Arrestimi i togerit të policisë për spiunazh/ Eksperti i sigurisë ngre alarm: Është rrezik për…
Togeri i policisë Bojan Jevtiq është arrestuar të enjten nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “spiunazh”.
Jevtiq është ndaluar për 48 orë, ndërsa gjatë bastisjes në shtëpinë e tij në një fshat të Kamenicës janë sekuestruar prova materiale siç janë: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtë, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë dinarë serbë, 600 franga zvicerane dhe prova tjera.
Zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Arbër Beka, ka deklaruar se arrestimi i policit të dyshuar për spiunazh nuk nënkupton përfundimin e procedurës hetimore.
Beka tha se hetimet janë në vazhdim dhe se rasti është në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale.
“Shpeshherë, ky mund të jetë vetëm fillimi i një procedure hetimore formale, të themi ashtu. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorinë Speciale duke iu referuar operacionit të djeshëm, mirëpo gjithsesi procedura hetimore në këtë rast do të vazhdojë”, tha Beka.
Ai shtoi se rasti kërkon ekzaminim të detajuar të dokumentacioneve dhe materialeve të tjera të sekuestruara gjatë operacionit.
“Sipas të gjitha gjasave, do të ketë zhvillime të tjera, pasi ka shumë dokumentacione, si dhe materiale të tjera, të cilat do të ekzaminohen në detaje sa i përket operacionit të djeshëm, respektivisht arrestimit të togerit policor me dyshime për veprën penale të spiunazhit”, përfundoi Beka.
Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se arrestimi i tij përbën një rrezik të brendshëm.
Sipas tij, janë gjetur prova serioze që dyshimet janë të arsyeshme.
“Arrestimi i togerit për spiunazh është një rrezik i brendshëm por dhe një mungesë kontrollit të brendshëm profesional dhe inteligjent. Arrestimi i togerit të policisë Bojan Jevtić në pikën kufitare “Dheu i Bardhë” nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të “spiunazhit” shënon një tjetër ngjarje alarmante në kuadër të rritjes së rasteve të përfshirjes së zyrtarëve të institucioneve në veprimtari kundër interesit të sigurisë kombëtare. Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit në një fshat të Kamenicës janë sekuestruar prova materiale siç janë: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona smart, usb, një armë e shkurtër, municion, para të kesh në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë dinarë serbë, 600 franga zvicerane dhe prova tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore”,. Përmes saj është bërë e ditur se Inspektorati ka rekomanduar pezullimin e togerit policor, i cili ka qenë i angazhuar në pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikëkalimin kufitar “Dheu i Bardhë”. Prova serioze qe dyshimet janë të arsyshme”, deklaron Softa.
Sipas tij, rritja e rasteve të spiunazhit është një tregues se kontrollet e brendshme nuk janë të mjaftueshme.
“Ky rast vjen në vazhdën e një serie hetimesh dhe arrestimesh të ngjashme gjatë muajve të fundit në Kosovë dhe më gjerë në rajon, që sinjalizojnë për rritjen e tentativave të infiltrimit në institucionet shtetërore – veçanërisht ato të sigurisë. Nëse akuzat vërtetohen, kemi të bëjmë me një cenim të rëndë të besueshmërisë së strukturave të sigurisë, përfshirë policinë. Nuk është hera e parë që zyrtarë me qasje në informacione të ndjeshme kapen në akte të spiunazhit. Rritja e rasteve të spiunazhit është një tregues i qartë se kontrollet e brendshme nuk janë të mjaftueshme. Sot, çdo individ që ka akses në informacione të klasifikuara duhet të kalojë përmes një procesi të vazhdueshëm të vlerësimit të sigurisë “Vetting”, jo vetëm gjatë rekrutimit dhe marrjes në punë, por edhe gjatë kohës që shërben”, thekson eksperti.
Ai tregon se çfarë duhet bërë që të shmangen raste të tilla.
“Duhet të forcohen procedurat e verifikimit të figurës dhe të integritetit, ambienti nga vjen dhe jeton. Duhet të aplikohen kontrolle periodike të sjelljes, kontakteve brenda dhe jashtë territorit të Kosovës, lëvizjeve jashtë territorit dhe pasurisë; Të përforcohen protokollet e brendshme të vëzhgimit dhe raportimit të dyshimeve. Një nga sfidat kryesore në trajtimin e rasteve të tilla është balanca delikate mes informimit të publikut dhe mbrojtjes së hetimit dhe sigurisë operative. Transparenca për qytetarët që kanë të drejtë të informohen për veprime të rënda që prekin sigurinë publike, për ekzistencën e hetimeve, është detyrim, sigurisht pa ekspozuar informacione që dëmtojnë hetimet për përmbajtjen e informacioneve të klasifikuara. Komunikimi me median është nevojë për të shmangur dezinformimin apo ndërhyrjen në hetime; Përfshirja e institucioneve të pavarura, si Kuvendi apo Komisioni për Sigurinë, për të ruajtur kontrollin demokratik pa kompromentuar operacionet”, shton Softa.
Është domosdoshmëri që të forcohet integriteti i punonjësve të sigurisë, thotë Softa, gjersa shton se këto ngjarje nuk duhet të trajtohen me heshtje.
“Rasti i togerit Bojan Jevtić nuk është vetëm një çështje penale. Ai është një pasqyrë e ekzistencës së rrezikut të brendshëm, që sfidon të gjithë sistemin e sigurisë. Këto ngjarje nuk duhet të trajtohen me heshtje apo formalitet, por me reforma reale, transparencë institucionale dhe ndërgjegjësim të strukturave për ruajtjen e besimit të publikut. Po jetojmë në një botë ku kërcënimet nuk vijnë vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda. Prandaj, është domosdoshmëri forcimi i integritetit të punonjësve të sigurisë – është po aq i rëndësishëm sa edhe mbrojtja e kufijve fizikë shtetërorë”, përfundon eksperti.