OPINIONTË FUNDIT

Peticion i dështuar: Zbërthehen qëllimet armiqësore të Listës serbe kundër ndërtimit të urave mbi Ibër

Në veri të Mitrovicës, ka nisur të hënën një peticion kundër ndërtimit të dy urave të reja mbi lumin Ibër. Nisma është ndërmarrë nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetje të fuqishme politike dhe financiare nga Beogradi zyrtar.

Peticioni synon të ndalojë realizimin e projektit të miratuar nga Qeveria e Kosovës, duke argumentuar se ndërtimi i urave është “provokim politik” dhe një përpjekje për të “ndryshuar realitetin në terren” pa pajtimin e komunitetit serb.

Peticioni nisi vetëm disa ditë pasi kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë më 1 korrik në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit për urat e reja, të cilat pritet të lidhin më mirë dy anët e qytetit dhe të përmirësojnë qarkullimin dhe infrastrukturën për të gjithë banorët, pa dallim etnie. Në fjalimin e tij, Kurti theksoi se ndërtimi i urave është “simbol i bashkimit, lirisë së lëvizjes dhe zhvillimit ekonomik”.

Ndërtimi i urave të reja, sipas qeverisë së Kosovës, është pjesë e një projekti më të gjerë për përmirësimin e infrastrukturës urbane dhe lidhjen më të mirë të qytetarëve në të dy anët e lumit, ndërsa zyrtarët lokalë në jug të Mitrovicës e kanë mbështetur nismën si hap drejt normalizimit të jetës në qytet.

Dashevci: Lista Serbe nuk e ka më atë autoritetin që ka pasur

Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci e ka cilësuar hapjen e dy urave të reja në Mitrovicë si një hap të mirëseardhur, duke theksuar se ato lehtësojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave në një situatë të qetë sigurie, pa incidente etnike.

Ai sqaroi se njëra nga urat po ndërtohet në vendin e një ure të vjetër pranë Suhodollit, duke lidhur zonën e tre rrokaqiejve me çerdhen, shtëpinë e kulturës dhe tregun.

ImageArben DashevciFoto galeri
Po ashtu, ura e dytë lehtëson qasjen në qendrën moderne shëndetësore dhe në pesë hipermarkete të mëdha në jug.

“Hapja e dy urave në Mitrovicë është e mirëseardhur duke pasur parasysh që urat bashkojnë njerëz, mallra dhe qarkullim të lirë sepse situata e sigurisë është e qetë në të dy anët e lumit Ibër dhe nuk ka asnjë incident etnik, ka vajtje-ardhje pa asnjë problem për të gjithë qytetarët pa dallim feje etnie ose nacionaliteti.

Njëra urë kah ana e fshatit Suhodollë ndërtohet mu në vendin ku ka qenë një urë e vogël me kushte të këqija dhe tash me urën e re lidhë pjesën e tre rrokaqiejve me pjesën këndej lumit dhe lehtëson qarkullimin e lirë, për në çerdhe, shtëpi të kulturës dhe tregun e mallrave.

Në pjesën e poshtme lehtëson qarkullim gjithashtu sepse ka qendër shëndetësore ambulantore e madhe dhe moderne është e ndërtuar tash vonë dhe ka 5 hipermarkete të mëdha që lehtëson shumë qarkullimin e njerëzve dhe shërbimeve pa dallim mendoj unë”, thotë ai.

Sa i përket peticionit të Listës Serbe kundër ndërtimit të urave, Dashevci tha se bëhet fjalë për një nismë politike me prapavijë parazgjedhore, duke e cilësuar Listën Serbe si destruktive dhe të dobësuar në ndikim.

“Lista Serbe, në Mitrovicë matan lumit Ibër ka nisur të hënën një peticion kundër ndërtimit të urave mbi lumin Ibër, por dihet qëllimi i kësaj Liste dhe destruktivitetin e saj në proceset pozitive, nuk e ka më atë autoritetin që ka pasur dhe gjithçka si iniciativë është politike si qasje mendoj unë sepse përdoret nga ana e kësaj liste si fushatë parazgjedhore”, shpjegon Dashevci.

Gurthemelet e tyre u vendosën më 1 korrik, dhe nuk mund të krijojë ky “konflikt ose tensione” të reja politike në Kosovë?, sepse ata që kanë krijuar tensione dhe destabilizime nuk janë më në Kosovë, gjinden në listë të organeve tona të ndjekjes por edhe të Interpolit si të kërkuar për vepra terorriste.

Komuniteteve duhet t’u shpjegohet nga përgjegjësit se urat kanë qëllimin e mirë pra duhet bashkëbisedim pro aktiv mendoj unë me të gjitha komunitetet lokale, përfshirë, serbët, shqiptarët, turqit, ashkalinjët, boshnjakët, romët etj, për këtë projekt pozitiv dhe lehtësues për të gjithë pa dallim”, deklaron ai për “Bota sot”.

Aliçkaj: Peticioni i Lisëts Serbe kundër urave është veprim johuman me prapavijë armiqësore

Agim Aliçkaj, Drejtor Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ka kritikuar ashpër peticionin e Listës Serbe kundër ndërtimit të urave mbi lumin Ibër, duke e cilësuar si një veprim absurd, johuman dhe me prapavijë destruktive.

ImageAgim AliçkajFoto galeri
Ai theksoi se urat janë simbole të lidhjes dhe mirëkuptimit, ndërsa qëndrimi i Listës Serbe është i sajuar nga Beogradi me qëllim të minimit të shtetit të Kosovës.

Sipas tij, kjo parti vepron si organizatë armiqësore që nuk njeh Republikën e Kosovës dhe vazhdon të shantazhojë me mbështetjen e padrejtë ndërkombëtare.

“Në çdo kulturë, ura është një simbol i fuqishëm për lidhje dhe mirëkuptim të përbashkët. Një urë është gjithashtu simboli i përsosur i reciprocitetit dhe fitimit të ndërsjellë.

Fatkeqësisht, kjo nuk vlen për Listën Serbe dhe regjimin fashist të Serbisë. Ata kanë guximin të dalin me peticion kundër urave mbi lumin Ibër pa asnjë shpjegim të vlefshëm, vetëm me një deklaratë absurde se “urat janë kundër komunitetit serb”. I gjithë ky qëndrim do të ishte qesharak nëse nuk do të ishte i dëmshëm dhe anakronik. Peticioni i tyre kundër urave është johuman dhe si i tillë i shkel interesat e popullit shqiptar dhe minoritetit serb në Kosovë.

Në fakt, qëndrimi i Listës Serbe është sajuar në Beograd me qëllimin e vetëm për të shkatërruar shtetin e Kosovës. Lista Serbe ka deklaruar publikisht se nuk e pranon shtetin e Kosovës. Si e tillë, ajo duhet të konsiderohet një organizatë armiqësore. Për sa kohë që Lista Serbe nuk deklarohet kundër terrorizmit dhe nuk e njeh Republikën e Kosovës, deklaratat e saj duhet të shpallen të pavlefshme. Këto fakte duhet t’i bëhen të ditura edhe bashkësisë ndërkombëtare.

Komuniteti ndërkombëtar duhet ta kuptojë se shantazhet e vazhdueshme të Listës Serbe janë të dëmshme dhe të papranueshme. Një ditë ata mund të kërkojnë që shqiptarët të mos marrin frymë sepse kjo është “kundër komunitetit serb”. Favorizimi i padrejtë dhe i pakontrolluar i pakicës serbe në Kosovë nga ndërkombëtarët është një nga arsyet kryesore pse nuk ka zgjidhje për konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë”, shprehet Aliçkaj.

Ai thekson se ndërtimi i urave mbi lumin Ibër po përdoret nga elementë armiqësorë serbë për të krijuar tensione të panevojshme.

Ai kërkon që qeveria e Kosovës të mbajë një komunikim të vazhdueshëm me ndërkombëtarët dhe minoritetin serb, duke shpalosur qartë qëllimet e saj dhe krijuar një komision bashkëpunimi për të parandaluar konflikte.

Në fund, Aliçkaj sugjeron që edhe komuniteti shqiptar në Mitrovicën e Veriut dhe të Jugut të ndërmarrë veprime të përbashkëta, për shembull një peticion për bashkëjetesë dhe liri të lëvizjes, që të forcojë harmoninë dhe kuptimin reciprok.

“Nuk ka dyshim se ndërtimi i urave mbi lumin Ibër po përdoret nga elementë armiqësorë serbë për të krijuar tensione të panevojshme. Përpjekjet e tyre për ta portretizuar veten si viktima duhet të çmontohen me fakte dhe argumente nga qeveria e Kosovës.

Për këtë arsye qeveria e Kosovës, edhe pse nuk ka nevojë të kërkojë leje nga askush për ndërtim të urave në vend të vet, duhet të mbajë komunikim të përhershëm me ndërkombëtarët dhe minoritetin serb duke i bërë të ditura qëllimet e veta. Krijimi i ndonjë Komisioni të posaçëm me oferta të përditshme për bashkëpunim pozitiv me interes të përbashkët, mund të ndihmojë që të evitohet krijimi i ndonjë konflikti të padëshirueshëm.

Së fundmi, ndoshta do të ishte mirë që edhe shqiptarët e Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut të bënin një Peticion për Bashkëjetesë dhe Liri të Lëvizjes dhe t’ia dërgonin qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare”, – përfundon Agim Aliçkaj për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *