Zyrtari serb provokon në tokën shqiptare/ Tali: “Ligji kundër urrejtjes vlen për të gjithë – edhe për Popoviqin”
Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, ka shkaktuar reagime të ashpra në Kosovë pas një deklarate provokuese gjatë një vizite zyrtare në fshatin Hoqë e Madhe, në territorin e Republikës së Kosovës.
Gjatë një fjalimi të mbajtur të premten, Popoviq ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si një “organizatë terroriste” – një deklaratë që ka ngjallur zemërim të madh si në opinionin publik, ashtu edhe në radhët e përfaqësuesve politikë e institucionalë të Kosovës.
“Në PKK Bërnjak është arrestuar i dyshuari shtetas i Serbisë për shkak se i njëjti dyshohet se gjatë një fjalimi në fshatin Hoqë e Madhe ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare. Me këto veprime i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale të lartcekur”, ka njoftuar policia.
Policia e Kosovës ka njoftuar se Popoviq është dërguar në mbajtje prej 48-orësh dhe i njëjti dyshohet për veprën “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.
Analisti politik, Driton Tali në një prononcim për “Bota sot”, potencon se Popoviç ka tejkaluar shpeshherë kufijtë e komunikimit institucional, veçanërisht kur i drejtohet opinionit publik nga Serbia, duke përdorur vokabular të ashpër e provokues, që, sipas tij, tejkalon edhe atë të shefit të tij, Petar Petkoviç.
“Z.Igor Popoviç, për neve që e përcjellim skenën politike, identifikohet si një njeri goxha me ngarkesa raciste. Sa herë që i është drejtuar opnioninit vokabulari i tij ishte edhe më agresivë se sa i shefit tij, Petar Petkoviç.
Dhe krejt “në rregull” kur i drejtohet opinionit nga Serbia, qoftë medieve të Serbisë qoftë atyre të Kosovës apo kujtdo, sepse edhe pozita, ndihmës i drejtorit të Zyrës për Kosovën, mbase ja “imponon” atë vokabular.
Mirëpo, ashtu nuk mund të sillet në Republikën e Kosovës sepse atë ia ndalon “Ligji për nxitje të përçarjes dhe urrejtjes” që është në fuqi”, thotë Tali.
Tali kujton se edhe qytetarë shqiptarë, që kanë tejkaluar kufijtë ligjorë përmes deklarimeve me ngarkesa fetare apo etnike, janë penalizuar nga drejtësia kosovare.
E njëjta qasje, sipas tij, duhet të aplikohet edhe për Popoviçin, pavarësisht se është zyrtar shtetëror nga një vend tjetër.
“Siç e dijmë ka edhe shqiptarë, të cilët publikisht kanë shkelur këtë ligj, qoftë për ngarkesa fetare qoftë për ngarkesa kombëtare (etnike) janë penalizuar, andaj edhe mysafiri Popoviç është trajtuar ngjashëm, pa marrë parasysh që ne kosovarët kur të na vije dikush mysafir në shtëpinë tonë e trajtojmë si “të shenjtë”.
Edhe ashtu, vizita zyrtare, me leje të shtetit të Kosovës, për z. Popoviç, ka patur edhe përpara siç ishte vizita e familjeve serbe që jetojnë pranë lumit Ibër, të cilat i patën dëmtuar reshjet atmosferike. Vizitë të cilën e pati bërë konform rregullave.
Andaj, edhe shkuarja në Rahovec (me leje) do të duhej të bëhej konform rregullave të nikoqirit. E pastaj, kur të ishte kthyer në Serbi, ka mundur ta vazhdoj në stilin e tij racist, t’i tregoj opinionit se sa “serb i madh” është dhe të mbaj liturgji për “terroristët e UÇK’ës”, por jo në Kosovë! Për faktin se ligjet në fuqi nuk e lejojnë një gjë të tillë.
Pra duhet të mësohen zotrinjtë nga Serbia që t’i respektojnë ligjet e Kosovës se për ndryshe dënohen.
E di që e kanë shumë vështirë me pranu këtë realitet por ja që Kosova është shtet dhe ligjet në këtë shtet duhet të vlejnë për të gjithë njësoj”, përfundon ai për “Bota sot”.