Reagim publik ndaj shpifjeve kundër BIRN-it dhe njoftim për inicimin e procedurave në gjykatë
Nga data 09.07.2025, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN Kosova dhe drejtoresha e BIRN Kosova, Jeta Xharra, janë duke u përballur me një fushatë të egër shpifëse, e cila ka për qëllim dëmtimin e rëndë të reputacionit të projekteve për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë dhe projekteve kundër korrupsionit.Fushata shpifëse, e nisur nga Lirim Mehmetaj dhe e përkrahur publikisht nga Shkëlzen Dakaj, e cila synon që rrejshëm të paraqesë informacionin se Qeveria i ka ndarë Jeta Xharrës 225 mijë euro është shpifëse, pa asnjë bazë dhe synon të dezinformojë publikun me të dhëna plotësisht të pasakta.Në postimin e datës 09.07.2025 Lirim Mehmetaj pretendon se Qeveria e Kosovës i ka ndarë BIRN Kosovës një shumë prej 65 mijë eurosh për realizimin e projektit të Auditimit Social.
Informacioni është i pasaktë për faktin se mjetet e ndara BIRN Kosovës për realizimin e Auditimit Social janë të ndara në kuadër të programit DEMOS të Qeverisë zvicerane dhe Bashkimit Europian. Pra, nuk janë mjete të ndara nga Qeveria e Kosovës. Këto mjete janë financuar në një thirrje publike transparente, në të cilën kanë aplikuar të gjitha OJQ-të e interesuara. Postimi i Mehmetajt me një përmbajtje shpifëse është shpërndarë nga Shkelzen Dakaj, i cili në postimin e tij ka shpifur duke pretenduar se Jeta Xharra ka kompani dhe është pronare e 5-6 OJQ-ve në Kosovë.Sqarojmë për publikun se Jeta Xharra nuk ka në pronësi asnjë kompani dhe nuk është pronare e asnjë OJQ-je në Kosovë. Në postimin e Dakajt përmenden edhe shuma deri në 9 mijë euro për një emision të realizuar në televizionin publik, pretendim ky i pavërtetë pasi asnjëherë emisionet e prodhuara nga ne nuk janë paguar me këtë vlerë.
Por, me këtë rast, pasi këta komentues e hapën këtë temë, atëherë ky është rast i mirë të sqarohet se emisionet e BIRN-it që janë paguar pjesërisht prej fondeve të RTK-së (me shuma shumë më të vogla se ato që përmenden më lart), pra, prej fondeve të taksapaguesve në periudhën 2006-2020, nuk kanë prodhuar një gazetari nënshtruese ndaj asnjërit prej pushteteve të ndryshme që kanë udhëhequr me Kosovën.Pasi BIRN është dëshmuar që 20 vite ka mundur ta bashkëfinancojë gazetarinë e vet me fonde publike dhe prapë ta mbajë gazetari të pavarur pa pasur nevojë të përulet apo të ndikohet nga pushteti, nuk ka arsye të veprojë ndryshe as sot e as në të ardhmen kur organizata është edhe më e fortë se në të kaluarën.Ua sqarojmë qytetarëve të Kosovës se të hyrat dhe fondet e BIRN-it janë plotësisht transparente dhe gjenden në këtë link në faqen zyrtare të BIRN: https://birn.eu.com/outputs/annual-and-financial-reports-birn-kosovo-2/ Të gjitha fondet e organizatës janë të audituara nga auditorë të pavarur të BE-së dhe donatorëve të organizatës të cilët në baza vjetore auditojnë secilin cent të shpenzuar.
Në postimet shpifëse synohet që duke përdorur njoftimin e Ministrisë së Kulturës për ndarjen e fondeve për mbështetjen e projektit muze “Reporting House”’ të krijojë paralele me abuzime dhe zhvatje të fondeve publike.BIRN ka aplikuar në këtë thirrje publike transparente dhe konkurruese me qëllim financimin e aktiviteteve të cilat lidhen direkt me muzeun “Reporting House”. Para se të gjykohet shuma e ndarë dhe vendimet e komisionit vlerësues, duhet të potencohen disa informacione bazike për projektin:Muzeu “Reporting House” është projekti më i madh i dokumentimit të krimeve të luftës i realizuar në vitin e fundit në Kosovë dhe paraqet një format unik që ka rezultuar në muzeun më të vizituar në këtë temë.Muzeu i vendosur në ish-shtëpinë e mallrave në Prishtinë që nga hapja (1 vit) e deri më sot është vizituar nga 10,184 njerëz, që paraqet numrin më të madh të vizitorëve për një muze në Kosovë. Muzeu ka arritur të mbledhë arkivat kryesore të dokumentimit të gazetarëve që nga vitet ‘90 dhe ka sjellë në Prishtinë relikte të krimeve të luftës nga mbi 10 shtete.Muzeu grumbullon materiale të mbi 100 gazetarëve që raportuan për luftën dhe krimet e luftës në Kosovë, duke digjitalizuar për herë të parë mbi 35 orë material të xhiruar nga mediat e huaja në Kosovën e viteve ‘90.Brenda vitit të parë të ekzistimit, muzeu ka zhvilluar mbi 30 organizime publike për të shënuar krimet e luftës dhe dokumentuar ato.Muzeu është ndërtuar falë përkrahjes nga Qeveria holandeze, Qeveria britanike, Qeveria gjermane, Komuna e Prishtinës dhe donatorë privatë. Muzeu po ashtu është një investim i një pune intelektuale disavjeçare të mbledhjes së materialit të ndryshëm në video, fotografi dhe punime artistike, gjë që është vlerësuar nga të gjithë dhe për të cilin është shkruar në media ndërkombëtare (për ata që ende s’e kanë vizituar, ju ftojmë ta bëni këtë!).Hapja e këtij muzeu është përkrahur nga të gjithë, e sidomos nga viktimat e luftës, të cilët kanë sjellë artefakte të reja për t’u bërë pjesë e muzeut, vetëm e vetëm se e kanë parë seriozitetin e paraqitjes së materialeve të luftës në formën më të dinjitetshme.Pa asnjë verifikim paraprak, dy personazhet, Mehmetaj e Dakaj, lansojnë fushatë shpifëse, e cila synon ta dëmtojë misionin dhe qëllimin dokumentues të muzeut, duke synuar ta lidhin me mundësi të keqpërdorimit të fondeve.
Kjo fushatë, e cila synon që të dëmtojë një punë të madhe e cila ka grumbulluar në Prishtinë filmimet dhe rrëfimet më ekskluzive të mbledhura që nga vitet ‘90 e deri më sot, pa dyshim që do të marrë një përgjigje të shpejtë nga gjykata.Për t’i sqaruar publikut, aplikimi i BIRN-it në Ministrinë e Kulturës për të mbështetur muzeun është kryekëput kërkesë për të garantuar funksionimin minimal të aktiviteteve të këtij muzeu në tri vitet e ardhshme dhe është bërë në konkurs të hapur të MKRS, të vlerësuar nga shërbyes civilë në MKRS. Në buxhetin e dorëzuar bashkë me projekt-propozimin e BIRN-it në MKRS, dokumente këto të qasshme për secilin qytetar me kërkesë për qasje në dokumente, është saktësuar se fondet do të përdoren ekskluzivisht për shpenzimet për mirëmbajtjen e muzeut.Në propozimin e dorëzuar në MKRS nuk janë kërkuar mjete për të paguar pagë apo ndonjë mëditje për drejtoreshën Jeta Xharra, por janë kërkuar mjete për të paguar pagat e stafit që mirëmban dhe kujdeset në baza ditore për muzeun.
Duke pasur parasysh që kjo fushatë shpifëse ka për qëllim të qartë dëmtimin e reputacionit, BIRN brenda afateve të shpejta ligjore do të dorëzojë padi në gjykatën kompetente.BIRN kërkon nga të gjithë gazetarët që dëshirojnë të raportojnë për tema të tilla që para publikimeve të kërkojnë të dhëna dhe të publikojnë të vërtetën e plotë.