POLITIKATË FUNDIT

Analisti paralajmëron: Koalicioni LVV–Nisma është afër – këto janë arsyet që po e shtyjnë marrëveshjen

Kosova ndodhet përballë një krize institucionale të thellë, pas dështimit të disa përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Mungesa e marrëveshjes mes partive politike për krijimin e shumicës dhe ndarjen e posteve kyçe ka sjellë bllokim në procesin e formimit të institucioneve, duke nxitur reagime të forta nga partnerët ndërkombëtarë.

Në këtë kontekst, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka rikujtuar se, sipas interpretimit të dhënë më herët nga Gjykata Kushtetuese, ekziston një afat 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, i cili tashmë po afrohet me shpejtësi.

Paralajmërimi i SHBA-së vjen si një sinjal i qartë për spektrin politik në vend, duke theksuar nevojën për veprim të shpejtë dhe të përgjegjshëm.

E në lidhje me këtë çështje në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Faton Mehmeti.

Analisti thotë se pas vizitës së zotit Hanrehan, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë kanë rritur presionin mbi partitë politike në Kosovë për të formuar sa më shpejt institucionet e reja.

“Pas vizitës së zotit Hanrehan është shtuar presioni amerikan mbi partitë politike për të formuar institucionet. Pas asaj vizite është rikthyer vëmendja amerikane ndaj Kosovës dhe problemeve të saj, dhe natyrisht reagimi i ambasadës amerikane ishte sinjal i fortë. Në këtë kuptim, shoh se edhe Britania dhe Gjermania kanë shtuar presionin përmes thirrjeve të tyre”, u shpreh ai.

Më tej, analisti parashikon që presioni i shtuar amerikan do të çojë në koalicionin VV-Nisma, formimin e institucioneve përpara 26 korrikut, dhe ndryshimin e qëndrimit të opozitës për të lehtësuar krijimin e qeverisë së re në Kosovë.

“Ky presion pritet të rezultojë me koalicionin VV-Nisma dhe krijimin e institucioneve, pasi zoti Kurti ka dhënë paralajmërim të fortë se para 26 korrikut duhet të konsolidohen institucionet e vendit. Pres që edhe opozita të ndryshojë qendrim pas presionit amerikan, dhe javën tjetër Kosova me shumë gjasë do të ketë kryetar të ri të Kuvendit dhe do të ndërmarrë hapa të tjerë për krijimin e qeverisë së re”, përfundoi analisti Mehmeti për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *