OPINIONTË FUNDIT

Këtë fundjavë pritet të zgjidhet ngërçi politik: Ose arrihet marrëveshja mes VV-së dhe Nismës, ose vendi shkon në zgjedhje të reja

Pas pesë muajsh heshtjeje, bashkësia ndërkombëtare u “zgjua” nga letargjia. Pas vizitës së të dërguarit të SHBA-së në Kosovë dhe thirrjes për krijimin e institucioneve të reja, edhe Britania dhe Gjermania u rreshtuan në korin e thirrjeve. Kjo ka ndikuar që të rritet besimi se institucionet e reja mund të formohen së shpejti, sidomos duke pasur parasysh edhe takimin e paralajmëruar mes Kurtit dhe Limajt.

Ky i fundit duket se është i gatshëm të bëjë gjithçka për të qenë pjesë e koalicionit, pasi çdo rezultat tjetër do të ishte fatal për z. Limaj. Ndërkohë, Kurti ndodhet në një pozitë më të favorshme, duke qenë se edhe shkuarja në zgjedhje i leverdis.

Në këtë logjikë, të gjithë janë të interesuar për arritjen e një koalicioni mes VV-së dhe Nismës – madje edhe vetë opozita “lutet” që kjo marrëveshje të ndodhë. E frikësuar nga zgjedhjet e reja, opozita po bën gjithçka për të inkurajuar Kurtin dhe Limajn që të arrijnë marrëveshjen, çka do të mundësonte konsolidimin e institucioneve të vendit.

Pritet që këtë fundjavë të zhvillohet takimi Kurti–Limaj, si një mundësi e fundit. Nga ky takim do të dalë ose një marrëveshje për bashkëqeverisje, ose një vendim për t’u kthyer në zgjedhje. Tek opsioni i parë mbështetet presioni ndërkombëtar dhe shpresa e opozitës; tek i dyti, më tepër dëshira e vetë z. Kurti.

Në këtë kuptim, shumëçka varet nga Albin Kurti – se çfarë trajektore do të marrë vendi. Ideale do të ishte një koalicion me njërën nga forcat e mëdha politike të vendit, në mënyrë që Kosova të mos shkojë sërish në zgjedhje, veçanërisht në kohën kur duhet të zgjidhet edhe presidenti i vendit.

Asgjë nuk është e sigurt, përveç faktit se kjo fundjavë do t’i japë vendit drejtimin: ose zgjidhjen e ngërçit politik, ose shkuarjen drejt zgjedhjeve të reja. Situata nuk mund të vazhdojë kështu – presioni ndërkombëtar tashmë po jep efektet e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *