POLITIKATË FUNDIT

Oligarkët ndërtojnë, punëtorët vdesin në vendet e punës

Brenda një jave në Kosovë kanë humbur jetën gjashtë qytetarë në vendet e tyre të punës, konkretisht në sektorin e ndërtimtarisë. Vdekjet në vendin e punës në Kosovë janë një çështje serioze dhe shqetësuese, që ka ngritur alarmin për sigurinë dhe kushtet e punës në shumë sektorë, veçanërisht në ndërtimtari dhe industri të rënda. Ndërtimtaria mbetet sektori me numrin më të lartë të aksidenteve fatale në vendin e punës.

Mesatarisht, në Kosovë vdesin deri në pesë qytetarë në vit në vendin e punës, mirëpo këtë vit ky numër duket të jetë më i lartë. Disa punëtorë vazhdojnë të punojnë jashtë orarit, pa siguri në punë, pa kontrata, pa asnjë ditë pushimi dhe përballen me padrejtësi nga ana e punëdhënësve.

Ka edhe raste kur punëtorët janë lënduar rëndë në vendet e punës. Pasi kanë përfunduar në spital, u është dashur të paguajnë vetë shpenzimet, ndërsa gjatë trajtimit kanë mbetur pa të ardhura. Të njëjtin fat e kanë pasur edhe shumë kolegë të tyre. Kjo ka ndodhur për shkak se kanë punuar pa kontrata dhe punëdhënësi nuk ka dashur të marrë përgjegjësi për këtë çështje.

Në një shtet ku punëtori nuk respektohet, nuk mbrohet dhe, rrjedhimisht, abuzohet me djersën e tij, nuk mund të ketë të ardhme të ndritur.

Qeveria aktuale dhe ajo e ardhshme duhet ta kenë parasysh si prioritet kryesor respektimin e të drejtave të punëtorëve. E kundërta ka sjellë ikje masive të të rinjve nga vendi. Prandaj, duhet kthyer sytë kah punëtorët dhe të drejtat e tyre. Vetëm kështu mund të shmanget edhe humbja tragjike e jetëve në vendin e punës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *