OPINIONTË FUNDIT

Pse Rugovën e dha Zoti dhe Thaçin e manipuloi robi!

Dy ngjarje ndodhën këto ditë në kontrast me njëra-tjetrën. E bija e Ibrahim Rugovës, Teuta, u martua me një dasëm mbretërore dhe u kurorëzua në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë e në Velani. Ndërsa në anën tjetër, Hashim Thaçi dha një intervistë nga burgu hotel i Hagës. Dasma dhe burgu janë dy nocione të kundërta me njëra-tjetrën. Dasma në rastin e Teutës, ishte lajm i mirëpritur në të gjitha mjediset qytetare të Kosovës e jashtë saj. Vajza e vetme e presidentit historik të Kosovës vuri kurorë dhe u martua me djalin e Nik Gjeloshit, Agronin! Ajo hyri në një nga familjet më atdhetare të kombit shqiptar! “Mbretëresha” shkoi në familjen “mbretërore” të Gjeloshëve.

Në anën tjetër ishte intervista e Hashim Thaçit. E vakët, pa nerv, ankuese, me lëvdata për bashkëpunëtorët e tij, si Edi Rama! Shkurt një intervistë e padenjë për një ish-president, ish-kryeministër dhe ish-lider të Kosovës. Sa shumë diferencë midis dy ish – liderëve të Kosovës së lavdishme. Rugova lindi, jetoi, ideoi dhe punoi për shtetin e Kosovës, pa menduar asnjë çast se në misionin e tij do të lëndonte qoftë dhe një shqiptar të vetëm. Ai ishte lider, që kurrë nuk mendoi për lavdinë e tij. Ndërsa Thaçi e nisi luftën, e zhvilloi atë, u bë kryetar i PDK-së, kryeministër, ministër i Jashtëm dhe në fund president i Kosovës me një aspiratë, të mbetej në histori.

Ish-presidenti Thaçi edhe kur pagoi me 500 mijë dollarë amerikanë autorët e monografisë së tij amerikanë, pati si qëllim të kapërcente rolin historik të të pazevendësueshmit, Ibrahim Rugova. Por më kot. Shkodranët thonë “Nuk asht me t’thanme, asht me t’dhanme”! Me të thanme mund të ndërtosh një botë virtuale përmes egos tënde, por nuk mund të bëhesh lider, hero, apo i madh! Endërrat mbeten gjithmonë ëndërra. Endërroi të bëhej “George Washingtoni i Kosovës”, por mbeti në rrjetën e egos së tij për madhështi!

Intervista e tij ishte me lëvdata për Donald Trump, por edhe për Richard Grennell. Ndoshta nuk e di se Grennell nuk është më prioritet i Trump. Por ajo që më bëri përshtypje lidhet me lëvadat e mëdha për Edi Ramën. E di si m’u duk pjesa e intervistës për kryeministrin e Shqipërisë? Gati identike me ato thirrjet dëshpruese të Erion Velisë në ditët e para të arrestit të tij. Ngrinte në qiell varrëmihësin e tij! I kërkonte ndihmë atij që urdhëroi arrestimin dhe dërgimin në qeli, pra Edi Ramën. Edhe Hashimi bën të njëjtën gjë.

Nuk ka nevojë të mendosh gjatë, apo të jesh shumë i zgjuar, për të kuptuar se Hashimi është në Hagë për shkak të rolit të tij për ndryshimin e kufijve në Ballkan dhe ndarjen e Kosovës. Ndërkohë edhe bufi e di se Thaçi ra në lojën e Vuçiq me kërkesën, intrigat dhe presionet e kryeministrit të Shqipërisë. Rama përdori të gjitha metodat për ta detyruar Hashim Thaçin të bëhej palë me Aleksandër Vuçiq e ata së bashku të firmosnin fundosjen e shtetit e të territorit të Kosovës. I premtoi “Çmimin Nobel për Paqe’’! I premtoi postin e presidentit pas ndarjes së Kosovës dhe bashkimit të pjesës së mbetur me Shqipërinë. E intrigoi me lavdinë që do të fitonte për aktin e madh të “Bashkimit të Kosovës së mbetur me Shqipërinë”! Ia garantoi një vend në historinë e kombit shqiptar, krahas Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. Në fund edhe e kërcënoi se “Nëse nuk pranon këtë projekt, atëherë do të përfundosh në Hagë”! Madje për këtë presion të fundit përdori eksponentë të Departamentit të Shtetit Amerikan”! Edi Rama e bindi Hashim Thaçin, se ndryshimi i kufijve “ishte kërkesë e amerikanëve” dhe korruptoi së bashku me Vuçiq një emër të madh në Amerikë, Grenellin, që ta mbështeste këtë ide!

Të gjitha këto intriga, kërkesa të Ramës dhe presione të vazhdueshme Hashim Thaçi i ka përjetuar në praktikë. Ndaj i hyri “detit për ta kaluar në këmbë”! Nuk e kishte menduar se e kundërta, mos-ndryshimi i kujfijve, ishte interesi europian dhe amerikan! Ndaj dhe iu ndalua udhëtimi për në Uashington, që pas disa javësh të përfundonte në Hagë. Megjithatë ish-presidenti i Kosovës, njësoj si edhe Erion Veliaj, pretendon ta joshë sërishmi Edi Ramën, me lëvdata dhe serenata. Edi nga ana e tij, kënaq egon e vet me prapësitë që i kthehen në lavdërime!

Sa kohë të ndodhi kjo, Hashim Thaçi edhe më i vetmuar do të ndjehet. Ndërsa Ibrahim Rugova do të gëzojë nga qielli për martesën e vajzës dhe nderimin e respektin që e ndjek në atë botë!

Pra nuk asht me t’thanme, asht me t’dhanme! Rugovën e dha Zoti, Thaçin e manipuloi robi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *