Sveçla zbulon prapaskenat: Si u ndalua Popoviqi pas fjalimit në Rahovec
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar ashpër pas deklaratave të ndihmësdrejtorit të të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Serbi, Igor Popoviq, i cili sot ka mbajtur një fjalim në qytetin e Rahovecit.
Sveçla përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se pas deklarimeve të tij, Popoviq është ndaluar në pikën kufitare të Bërnjakut dhe është shoqëruar në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut.
Sveçla ka shkruar se “Republika e Kosovës është shtet demokratik dhe sovran”, dhe se “nuk do të lejojë kurrsesi fyerjen apo përdhosjen e historisë sonë, e aq më pak të Luftës Çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja”.
Postimi i plotë:
Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Serbi, ka mbajtur sot një fjalim në Rahovec. Deklarimet e tij gjatë fjalimit kanë nxitur urrejtje e përçarje ndëretnike në vendin tonë. Ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si organizatë terroriste, duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda në historinë botërore.
Për këtë shkak, zyrtari i Qeverisë së Serbisë është ndaluar në pikën kufitare të Bërnjakut dhe më pas është dërguar në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut. Ndaj tij pritet të merren masa sipas ligjeve në fuqi në vendin tonë.
Dua të theksoj se Republika e Kosovës është shtet demokratik dhe sovran. Ne as nuk kemi cenuar një shtet tjetër, as nuk kemi provokuar popullatën e një shteti tjetër dhe as nuk do të lejojmë veprime të tilla ndaj nesh.
Nuk do te tolerojmë fyerje dhe përdhosje të historisë sonë, e aq më pak të Luftës sonë Çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja. Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare.
Deklarimet e modelit millosheviqian, që administrata politike e Serbisë të drejtuar nga Vuçiq i mban ende gjallë dhe i shpërndan kudo, janë të dënueshme sepse janë përçarëse, të pavërteta sepse janë të trilluara, dhe të dëmshme sepse janë në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare të fqinjësisë dhe shoqërive përparimtare.