TË FUNDIT

Skandal me tenderin 16.5 milionësh në Komunën e Prishtinës – Ministri Murati reagon ashpër

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër ndaj Komunës së Prishtinës dhe kryetarit Përparim Rama, pas shpalljes së një tenderi në vlerë 16.5 milionë euro për shërbimin e grumbullimit të mbeturinave nga një kompani private.

Përmes një postimi publik, Murati ka theksuar se një shërbim i tillë mund të realizohet nga ndërmarrja publike e komunës dhe se ky veprim paraqet shpërdorim të parasë publike.

“Komuna e Prishtinë dhe Përparim Rama ka shpallur tender në vlerë prej 16.5 milionë eurove që grumbullimin e mbeturinave t’ia japë një kompanie private.

Kjo përkundër faktit që Komuna e Prishtinës ka Ndërmarrje Publike për grumbullimin e mbeturinave.”

Ministri thekson se përmes pak më shumë bashkëpunimi e koordinimi, ky shërbim mund të vazhdojë të kryhet nga ndërmarrja publike, pa pasur nevojë për kontraktim të jashtëm:

“Pra, diçka që mund të kryhet nga Ndërmarrja Publike me pak më shumë bashkëpunim e koordinim, po tentohet t’i jepet një kompanie private, për 16.5 milionë euro.”

Murati e quan këtë veprim një goditje të drejtpërdrejtë ndaj sektorit publik dhe punëtorëve të tij:

“Ky është abuzim flagrant i parave të taksapaguesve, sepse po shpenzohet për një shërbim i cili tashmë ofrohet nga një ndërmarrje publike. Për më tepër, kjo nënkupton edhe falimentimin e ndërmarrjes publike dhe largimin nga puna të qindra punëtorëve.”

Duke përmbyllur reagimin e tij, Murati shtron një pyetje të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve të drejtësisë:

“Ku është prokuroria për këtë rast?”, përfundon Murati.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *