TË FUNDIT

Pse u goditën intelektualët e Kosovës të arratisur në Shqipëri?! Rrëfimi: Për t’i shpëtuar…!

Është e habitshme se si regjimi komunist, asnjëherë nuk i kuptoi kosovarët që kaluan kufirin për të gjetur lirinë në “Shqipninë nanë”, por herët a vonë, i shpalli njërin pas tjetrit armiq, kinse të dërguar të regjimit titist etj. Ata që nuk i dënoi, i mbajti nën vëzhgim, deri në fund. Nuk u kursye për asnjë, edhe kur harxhoi lekë për shkollimin e tyre në universitete. Tekefundit, nuk ka pyetje pa përgjigje. Ata erdhën si atdhetarë, duke shpresuar se do t’i shpëtonin gjenocidit serb të Tito-Rankoviqit të viteve ’50-të të shekullit të kaluar, përballja me të cilin kishte krijuar një simbol qëndrestari të paepur, si shkrimtari Adem Demaçi e deri te filozofi Ukshin Hoti, në kohë të vona.

Nuk është se ikën nga Kosova, por nga Jugosllavia, që nuk ishte shteti i tyre. Kërkuan parajsën amësore këtu, por gjetën ferrin, baltën dhe zgjyrën e diktaturës. Atdhetarizmi i tyre i kulluar, pak nga pak hasi në internacionalizmin tonë proletar; ata duhej ta donin kombin në një tjetër “mënyrë”, duke dashur Partinë e Punës dhe “Komandantin”, fitoret e socializmit etj. Por, ata komunizmin e kishin pasur atje, këtu kishin ardhur duke rrezikuar jetën në kufi për shqiptarinë dhe jo për partinë.

Këtu nis dhe konflikti që vjen e acarohet përherë e më shumë ndërmjet shtetit shqiptar dhe kosovarëve të emigruar. Një temë për të cilën nuk është folur asnjëherë dhe pse kanë kaluar tridhjetë vite, që kanë rënë burgjet politike. Secili nga ata meriton nderim më vete, aq sa ka vlerë edhe portreti i tyre i përbashkët, prej qëndrestarësh të racës. Në Tiranë është vendosur një memorial turk, me emrat e viktimave që kundërshtuan përpjekjen për grusht shteti në Turqi pak vite më parë, ndërkohë që mungon një memorial kushtuar vëllezërve tanë kosovarë, që u martirizuan! Jepen përditë tituj nga Presidenti i Republikës, por nuk dimë të jetë nderuar ndonjëri prej tyre.

closevolume_off
Kush më parë se martirët e meriton titullin “Nderi i Kombit”? Ata janë harruar. Kujtohen vetëm nga familjarët, miqtë e shokët, por jo nga institucionet e shtetit. Një pjesë e mirë e tyre vinin nga letërsia, si shkrimtarët: Agim Gjakova, Kapllan Resuli, Adem Istrefi; mësuesit e mirënjohur: Myrteza Bajraktari, Shefqet Kaçaniku, Ymer Llugaliu, Selim Kelmendi, Gani Ratkoceri, Idriz Zeqiraj, Hysen Bukoshi, Ibish Kelmendi; piktori Sadri Ahmeti; diplomati Esat Myftari; mjekët Jetullah Gashi e Arben Çeta (vëllai i Anton Çetës); inxhinieri kimist Namik Luci; agronomi Kol Nikçi etj., procese gjyqësore që u zhvilluan në Tiranë, Durrës, Berat, Fier, Lezhë, Mirditë etj.

Është një listë e gjatë shqiptarësh nga Kosova të dënuar këtu, shumë më e gjatë seç mund të mendohet, edhe pse askush nuk ka marrë mundimin ta përpilojë atë të plotë. Disa venin nga burgu në burg, kishin lënë burgjet e Titos, me shpresën se këndej ishte “Toka e premtuar”, por këtu i priti sërish burgu dhe internimi, edhe pse jo pak prej tyre qenë lejuar të vazhdonin arsimin e lartë në Universitetin e Tiranës, mbase me synimin që të përqafonin vijën e Partisë, çka nuk ndodhi.

Studimet e larta do t’i dituronin më shumë, por nuk do t’i bënin komunistë. Agim Gjakova, më i njohuri ndër ta, siç lexojmë në shënimet rreth biografisë së tij, ishte arratisur në ‘60-ën, se kishte qenë një zë i fortë i të drejtave të shqiptarëve të persekutuar atje dhe kjo ishte një kartë e fortë, për të qenë këtu i mirëpritur, mirëpo nuk do të vononte edhe në Tiranë, të ngjallte pakënaqësi te regjimi, me veprën e tij letrare jo konformiste, çka tregon se shtetet totalitare reagojnë njësoj ndaj intelektualëve të pavarur.

Bash në kohën kur nacionalistët e rinj idealistë dyndeshin nga Kosova për këndej, në Tiranë po venitej ylli i një bashkëvëllau të tyre nga Mitrovica, Ramadan Çitakut, pjesëmarrës në themelimin e PKSh-së (1941), në ngjarjet dhe formacionet kryesore politike e ushtarake të Luftës, mbas çlirimit gjashtë muaj ministër i Financave në vitin 1946 dhe ambasador i Shqipërisë në Beograd, deri në vitin 1948, për të vuajtur më pas harresën e gjatë për shkak të përplasjes politike me Enver Hoxhën, që tash e quante; “njeri të jugosllavëve”.

Si miqësia politike shqiptaro-jugosllave, si armiqësia më vonë me Jugosllavinë, sollën persekutim e gjer viktima në radhët e inteligjencës. Kështu, në vitin 1945, u arrestua profesori prizrenas Kol Margjini, diplomuar në Vjenë, mbas tridhjetë e ca vitesh shërbesë në shkollat e mesme të vendit dhe iu dorëzua autoriteteve serbe, ku ndërroi jetë në burg mbas pesë vitesh. Nuk i shpëtoi burgut “dypalësh” as gjuhëtari Selman Riza, sot me shtatoren në Gjakovë.

Studiuesi Aleksander Meksi shkruan se për shkak të veprimtarisë politike thellësisht atdhetare, ai burgoset në vitin 1945 në Tiranë, vetëm disa ditë pas kthimit në Shqipëri, ku kishte ardhur për t’i shpëtuar gjenocidit serb. Shpëtoi atë rast pa u ekstraduar në Jugosllavi, po kjo nuk u shmang në vitin 1948, ku pasi qëndroi tre muaj në Burgun e Tiranës, komunistët shqiptarë e ekstraduan “si kosovar anti-jugosllav”, për t’u gjykuar prej jugosllavëve. Profesor Riza qëndroi tri vite e gjysmë në burgjet jugosllave dhe vetëm në dhjetor të vitit 1953, ai mundi të rikthehet në Shqipëri, ku bashkohet me familjen e tij në Tiranë.

Ndër të parët që ka kaluar kufirin për në Shqipëri, në tetor të vitit 1951, ka qenë “Mësuesi i Popullit” Gani Ratkoceri (Demiri), lindur në një fshat afër Prishtinës, dënuar për agjitacion e propagandë më 1978, me dhjetë vite burg, duke fituar pafajësinë pasi kishte vuajtur gjysmën e dënimit. Kujtimet e tij nga kalvari politik në Shqipëri, ai i ka bërë publike në librat që ka shkruar dhe në intervista, ku flet për marrëveshje mes UDB-së dhe Sigurimit të Shtetit, për dënimin e kosovarëve etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *