket Bashkimi Evropian është duke e ndjekur situatën atje dhe për këtë ka folur presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Costa në një letër dërguar më 18 korrik deputetit të vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberit, ka thënë se Bashkimi Evropian po ndjek nga afër trajtimin e pakicave kombëtare nga autoritetet serbe, posaçërisht komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës.

Sipas tij, “të drejtat e pakicave kombëtare do të jenë pjesë e rëndësishme e angazhimeve që Serbia duhet të përmbushë në kuadër të procesit të saj të anëtarësimit në BE”.

Ai ka shtuar se “nga Serbia kërkohet të harmonizojë kornizën e saj ligjore për të drejtat e pakicave me standardet ndërkombëtare dhe ato evropiane”.

“Ju lutem kini parasysh se BE-ja ndjek në mënyrë aktive trajtimin e pakicave kombëtare, përfshirë komunitetin shqiptar në Serbi. Kjo është e rëndësishme në dritën e angazhimeve që Serbia ka marrë në kuadër të procesit të saj të anëtarësimit në BE”, thuhet në letrën e Costas.

Problemet e shqiptarëve në Serbi dhe mos interesimi i vendeve evropiane

Analisti nga Presheva, Kujtim Sadriu, kritikon deklaratën e Costas, madje e quan llomotitje.

ImageKujtim SadriuFoto galeri
Sadriu në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se nuk e di sesa duhet ndjekur nga afër diskriminimi i shqiptarëve në Serbi, kur tashmë ekzistojnë disa raporte për këtë dhe nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret.

“Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka thënë se Bashkimi Evropian po ndjek nga afër trajtimin e pakicave kombëtare nga autoritetet serbe, posaçërisht komunitetin shqiptar në Serbi. Deklarata e Presidentit të Këshillit të Europës, për mendimin tim, është vetëm një llomotitje. Nuk e di se sa duhet ndjekur nga afër diskriminimin e shqiptarëve në Serbi, kur ekzistojnë disa raporte, p.sh. Komisioni i Helsinkit / YIHR: Pasivizimi i adresave si diskriminim sistematik, më shumë se 6,000 shqiptarë — që është një raport i detajuar dhe për këtë duhet t’i jemi mirënjohës Muharrem Salihu dhe znj. Biserko. Pastaj raportet e DASH (2021 & 2022): diskriminim etnik, gjuhë urrejtëse, pasivizim — e vazhdueshme. Pastaj edhe Parlamenti Evropian / Komisioni i BE-së: rezolutë për hetime dhe ndalimin e diskriminimit — një ose më shumë rezoluta, letra diplomatike. Dhe sot e kësaj dite nuk është marrë asnjë hap konkret për ndonjë ndëshkim. Evropa nuk ka interes për pakicat, sa ka interes ta ledhatojë Serbinë, duke u përpjekur që kjo të heqë dorë nga Rusia. Këto favore janë në dëm të pakicave dhe serbëve që kanë mendim pro-evropian”, deklaron Sadriu.

Ai thotë se përjashtim të Gjermanisë dhe Anglisë vendet e tjera evropiane nuk kanë ndonjë interes për shqiptarë në Serbi, madje as Shqipëria.

Sadriu thekson se ka shumë probleme komuniteti shqiptar në Serbi dhe se për këtë nuk ka pasur asnjë debat në Kuvend drejtpërdrejt.

“Në përjashtim të Gjermanisë dhe Anglisë, vendet e tjera evropiane nuk kanë ndonjë interes për shqiptarët në Serbi, dhe këtë çështje nuk e trajton as shteti amë, Shqipëria, e cila sot e ka mundësinë që të ndërmarrë diçka. Ka shumë probleme. Fillimisht, jemi problem vetes. Dhe sot kjo është e dëshmuar. Mosnjohja e diplomave, mos-sistemimi apo punësimi i shqiptarëve në organet shtetërore: polici, qendra paraburgimi, dogana, gjyqësori e prokuroria. Paramendo, sot kemi një problem të ri të paraqitur: rrugët nuk janë të emëruara, shumë shtëpi nuk kanë numrin e shtëpisë dhe si pasojë e kësaj ata penalizohen dhe nuk mund ta marrin dokumentin. Ky problem buron nga shqiptarët e shitur te agjenturat e huaja. Kjo është kompetencë e pushtetit lokal — pushtet i cili përbëhet nga 100% shqiptarë. Këta i udhëzon dikush. Pastaj deputeti Shaip Kamberi, i njohur si një “patriot”, asnjëherë të vetme nuk e ka ngritur zërin për diplomat, për pasivizimin. Asnjëherë nuk ka pasur ndonjë debat në Kuvend drejtpërdrejt. Merreni, shikojeni, çdo herë ka lexuar letra që jam i bindur se ia kanë shkruar të tjerët. Në vazhdimësi ka kritikuar Vuçiqin dhe pushtetin totalitar. Hiç më larg se para 7 ditësh, Vuçiqi e favorizoi Shaip Kamberin dhe Ardita Sinanin, duke ua dorëzuar një drejtorat të një shkolle me masa të dhunshme. Pra, kur i analizon këto, del që më shumë jemi problem vetë, me dyshimin se një pjesë e tyre financohen nga agjentura të huaja për mosangazhim dhe deklarata luftënxitëse për destabilizim të Preshevës dhe në përgjithësi të Evropës Juglindore”, thekson analisti.

“BE të reagojë menjëherë për shqiptarët në Serbi”

Një reagim të menjëhershëm për problemet që përballet komuniteti shqiptar në Serbi ka kërkuar edhe analisti Refik Hasani, i cili në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se është momenti i fundit që në institucionet më të larta të BE-së, në agjendën më të lartë të BE-së, në mënyrë institucional të ndërtojnë qëndrim të qartë dhe jo të ketë dy standarde për pakicën shqiptare në Serbi dhe për pakicën serbe në Kosovë.

ImageRefik HasaniFoto galeri
“Problemet më urgjente me të cilat përballet komuniteti shqiptar në Serbi që kërkojnë reagim të menjëhershëm nga BE-ja, pasi po vërehet dhe ka një përkeqësim të situatës, edhe pse në Bujanoc më 12 gusht 2024 , në Preshevë më 23 shtator 2024, dhe në Medvegjë më 3 nëntor 2024, u mbajtën 3 protesta radhazi, si formë e manifestuar, demonstrim dhe marshe paqësore, por asgjë nuk ndryshoi. Këto protesta paqësore në mbështetje gjithë popullore, prodhuan dhe kanë një alarm, dhe një mesazh paqeje, ishte një mesazh ndaj Beogradit zyrtar, të ndal diskriminimin, por edhe BE-ja, të vizitojnë e rrisin prezencën dhe monitorimin duke garantuar të drejtat individuale dhe kolektive.

Është momenti i fundit që në institucionet më të larta të BE-së, në agjendën më të lart të BE-s, në mënyrë institucional të ndërtojnë qëndrim, të qartë e jo të kemi dy standarde, për pakicën Shqiptare në Serbe në Kosovë për pakicën Serbe”, deklaron Hasani.

Ai tutje shton se Costa duhet të vizitojë vendbanimet dhe lokalitetet shqiptare në Serbi.

“Parlamenti i BE-së, fillimisht të shtrojë diskutimin me një pikë të rendit të punës gjatë një seance, e pastaj të miratojnë një rezolutë mbi diskriminimin e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, të ftojnë kryetarët e komunave, kryesuesit, liderët politikë dhe deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, të marrin pjese dhe të kenë të drejtë të raportojnë me shifra, fakte, dëshmi, prova të pamohueshme në pikën e rendit të punës mbi diskriminimin që është në rritje. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, përfaqësues nga instanca e mekanizma më të larta të BE-së, pastaj të vizitojnë vendbanimet dhe lokalitetet shqiptare të këtyre tri komunave, të ngrisin me urgjencë një Komision për hetime të pavarura për pasivimin dhe një komision mbi shkallën e diskutimit në të gjitha fushat e jetës dhe segmentet shoqërore. Kështu roli i Bashkimit Evropian në këtë rrafsh është shumë i madh dhe i domosdoshëm. Kurse BE-ja, të vizitojnë e rrisin prezencën dhe monitorimin duke garantuar të drejtat indviduale dhe kolektive, dhe shtimin e presionit ndaj Beogradit zyrtar, të ndal diskriminimin. Serbia të detyrohet të ulet në bisedime që të gjendet zgjidhja sa më parë, pasi tani është çerek shekulli nga mbarimi i luftës së UÇPMB-ës dhe Marrëveshjes së Konçulit, kanë kaluar mbi 3 dekada nga Referendumi i 1 e 2 marsit 1992”, deklaron Hasani.

Serbia deri më tani, ka hapur 22 nga gjithsej 35 kapituj të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nga ata 22, ajo i ka mbyllur përkohësisht 2.

Negociatat mes Beogradit dhe Brukselit janë praktikisht të ngrira tash e tre vjet, për shkak të mosvendosjes së sanksioneve kundër Rusisë.

Komisioni Evropian, ndërkohë, ka përsëritur se Serbia i ka përmbushur kriteret teknike për hapjen e kapitullit të tretë, por në Këshill disa vende anëtare thonë se Serbia duhet të bëjë më shumë edhe në disa çështje politike.

Ndër vendet e BE-së, të cilat, sipas burimeve diplomatike, kanë qenë kundër ose kanë pasur rezerva, janë tri shtetet baltike, por edhe Holanda, Kroacia, Finlanda dhe Suedia.

Arsyet të cilat më së shpeshti janë përmendur për të mos ia dhënë dritën e gjelbër Serbisë tani për tani, janë dështimi i Beogradit për t’i përshtatur qëndrimet e veta me ato të BE-së në fushën e politikës së jashtme, sidomos me sanksionet ndaj Rusisë, si dhe nevoja që Serbia të bëjë më shumë në fushën e lirisë së shprehjes dhe sundimit të ligjit.

Disa vende kanë kërkuar që Serbia të bëjë më shumë edhe për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmet në Banjskë në veri të Kosovës në vjeshtën e vitit 2023.

Negociatat e Serbisë për anëtarësim në BE dhe ndryshimet e mundshme ndaj shqiptarëve

Të pyetur nga gazeta “Bota sot”, nëse është vërejtur ndonjë ndryshim ndaj shqiptarëve që nga hapja e negociatave të Serbisë me BE-në, analistët e mohojnë një gjë të tillë.

Analisti Kujtim Sadriu, thotë se një vullnet të mirë ka pasur nga Zoran Gjingjiq për zbatimin e një pjese të marrëveshjes së Konçulit, gjersa shton se pas vrasjes së tij nuk ka pasur asnjë përparim.

“ Jo. E vetmja politikë për një periudhë të shkurtër që ka pasur një vullnet të mirë ka qenë ajo e Zoran Gjingjiqit, i cili e zbatoi një pjesë të marrëveshjes së Konçulit, një pjesë ku punësoi mbi 400 policë. Decentralizoi që emërimin e drejtorëve në shkolla, shtëpi të shëndetit ta emërojë pushteti lokal. Sot prapë është centralizuar. Pas vrasjes së tij nuk ka pasur asnjë përparim, përkundrazi diskriminim sistematik, që i shërbejnë edhe vetë disa liderë që dyshohet se janë në shërbim të agjenturave”, pohon Sadriu.

Ai shton se Evropa vetë nuk është e konsoliduar dhe se është duke e ledhatuar Serbinë, gjersa përmend rast sesi luan me ndjenjat e të rinjve.

“ Siç e ceka më lart, derisa Evropa nuk merr hapa konkretë, nuk i besoj. Evropa jo për shqiptarët, por edhe kur Serbia nuk i ka vendosur embargo Rusisë derisa ka pushtuar Ukrainën, Evropa tregon fytyrën e saj ndaj Serbisë — apo thënë më mirë ledhatimin e saj ndaj Serbisë. Evropa vetë nuk është e konsoliduar siç duhet. Ja një shembull si ka luajtur me ndjenjat e të rinjve: në kuadër të marrëveshjes së Brukselit kanë hapur një zyrë të quajtur SPARK për njohjen e diplomave. Spektakël kanë bërë dhe në fund është mbyllur, sikur të mos kishte ekzistuar fare. Në këtë regjim, edhe serbët me mendim pro-evropian janë duke e paguar çmimin, e mos të flasim për pakicat! Evropa e ka lehtë — mund të marrë një masë ndëshkuese ndaj Serbisë për suspendimin e lëvizjes së lirë në BE, por kjo mbetet vetëm me fjalë. Që nga shpërbërja e SFRJ-së, SRJ-së, SCG-së e sot SRB-së — vetëm fjalë. Tri dekada e gjysmë! Zgjidhja është SHBA-ja. Vetëm SHBA-ja ka treguar historikisht vullnet për veprime konkrete në Ballkan, ndërsa BE-ja, edhe kur flet, rrallë e hiç vepron. Për të pasur një zgjidhje të problemeve mes serbëve dhe shqiptarëve, e vetmja zgjidhje është korrigjimi i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Çdo opsion tjetër, për mendimin tim, nuk do të ketë efekt”, përfundon analisti.

Njëjtë pohon edhe analisti Refik Hasani, i cili thotë se nuk ka pasur ndonjë ndryshim konkret, përkundrazi sipas tij ka pasur përkeqësim.

Ai shton se shqiptarët në Serbi jetojnë në kushte diskriminimi klasik dhe se kjo është demotivim për rininë.

“Asnjë ndryshim konkret në politikat e Serbisë ndaj shqiptarëve, jo nuk ka përkundrazi kemi, dhe vërehet një përkeqësim i situatës vazhdojmë të përballemi dhe ballafaqohemi me diskriminim në Polici-zinxhirin Komandues, mos përfaqësimin proporcional në nivelin lokal dhe qendror, mos përfaqësimin me vende-ulëse të rezervuara, në Parlament të Republikës së Serbisë, në përdorimin e Gjuhës Shqipe, të Simbolit Kombëtarë, Shëndetësi, Administratë Tatimore, ka diskriminim edhe në kulturë, në informim, në investime të zhvillimin ekonomik, diskriminimi edhe në pasivizimin e adresave-një pastrim entik i heshtur, ku rezulton se në çdo 4 shqiptarë nga totali, një është i pasivizuar apo janë 25 mijë qytetarë shqiptarë të pasivizuar, që përfshin në komunën e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Mungon liria e lëvizjes, një pasiguri në mesin e qytetarëve të kësaj krahine, dhe kemi një militarizim të lartë në këtë rajon me arsenal të lartë dhe të ndryshme të armatimeve luftarake që janë në gatishmëri, është për të krijuar panik e drojë, pasiguri, për të mbjellë frikë, e psikozë. Serbia edhe pas 24 viteve, kemi mos zbatim të Marrëveshjes së Konçulit, në mbështetje të shumicës shqiptare edhe Komandanti i Stacionit të Policisë, në Preshevë, Medvegjë, e Bujanoc, na takon dhe duhet të jetë nga pjesëtarët e komunitetit shumicë shqiptare, janë 48 minibaza në Zonën Tokësore të Sigurisë, kemi militarizim të lartë, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Shqiptarët, në Serbi jetojnë në kushte diskriminimit klasik, është demotivim për rini dhe kuadrot e shkolluara, duke ju ekspozuar frikës, urrejtjes, militarizimit, nën tendenca të vazhdueshme për shpërngulje, migrim e asimilim”, deklaron Hasani.

Në fund, ai shton se do t’i besojë një qasje më të drejt nga ana e Costas, gjersa bën apel BE-së për t’i vënë sanksione Serbisë.

“Po, pajtohem, se deklarata e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio COSTA, po dua të besoj se shënon një qasje, më të drejt, më reale dhe më objektive, në raport me shqiptarët në Rajonin me shumicë shqiptare që përfshin komunën e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, bëj apel që liderët politik të vazhdojnë në insistimin në realizimin e të drejtave individuale dhe në realizimin e të drejtave kolektive. Parlamenti I BE-së, të caktojë pika, kurse apeli për gjithë instancat e BE-ës, janë të qartë se mjaftë më me mos trajtim e mos tretman, se edhe kjo krahinë i përket Evropës, dhe Serbia duhet vetëm t’i vihen kushte, sanksione dhe se rruga e anëtarësimit për në BE, duhet ta kalon përmes Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, sepse kjo Krahinë nuk e ka të zgjidhur statusin politik, dhe kërkon zgjidhje dhe do të duhej të ngritet, shtrohet e debatohet nga BE-ja, dhe OKB-ja, është Rajoni më i pazhvilluar dhe më i diskriminuar në gjithë Evropën”, përfundon Hasani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *