Ndërtimi i urave në veri, diplomati holandez mbështet Kosovën: Nuk është provokim, por…
Ambasada Gjermane në Kosovë ka reaguar ndaj letrës së fundit të Petar Petkoviq, në të cilën ai i bën thirrje Bashkimit Evropian, shteteve anëtare dhe palëve të tjera të ndalojnë atë që ai e quan “veprime eskaluese të Prishtinës”, konkretisht ndërtimin e dy urave shtesë mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Në një deklaratë për media, Ambasada e Gjermanisë, thekson se Qeveria e Kosovës duhet të heqë dorë nga veprimet eskaluese, por thekson se thirrjet për de-eskalim duhet të jenë të barabarta për të gjitha palët.
Po ashtu, Ambasada citoi një proverb gjermane për të theksuar rëndësinë e rregullimit të çështjeve të brendshme para se të kritikohen të tjerët.
“Në gjermanisht themi, ‘Erstmal vor der eigenen Haustür kehren’ – së pari pastro para derës tënde. Kjo fjalë e urtë na kujton se duhet të rregullosh shtëpinë tënde përpara se ta qortosh vazhdimisht Kosovën për vendimet e saj”, thuhet tutje në deklaratë.
E në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli ish-ambasadori holandez, Robert Bosch.
Si fillim, ai u shpreh se veprimet e qeverisë së Kosovës për ndërtim të urave në veri, janë shumë normale.
Madje, diplomati holandez i mbështeti këto veprime për intergrim të veriut.
“Nuk di për mençurinë e urave, por që Prishtina më në fund e integron veriun në sistemin e saj dhe nuk lejon më të gjitha llojet e strukturave alternative nuk është më shumë se normale dhe për t’u lavdëruar”, deklaroi Bosch.
Ndër të tjera, dha edhe një mesazh ku tha se, “duket se shumë struktura kriminale janë çmontuar, por puna nuk është bërë ende”, transmeton “Bota sot”.
Theksojmë se, Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur gur themelin për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut, njërën për këmbësorë dhe tjetrën për automjete. Projekti, që kap vlerën prej rreth 3 milionë eurosh, synon ta lehtësojë qarkullimin dhe të nxisë bashkëpunim mes qytetarëve në të dy anët e lumit, thanë qeveritarët, por, reagimet në terren janë të përziera. Disa e mirëpresin iniciativën e të tjerë urat e reja i konsiderojnë të panevojshme.