POLITIKATË FUNDIT

“Me shumë habi, se sa shqetësim”, flet deputeti shqiptar në Zvicër, tregon si e shohin krizën politike në Kosovë

Kriza politike në Kosovë ka zgjuar interesim edhe nëpër vendet e tjera të Evropës e deri në Amerikë. Nga këto vende po bëhet thirrje që Kosova të zgjidhë sa më parë ҫështjet e saj politike.

Nga BE e SHBA e vendet tjera mike vjen përkrahja për të dalë nga kjo situatë, por që ende Kosova nuk ka arritur ta zgjidh situatën e saj,

Por se si e sheh Zvicra situatën në Kosovë, në një prononcim për ‘Bota sot’ ka folur deputeti shqiptar atje, Korab Rashiti.

Ai thotë se, në qarqet politike në Zvicër, situata e krijuar në Kosovë shkakton më shumë habi sesa shqetësim, për të mos thënë se shoqërohet shpesh me buzëqeshje ironike e njëfarë dëshpërimi.

“Kjo për faktin se struktura politike zvicerane bazohet tërësisht në konsensus dhe bashkëqeverisje: të gjitha partitë kryesore janë pjesë e ekzekutivit dhe marrin përgjegjësi të përbashkëta, sipas një formule të përcaktuar proporcionalisht. Imagjinoni një qeveri kosovare ku Lëvizja Vetëvendosje ka 7 ministra, PDK 4, LDK 3 dhe AAK 1 – me një rotacion vjetor të pozitës së kryeministrit. Kjo është mënyra se si funksionon Zvicra, dhe nga kjo perspektivë, kriza aktuale politike në Kosovë perceptohet si një lojë force e papjekur që nuk i shkon për shtat një vendi me vetëm 1.7 milionë banorë – një popullatë që korrespondon me kantonin e Cyrihut”, vlerëson ai.

Ai thotë më tutje se, Zvicra nuk mund ta ndihmoj Kosovën në zgjidhjen e kësaj situate dhe nuk mund të ndërhyjë.

“Në këtë kontekst, nuk mendoj se Zvicra mund të ndihmojë realisht në zgjidhjen e kësaj situate, ashtu siç dyshoj që ndonjë shtet tjetër mund ose dëshiron të ndërhyjë. Bëhet fjalë për një krizë që kërkon vetëdije të brendshme institucionale dhe kultivim të një kulture demokratike më të thellë, gjë që nuk mund të importohet nga jashtë. Ajo që vërtet shqetëson Zvicrën dhe perceptohet si shumë serioze është aspekti i shtetit të së drejtës. Situata ku ish-ministra mbeten në funksion pavarësisht dorëheqjes së qeverisë – një praktikë që bie ndesh me frymën dhe ndoshta edhe shkronjën e kushtetutës – dëmton rëndë imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Kjo papërgjegjshmëri institucionale është ajo që bie më shumë në sy në Zvicër: jo kriza politike në vetvete, por dobësia e institucioneve për të respektuar dhe zbatuar rregullat e lojës demokratike”, thotë Rashiti.

Sipas tij, fakti që Konfederata zvicerane nuk kishte asgjë për të komunikuar në lidhje me ndonjë marrëveshje konkrete bashkëpunimi ekonomik – si për shembull investime të mëdha nga ndërmarrjet zvicerane në Kosovë – tregon qartë boshllëkun e kësaj vizite në aspektin substancial.

“Ceremonitë dhe takimet protokollare u organizuan në një masë të madhe për të kënaqur diasporën shqiptare në Zvicër, e cila përbën një komunitet të rëndësishëm prej rreth 400 mijë qytetarësh me prejardhje shqiptare. Kjo është një strategji e njohur në diplomacinë zvicerane: kur mungon përmbajtja konkrete, ofrohet forma simbolike për të ruajtur raportet sociale dhe për të ushqyer ndjesinë e përfshirjes. Megjithatë, për Kosovën, ky është një sinjal që nuk duhet neglizhuar – sepse vizitat shtetërore pa përmbajtje të qartë ekonomike apo institucionale nuk ndihmojnë në forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit dhe nuk sjellin zhvillim të qëndrueshëm”, thotë Rashiti për ‘Bota sot’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *