‘Mund të votohet të hënën…’: Limaj e pi pasdite kafen me Kurtin, para seancës së 50-të
Kanë mbetur edhe një javë deri në përfundimin e afatit të vendosur nga GJykata Kushtetuese, e cila përmes një Aktgjykimi ka obliguar deputetët që ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës brenda 30 ditësh, pra deri më 26 korrik. Ndërkohë, disa lëvizje përpara kësaj date veç se janë paralajmëruar.
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, që ka gjithsej tre deputetë në Kuvendin e Kosovës, ka paralajmëruar se do të pijë kafe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, gjatë kësaj jave.
“Besoj gjatë javës pimë kafe me Kurtin. Kur ta caktojmë. Duhet me bisedu me dalë prej kësaj situate. Gjëja më e zakonshme është bërë e jashtëzakonshme. Do të bisedoj me kryeministirn, me pa mundësitë se çka varet nga ne, dhe si mund të tejkalohet kjo krizë. E rëndësishme është që me bërë më të mirën për vendin. Jemi të hapur për bashkëpunim” – ka thënë Limaj.
Më pas, deputeti i Kuvendit të Kosovës do të zhvillonte një takim me presidenten Vjosa Osmani, “në kuadër të konsultimeve për konstituimin e Kuvendit”.
“Në kuadër të konsultimeve me subjektet politike parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, priti sot në takim kryetarin e Nismës Socialdemokrate, z. Fatmir Limaj.
Ky takim vjen në prag të përfundimit të afatit kushtetues të përcaktuar me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, i cili obligon deputetët që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve, konkretisht deri më 26 korrik” – u tha në një njoftim nga presidenca.
Në anën tjetër, deputetja e Nisëms, Xhevahire Izmaku citohet të ketë konfirmuar se kafja mes Limajt e Kurtit do të pihet pasditen e së shtunës. Po këtë ditë, parashihet të vazhdojë për herë të 49-të seanca konstituive, që me shumë gjasë, do të dështoj sërish.
Ajo i ka thënë Radio Evropës së Lirë se nëse propozohet emri i Limajt për kryeparlamentar, mund të konstituohet Kuvendi të hënën.
“Ne qëndrojmë me kërkesën tonë – që mendojmë se është e arsyeshme – për pozitën e kryetarit të Kuvendit. Votat i kemi. Nëse propozohet emri i Fatmir Limajt, atëherë të hënën mund të konstituohet Kuvendi”.
“Por, nuk mund të them se si do të jetë vendimmarrja. Situata është e paparashikueshme” – ka thënë ajo.
Megjithatë, edhe nëse arrihet ndonjë marrëveshje, Lëvizja Vetëvendosje merr vetëm 60 vota me tri të Nismës.
Për këtë, foli ish-shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.
“Sipas matematikës së thjeshtë jo, duhet edhe një numër tjetër. Ndërsa me tri vota të Nismës janë 60. Do të duhet të pyeten deputetët që deklarojnë se nëse janë 60 vota, do të jenë i t 61-ti. Nëse jemi në këtë logjikë, 61 mund të arrihen” – ka thënë ajo.
Në anën tjetër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, nëse gjatë fundjavës nuk formohen institucionet e reja dhe nuk ka marrëveshje që çon në formimin e tyre.
Ajo tha se janë duke përgatitur lëndën, e cila në fillim të javës tjetër mund të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Nëse mund të vazhdohet kështu, për çka është vendosë ai afat, pse është i detyrueshëm dhe Kushtetues. Jemi duke përgatitur lëndën për Kushtetuese, nëse edhe këtë vikend nuk ka institucione apo marrëveshje, në fillim të javës do t’i drejtohemi Gjykatës” – ka thënë Osmani.