POLITIKATË FUNDIT

“Ndodhi tre javë më pare”/ Alarmi i Donald Trump për Kosovën dhe Serbinë, zbardhen rreziqet e fshehura në Ballkan!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka përmendur javë më parë Kosovën dhe Serbinë gjatë një adresimi në samitin e NATO-s në Hagë të Holandës, duke pretenduar se administrata e tij ka “zgjidhur” tensionet mes dy vendeve.

Duke folur për ambiciet territoriale të presidentit rus, Vladimir Putin, ai ka deklaruar se gjatë javës së fundit ka zgjidhur disa prej konflikteve ndërkombëtare, përfshirë kontestin mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai deklaroi se kishte ndaluar një luftë të mundshme midis Kosovës dhe Serbisë, duke përmendur se kjo ndodhi vetëm rreth tre javë më parë. Në fjalën e tij, Trump tha:

“Ne bëmë një punë të mirë me Indinë dhe Pakistanin, gjithashtu me Serbinë dhe Kosovën, Ruandën dhe Kongon. Dhe e gjithë kjo ndodhi gjatë tre javëve të fundit, apo jo Marko? Dhe ndaluam të tjerë që ishin gati të luftonin, ndaluam shumë përleshje. Mendoj se ndaluam shumë luftëra të mëdha, të them të drejtën.”, tha Trump gjatë një darke zyrtare.

Mirëpo, a ka pasur realisht indikacione për një konflikt të armatosur në atë periudhë që përmendi Trump?

Softa: Rajoni perceptohet ende si zonë e nxehtë dhe potencialisht e rrezikshme

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Fatjon Softa.

Ai thotë se pavarësisht retorikës politike të Trump, deklarata e tij thekson realitetin se Ballkani, veçanërisht veriu i Kosovës, mbetet një zonë e brishtë që kërkon vëmendje serioze nga faktori ndërkombëtar dhe rajonal.

“Deklarata e përsëritur e Donald Trump tregon se Ballkani vazhdon të shihet si një rajon me potencial të lartë për destabilizim. Edhe pse retorika e tij është e ekzagjeruar dhe e motivuar politikisht, ku ai kërkon te evidentoj rolin e tij ne gjeopolitikat globale, ajo pasqyron një të vërtetë të rrezikshme: se mungesa e stabilitetit të qëndrueshëm në veriun e Kosovës është ende një problem i hapur. Kjo kërkon angazhim më serioz nga aleatët ndërkombëtarë, por edhe më shumë përgjegjësi dhe maturi politike nga aktorët në Rajon”, u shpreh ai.

ImageFatjon SoftaFoto galeri
Çfarë tregon kjo deklaratë për gjendjen në rajon?

Tutje, eksperti thekson se Ballkani vazhdon të perceptohet si zonë e rrezikshme, veçanërisht veriu i Kosovës dhe se roli i SHBA-së është kyç për ruajtjen e paqes dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

“Rajoni perceptohet ende si zonë e nxehtë dhe potencialisht e rrezikshme.

Fakti që zoti Trump flet për rrezik lufte, edhe nëse kjo nuk përputhet me informacionet zyrtare të NATO-s apo BE-së, tregon se Ballkani Perëndimor perceptohet si një vatër e mundshme e destabilitetit.

Tensionet janë reale, por jo patjetër të karakterit ndërhyrjeve ushtarake

Në veriun e Kosovës, situata ka qenë dhe mbetet e rrezikshme dhe roli i SHBA eshte garancia e ruajtjes se integritetit dhe te paqes, por dhe realisht i zgjidhjes perfundimtarr te konflikteve qe duhet te përfundojë me njohje reciproke Kosove-Serbi”, shpjegoi eksperti i sigurisë Fatjon Softa për “Bota sot”.

Qarri: Rreziku nga boshllëku institucional

Ndërsa analisti politik, Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, sugjeron se ekziston një rrezik real që Serbia të shfrytëzojë krizën politike në Kosovë për agresion të mundshëm ushtarak, ndoshta me ndihmën e faktorëve të brendshëm, dhe kjo mund të jetë arsyeja pse Trump e përmendi Kosovën si zonë në rrezik.

“Duke pasur parasysh bllokadën mbi 4-tër mujore të Kuvendit nga deputetët shqipfolës dhe kërcënimin edhe për përgjakjen e Kuvendit me bomba nga Serbia fashiste, lindin dyshime të arsyeshme apo edhe të bazuara, se Serbia ka një marrëveshje konspirative me ndonjërën parti opozitare apo edhe më tepër, segmente dhe individ të inkriminuar politik brenda vendit, që ta shfrytëzojë mungesën e institucioneve legjitime të dala nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, për ta sulmuar edhe ushtarakisht Kosovën!

Prandaj edhe Presidenti amerikan, Donald Trump, që normalisht, është më së miri i informuar mbi zhvillimet botërore dhe veprimet konspirative ushtarake në rajon, veçanërisht sa i takon kontekstit të agresionit ushtarak nga Serbia në Kosovë, mund të ketë arsye të forta konkrete për ta përmendur sërish Kosovën, mbrëmjen që darkoi me kryeministrin izraelit në Shtëpinë e Bardhë, gjë që vërtetë duhet ti alarmojë të gjithë qytetarët, të vë në lëvizje Qeverinë dhe të gjitha segmentet e sigurisë, në Republikën e Kosovës”, foli analisti.

ImageGani QarriFoto galeri
Alarmi për rrezik nga boshllëku institucional

Analisti paralajmëron se bllokimi i Kuvendit nga deputetët opozitarë krijon një situatë të rrezikshme që mund të shfrytëzohet nga Serbia për agresion dhe se deklarata e Trump shihet si sinjal serioz për rrezikun ndaj sovranitetit të Kosovës.

“Vet fakti se Trump dha edhe më shumë detaje mbi deklaratat e tij, se kishte ndaluar një luftë mes Kosovës dhe Serbisë, duke specifikuar edhe se si shpërthimi i asaj lufte, u parandalua vetëm rreth tre javë më parë, duhet ti ngritë në këmbë të gjithë qytetarët e Kosovës, për delegjitimin e të gjithë deputetëve bllokues, të cilët edhe për të 44-tën herë bllokuan konstituimin e Kuvendit dhe organeve tjera legjitime të shtetit të Kosovës, duke e lënë vendin edhe 5 muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, pa institucione legjitime shtetërore, akt konspirativ që krijon dyshime tepër qëllimkëqija edhe për rrezikimin e paprekshmërisë territoriale të vendit tonë.

Prandaj gjendja e krijuar shkon vetëm në favor të Serbisë fashiste, e cila dëshiron që ta shfrytëzojë „zbrazëtinë“ e krijuar institucionale dhe në mungesën e institucioneve tona shtetërore nga bllokada e konstituimit të Kuvendit, në mënyrë që me një goditje të vrasë fort dhe efektivisht në dy shenja, duke okupuar ushtarakisht një pjesë të territorit të Kosovës dhe me këtë ti shuaj edhe protestat masive mbi 6 mujore në Serbi kundër qeverisë dhe presidentit serb kriminelit Aleksandër Vuçiq”, theksoi analisti.

Zgjedhje të reja për të shmangur rrezikun

Qarrii kërkon ç’ mandatimin urgjent të deputetëve që po bllokojnë Kuvendin, duke paralajmëruar se kjo situatë i hap rrugë ndikimit serb dhe mund të rrezikojë sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës.

“Loja e dyshimtë kundër konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve kryesore të shtetit të Kosovës, dëshmon se kjo legjislaturë konspirative, përveçse e padenjë dhe e dyshimtë në veprime, është edhe me rrezikshmëri të lartë, për përfaqësimin e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës në mandatin vijues, kështu që heqja urgjente e mandateve të deputetëve aktual, është nevojë imediate dhe akt i domosdoshëm me shkuarja sa më parë, në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme parlamentare për krijimin e një Kuvendi legjitim me rregullat normative kushtetuese dhe aktet demokratike parlamentare në Kosovë!

Deklarata e presidentit Trump për ndalimin e një lufte mes Kosovës dhe Serbisë, është paralajmërimi më serioz, që vije edhe si vërejtje dhe kërkesë konkrete për ndryshimin urgjent të gjendjes konstituive shtetërore në Kosovë, e cila edhe pas këtij lajmi, nëse nuk merret urgjentisht në shqyrtim adekuat me veprime konkrete në krijimin e institucioneve shtetërore, mund të shndërrohet në akt real, që nënkupton edhe agresionin ushtarak të Serbisë mbi Kosovën, gjë që mund të ishte fatale për vendin tone”, thotë Qarri.

Krijimi urgjent i institucioneve për parandalimin e agresionit

Analisti paralajmëron se agresioni ushtarak i Serbisë do të sjellë humbje territoriale për Kosovën dhe thekson se krijimi i shpejtë i institucioneve legjitime është i domosdoshëm për të shmangur këtë rrezik ekzistencial.

“Agresioni i mundshëm ushtarak i Serbisë në Kosovë, nuk nënkupton takim sportiv ndërmjet të dy vendeve, por humbjen e pakthyeshme territoriale për Kosovën, veçanërisht duke pasur parasysh agresionin e Rusisë në Ukrainë, situatën në Gaza dhe situatën e sigurisë në rajon.

Gjendje katastrofale në të cilën, pak kujt mund ti binte ndërmend për Kosovën, kur dihet mirëfilli se edhe tani ekzistojnë indikacione reale për përshkallëzim të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, akt agresiv kundër të cilit veçanërisht SHBA-të, kanë pasur dhe kanë rol konkret, për parandalimin e një përplasjeje të tillë të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë hegjemoniste, e cila shpreh publikisht pretendime territoriale kundër vendit tonë.

Në këto momente intensive, akt i domosdoshëm, për mënjanimin e rrezikut nga agresioni ushtarak i Serbisë, mbi vendin tonë është edhe krijimi sa më parë i institucioneve tona legjitime shtetërore, duke ç`mandatuar urgjentisht deputet aktual, të cilët me bllokadën e pa imagjinuar mbi 4 mujore, me apo pa vetëdije, janë shndërruar në rrezik për shtetin e Kosovës, ndaj ata medoemos duhet ç`mandatuar sa më parë, me votën e popullit, duke quar vendin në zgjedhje të reja, për zgjidhjen urgjente të ngërçit dhe formimin sa më parë të institucioneve tona legjitime shtetërore”, përfundoi Qarri për “Bota sot”

comment
Për komente lëvizni më poshtë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *