Skenari që po dëmton imazhin e Kosovës, Biserko flet për prapaskenat e bllokadës në Kuvend – ja mesazhi i saj
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe dështimet e njëpasnjëshme për konstituim të Kuvendit.
Ajo në një bashkëbisedim me “Bota sot”, situatën në Kosovë e cilësoi si të brishtë, duke ndërlidhur përçarjet e brendshme dhe presionet nga Serbia dhe ndërkombëtarët.
Sipas saj, kjo bllokadë është pasqyrë e disa çështjeve të pazgjidhura, madje vlerëson se është një krizë e fabrikuar me qëllim të ushtrimit të presionit mbi Kosovën.
“Situata politike në Kosovë mbetet e brishtë dhe e shënuar nga përçarjet e brendshme dhe presioni i vazhdueshëm i jashtëm, veçanërisht nga Serbia dhe aleatët e saj. Paraliza politike në Kosovë, veçanërisht në lidhje me formimin e institucioneve në veri, është një pasqyrim i çështjeve të pazgjidhura të shtetësisë, ndërhyrjeve rajonale dhe ndërmjetësimit të gabuar ndërkombëtar. Është një bllokim politik midis aspiratave legjitime të Kosovës për sovranitet dhe refuzimit të vazhdueshëm të Serbisë për të pranuar realitetin e pavarësisë së Kosovës. Frika se një asociacion i tillë mund të minojë sovranitetin e Kosovës është e justifikuar. Mund të thuhet se është një krizë e fabrikuar, e projektuar për të ushtruar presion mbi Prishtinën dhe për të destabilizuar rendin e brishtë institucional të Kosovës”.
Biserko vlerëson se një pjesë të fajita për këtë ngërç e kanë edhe ndërkombëtarët.
Në këtë pikë, përmendi edhe presionin që këta të fundit po e ushtrojnë ndaj shtetit tonë.
“Aktorët ndërkombëtarë, veçanërisht BE-ja, mbajnë përgjegjësi për ngërçin aktual. Duke aplikuar presion asimetrik – duke kërkuar lëshime nga Kosova, ndërsa nuk arrijnë ta mbajnë Serbinë përgjegjëse për obstruksionizmin e saj – ata kanë gërryer besimin në procesin e dialogut.
Bllokada institucionale nuk është vetëm një problem lokal; është gjithashtu një provë për angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare për paqe të bazuar në drejtësi dhe për aftësinë e rajonit për të lëvizur përtej manipulimit nacionalist drejt stabilitetit të vërtetë demokratik”, theksoi ajo.
Ndër të tjera, përmendi edhe pasojat e kësaj bllokade në dëmtimin e imazhit të Kosovës.
“Vonesat në formimin e një qeverie të re dërgojnë një sinjal të brishtësisë institucionale dhe papjekurisë politike, veçanërisht tek partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. Kjo dëmton imazhin e Kosovës si një demokraci funksionale dhe dobëson besueshmërinë e saj në objektivat kryesore të politikës së jashtme”, përfundoi Sonja Biserko për “Bota sot”.
Kujtojmë se, edhe në përpjekjen e fundit, deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës dështuan në tentimin për ta konstituuar Kuvendin.
Tani, pasi është mbyllur afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë veprim apo vendim drejt konstituimit të Kuvendit deri më 8 gusht, sipas vendimit të 24 korrikut të Gjykatës Kushtetuese.