Tali: Keqpërdorimi politik i rastit Zejnullahu do të kthehet bumerang
Agon Zejnullahu, 27 vjeç nga Lipjani, ka ndërruar jetë në orët e para të së hënës, më 7 korrik.
Inspektorati Policor ka arrestuar pesë zyrtarë policorë, të dyshuar për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të gjithë të dyshuarit.
Ish-këshilltari politik, Driton Tali, ka reaguar lidhur me rastin tragjik të vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, ku dyshohet për përfshirje edhe të Policisë së Kosovës.
Madje, sot është mbaajtur edhe një protestë në qytetin e Lipjanit për të kërkuar drejtësi.
Përmes një deklarate, Tali tha se është kursyer nga komentet publike për shkak të ndjeshmërisë së situatës dhe respektit ndaj viktimës, familjes së tij, por edhe vetë Policisë si institucion.
“Vdekja e të riut 27 vjeçar, Agon Zejnullahut, ishte një rast tragjik që nuk do të duhej të ndodhte. Por mjerisht ndodhi dhe për fat të keq Polica e Kosovës është e involvuar.
Unë, në respekt të të ndjerit, familjes tij por edhe Policisë së Kosovës, si një institucion vital i Republikës tonë, jam kursyer nga komentet sepse çfardo që njeriu thotë në këso momente gabon!
Prandaj duhet lënë rastin institucioneve profesionale ta hulumtojnë rastin pa presion publik, qoftë ai presion edhe ndëpartiak.
Në këto momente të vështira për familjen e të ndjerit Agon Zejnullahu por edhe të policëve të involvuar dhe familjeve të tyre, keqpërdorimi për ndonjë përfitim të mundshëm politik, ngakushdo qoftë, unë jam i bindur se do t’iu kthehet bumerang”, thekson ai për “Bota sot”.
Sa i përket kritikave ndaj Policisë së Kosovës, Tali theksoi se ky institucion është pasqyrë e vetë shoqërisë dhe përbëhet nga njerëz që janë pjesë e komunitetit: “Ata policë nuk kanë pikë prej qiellit aty, por janë familjarë, fqinjë apo bashkëqytetarë tanë.”
Në fund, Tali nënvizon se kjo është gjendja aktuale institucionale që si shoqëri kemi arritur ta ndërtojmë dhe duhet trajtuar me seriozitet dhe maturi.
“Kurse sa i përket kritikave ndaj Policisë së Kosovës (nga ata që kur ju duhej politikisht i thurrnin lavde) unë them se si institucion është pasqyra e shoqërisë tonë. Ata policë nuk kanë pikë prej qiellit aty, por janë familiarë, fqinjë apo bashkqytetarë tanë që i kemi punësuar në vazhdimësi nga 1999’ta.
Andaj hëpërhë kaq kemi mundësi si shoqëri të ndërtojmë institucione, dhe kaq kemi ndërtuar”, nënvizoi ai.