Eksperti për Ballkanin bën thirrjen: Veproni si një aleat i NATO-së, jo si një ishull i izoluar në Ballkan
Eksperti austriak për Ballkanin, Gunther Fehlinger, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, duke bërë thirrje për maturi politike dhe unitet kombëtar. Ai ka theksuar se Kosova është përballë një momenti kritik dhe se elita politike duhet të tregojë përgjegjësi historike.
“Lojërat politike të verës në Kosovë kanë kaluar çdo kufi argëtimi dhe po kthehen në një farsë të rrezikshme. Ndërkohë që Serbia ndodhet në krizë dhe Rusia është duke humbur luftën, Kosova ka aleatë të fuqishëm në Bruksel, Berlin dhe Vjenë. Por, luftërat e brendshme për pushtet po e paralizojnë shtetin. Kjo duhet të ndalet menjëherë”, deklaron Fehlinger.
Sipas tij, statusi i Kosovës mbetet ende i brishtë dhe shteti ka nevojë për institucione funksionale dhe lidership të pjekur.
ImageGunther FehlingerFoto galeri
“Me apo pa zgjedhje të reja këtë tetor, rezultati do të jetë i njëjtë: vendi ka nevojë për një qeveri të unitetit kombëtar dhe të konsensusit evropian. Një koalicion i gjerë mes VV-së, LDK-së dhe PDK-së është i domosdoshëm për stabilitetin dhe përparimin. Nëse Kurti nuk mund ta udhëheqë këtë, ai mund të kandidojë për president”, propozon analisti.
Fehlinger përmend shembuj nga Bashkimi Evropian dhe Austria, ku parti të ndryshme bashkëqeverisin mbi baza të interesit të përbashkët.
“Në Austri, koalicioni përbëhet nga PPE, PSE dhe ALDE. Në Parlamentin Evropian, të njëjtat forca bashkëpunojnë: Kristian Demokratët (PPE), Social Demokratët dhe Liberalët. Pse kjo nuk mund të ndodhë në Prishtinë? Nëse udhëheqësit aktualë nuk janë në gjendje të bashkëpunojnë, atëherë është koha të ndryshohen”, thekson ai.
Ai paralajmëron se dështimi për të ndërtuar konsensus rrezikon të humbasë mbështetjen evropiane në vitin 2025, në një kohë kur Kosova ka një dritare historike për t’u integruar në strukturat euroatlantike, falë dinamikës së krijuar nga rezistenca heroike e Ukrainës.