OPINIONTË FUNDIT

Sabotim kushtetues? Juristi nga Belgjika me deklaratë të fortë: PLAN-i po mban peng Kuvendin

48 herë me radhë, deputetët dështuan në përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Këto seanca nuk po sjellin ndonjë ndryshim në ngërçin politik që po zgjat tash e tre muaj.

Partitë deri më tash në opozitë – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – refuzuan të propozojnë anëtarët për komisionin që duhet të organizojë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Ata e konsiderojnë këtë procedurë si të papajtueshme me Kushtetutën dhe e kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, insiston se votimi i fshehtë është në përputhje me ligjin dhe kërkon që procesi të mos bllokohet më tej.

E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

Fillimisht, ai tha se ka mungesë të vullnetit nga ana e deputetëve për të konstituar Kuvendin dhe për të përmbushur këtë obligim formal dhe kushtetues.

ImageSkënder MusliuFoto galeri
Në këtë rast, ai fajësoi partitë që kanë qenë në opozitë, që sipas tij po keqpërdorin me votën e sovranit.

“Edhe pse kaluan mbi tre muaj nga mbajtja e senacës së parë të Kuvendit të Kosovës për konstituimin e legjislaturës së IX-të, fatkeqësisht, ende nuk paraqiten shenjat dhe vullneti i arsyeshëm nga deputetët « në detyrë » për t’a kryer këtë obligim formal dhe kushtetues. Pas tentativës së 48-të, deputetët e çertifikuar nga KQZ-ja dhe pas dhënjes së betimit, por si deputet ende jo të funksionalizuar, nga bajraktarizmi dhe egoja primitive politike, qëllimisht zvarritin konstituimin e Kuvendit duke i bllokuar seancat.

Me bllokimin e konstituimit të Kuvendit, PLAN-i, (PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma) si zakonisht, për t’i arritur qëllimet e veta, keqpërdorin dhe manipulojnë me votën e sovranit, i cili i « shpërndau » votat për t’i konstituar dhe funksionalizuar institucionet, respektivisht Kuvendin dhe Qeverinë, përmes një koalicioni të qëndrueshëm. Mirëpo ish opozita, në vend që të bashkëpunojë, ajo padrejtësisht dhe në kundërshtim me Kushtetutën e kushtëzon partinë fituese, LVV-në, jo për të bashkëqeverisur, por me bllokimin e këtij proçesi, duke koalicionuar me Listën serbe, të vjen në pushtet, për t’i vazhduar punët e pista dhe antikombëtare, aty ku e lanë më parë”, nënviozi juristi nga Belgjika.

Po ashtu, Musliu përmendi edhe ofertat që Kurti i bëri Abdixhikut për koalicion dhe formim të qeverisë, e që kjo gjë u refuzua nga LDK.

“Me qëllim të daljes nga ky ngërç, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në dy raste, publikisht, i ofroi dhe propozoi LDK-së t’a konstituojnë bashkarisht Kuvendin dhe pastaj t’a formojnë Qeverinë, duke bashkëqeverisur në mandatin e ardhshën katërvjeçar, mirëpo Abdilxhiku kategorikisht dhe me cinizëm refuzoi, që domosdoshmërisht e çoi vendin në këtë krizë institucionale. Fatkeqësisht, PLAN-i që për dy dekada sundoi duke i shkatërruar institucionet e Kosovës, dobësoi subjektivitetin dhe cungoi sovranitetin e shtetit, tani prap, është bërë bashkë dhe bllokon formimin e institucioneve më vitale dhe më kritike të Kosovës, pa të cilat nuk mund të funksionojë shteti”.

“Dy shkeljet e Kushtetutës nga ana e PLAN-it”

Në vazhdim, ai komentoi edhe vendimin e Kushtetueses për konsituimin e Kuvendit, derisa tha se LVV po zbaton atë, derisa partitë e PLAN-it jo.

Për këtë ai përmendi dy raste, kur partitë e fundit kanë bërë shkelje të Kushtetueses.

“Ish opozita, me bllokimin e punës së konstituimit të Kuvendit, është në shkelje, jo vetëm të Kushtetutës, por edhe të dy Aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të cilat imparativisht obligojnë deputetët e çertifikuar dhe të betuar, të jenë prezent, votojnë, për, kundër ose abstenojnë, dhe të marrin pjesë aktive në konstituimin dhe funksionalizimin e Kuvendit, brenda 30 ditëve.

Pyetja që me të drejtë shtrohet, është se, a po e zbatojnë të gjithë deputetët këtë Aktgjykim!? Mendoj se, LVV-ja po, kurse PLAN-i jo. Kjo nga fakti se, ish opozita, jo vetëm që nuk merr pjesë aktive në konstituimin e Kuvendit, por ajo në mënyrë abuzive dhe të kundërligjshme, duke shprehur inatet dhe mllefin patologjik politik, por edhe personal, me përçmim dhe mënyrë pasive, bllokon këtë proçes, që dëmton rëndë interesat e shtetit dhe qytetarëve.

Do të përmendi vetëm dy shkelje të Kushtetutës dhe dy Aktgjykimeve, nga ana e PLAN-it:

– sa i përket pjesëmarrjes së deputetëve të PLAN-it në seancat e Kuvendit, duke abuzuar dhe banalizuar me rëndësinë dhe përgjegjësinë kushtetuese, ata nuk janë të rregullt, pothuajse vazhdimisht mungojnë afro 20% e tyre, edhe pse Aktgjykimet në fjalë i obligojnë për prezencë në seanca ;

– deputetët e PLAN-it, ata që janë prezent, nuk votojnë as për, as kundër dhe as nuk abstenojnë, që është edhe shkaku kryesor i kësaj bllokade, kurse Kushtetuta dhe Aktgjykimet, i obligojnë deputetët të votojnë sipas vullnetit, e jo të jenë pasiv, sepse sikur të votonin për ose kundër, do të tejkalohej kjo bllokadë dhe seanca do t’a merrte rrjedhën e duhur”, shpjegoi ai.

Po ashtu, në vazhdën e kritikave për partitë e ish-opozitës, juristi nga Belgjika potencoi edhe dy mundësi që ndihmojnë në daljen nga kjo krizë artificiale.

“Deputetët e PLAN-it shkojnë në seancat konstitutive, nënshkruhen në regjistrin për t’a konfirmuar prezencën, nuk votjnë, sillen si spektator pasiv, mirëpo i marrin pagat dhe mëditjet që nuk i meritojnë, në vend se të ndëshkohen për bllokadën e qëllimshme. Madje me moskonstituimin e Kuvendit, « deputetët në detyrë » nuk janë as operacional as funksional, rrjedhimisht ata ende nuk e ushtrojnë mandatin e deputetit, prandaj vihen në pyetje pagat dhe meditjet e tyre bashkë me stafin.

Për daljen nga kjo krizë artificiale, janë dy mundësi:

– së pari, është arritja e një marrëveshje politike mes partive. Mirëpo duke marrë parasysh faktin se ky opsion tani më është konsumuar, sepse disa tentativa dështuan, si dhe armiqësitë e krijuara ndër vite mes liderëve dhe partive politike, është e pamundur një marrëveshje e tillë, prandaj si shpresë ngelë vetëm mundësia e dytë; respektivisht

-së dyti, çështja e kësaj bllokade, domosdoshmërisht duhet të adresohet edhe një herë pranë Gjykatës Kushtetuese, me pyetje konkrete dhe të qarta duke kërkuar rrugëdalje dhe zgjidhje të qëndrueshme, që do të bëhej normë kushtetuese edhe për të ardhmen”.

“Bllokada e konstituimit të Kuvendit të Kosovës ka një kosto shumë të lartë për shtetin”

Më tej, ai kishte rezervat e tij në lidhje me vendimin e Kushtetueses për bllokadën në Kuvend, pasi vlerëson se nuk ka treguar se çka ndodhë nëse nuk respektohet afati 30 ditor.

Madje, vlerëson se aktgjykimi në fjalë vetëm po e komplikon më shumë ngërçin, jo që po ofron ndonjë zgjidhje konkrete.

“Edhe pse kishte një adresim në Gjkatën Kushtetuese, ajo me Aktgjykimin e saj, nuk arriti t’a zgjidh ngërçin institucional me karakter politik. Ajo kishte dhënë afat prej 30 ditëve për konstituimin e Kuvendit, mirëpo nuk ka treguar, se çka nëse kjo nuk arrihet në këtë afat! Konsideroj se ky Aktgjykim, jo vetëm që nuk e zgjidhi këtë problem, por përkundrazi e komplikoi edhe më shumë, duke vazhduar agoninë institucionale.

Edhe kandidatja për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, me qëllim të daljes nga kjo krizë, ofroi një zgjidhje, duke propozuar se, nëse nuk i merr së paku 61 vota përmes votimit të fshehtë, do t’a tërheq kandidaturën. Mirëpo PLAN-i po vazhdon me kryeneqësinë, duke hudhur poshtë çdo propozim që shpie drejt daljes nga ngërçi politik.

Kritikat e ish opozitës dhe shumë televizioneve, mediave dhe gazetarëve të paguar nga nëntoka, mafia politike dhe qendra të ndryshme anti-Kosovë, kundër LVV-së dhe Albin Kurtit, nuk qëndrojnë mbase bëhet fjalë për një propagandë të orkestruar kundër interesave të Kosovës, për t’a rikthyer në pushtet aksin e së keqes, respektivisht PLAN-in”, shtjelloi më tej Musliu.

Në fund, juristi nga Belgjika kritikoi disa deputetët në lidhje me deklaratat e tyre, ku tha se fajtori për këtë situata ka ‘emër’ dhe është PLAN-i.

Madje, ai ritheksoi faktin se bllokada e Kuvendit ka kosto të lartë për shtetin dhe dëmton shumë interesat e shtetit.

“Është për të vajtuar dhe e turpshme, kur pas seancave të dështura, në holin e Kuvendit, ndëgjon demagogji të kulluar nga deputet të inkriminuar, të dështuar dhe jo kredibil, duke i « arsyetuar » shkeljet e papërgjegjshme të Kushtetutës, sikurse Hykmete Bajrami nga LDK-ja, e cila ka qenë subjekt i hetimeve dhe është marrë në pyetje nga Task Forca, që me ardhjen e Avdulla Hotit në kundërshtim me Kushtetutën, në postin e kryeministrit, e pushoi Task Forcën sepse edhe vet ai ishte pjesë e hetimeve dhe i marrë në pyejtje, ose nga PDK-ja, Blerta Deliu, e cila ka probleme me tabelën e shumzimit mirëpo ka pasuri milionëshe, apo Vlora Çitaku, sekretare e përgjithshme e PDK-së, e cila kur ishte ambasadore e Kosovës në SHBA, në mënyrë aktive, me paratë e taksapaguesve të Kosovës, në qarqet më të larta të diplomacisë, ka lobuar për ndarjen e Kosovës, duke qenë në një linjë me kërkesat e Aleksandar Vuçiqit.

Bllokada e konstituimit të Kuvendit të Kosovës ka një kosto shumë të lartë për shtetin, që dëmton rëndë interesat e qytetarëve. Nga legjislatura e kaluar PLAN-i qëllimisht bllokoi miratimin e disa Marrëvesheve ndërkombëtare që Kosovës i sillnin përfitime prej 450 million euro. Pa konstituimin e Kuvendit, Kosova nuk mund të përfitojë nga fondet europiane për zhvillim rreth 850 million euro, edhe pse Kosova ishte ndër vendet e para në rajon që kishte dorëzuar projektet e kërkuara nga BE-ja.

Duke u nisur nga ajo që ceka më lartë, vërtet na rezulton se, fajtori ka emër, PLAN-i”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *