POLITIKATË FUNDIT

Marrëdhëniet Rama–Kurti nën vëzhgim amerikan, avokati shqiptar paralajmëron ndryshime të mëdha

Avokati shqiptar, Spartak Ngjela ka publikuar një qëndrim të fortë në rrjetin social Facebook, ku sugjeron se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shfaqin rezerva ndaj kryeministrit Edi Rama, për shkak të ftohtësisë mes tij dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Sipas Ngjelës, kjo ftohtësi nuk është rastësore dhe lidhet me zhvillime të rëndësishme që priten në të ardhmen, shkruan “Bota sot”.

“Shenjat janë që politika amerikane po ka rezerva kundrejt kryeministrit Rama”, shkruan Ngjela, duke shtuar se marrëdhëniet e ftohta me Kurtin reflektojnë pasiguri të përbashkëta mbi drejtimin e një federate të ardhshme Shqipëri-Kosovë.

Ngjela pretendon se krijimi i një federate midis dy shteteve shqiptare është një projekt i mbështetur nga SHBA, për arsye strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike.

Shkrimi i plotë

Shenjat janë që politika amerikane po ka rezerva kundrejt kryeministrit Rama.

I.

Kjo kuptohet se po vjen si pasojë e marrëdhënieve disi të ftohta midis kryeministrit të Shqipërisë dhe kryeministrit të Kosovës.

Dhe është e kuptueshme që pakënaqësia është me Tiranën, sepse dihet faktikisht që kryeministri i Kosovës Albin Kuri i ka marrëdhëniet e ftohta me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

Dhe kjo ftohtësi kuptohet që nuk e ka arsyen tek e tashmja politike, por tek politika e ardhshme. Sepse dihet dhe është e kuptueshme që po pritet që të formohet federata e Shqipërisë me dy shtete: Shqipëria dhe Kosova.

Por pikërisht për këtë pritje historike, që sigurisht se do të vijë, të dy kryeministrat e shteteve shqiptare nuk ndihen të sigurt për drejtimin e federatës Shqipëri-Kosovë, që siç duket e kanë kuptuar nga lëvizjet por edhe nga bisedimet bilaterale të politikës së lartë që ajo do të formohet.

Dhe sigurisht ky është një naivitet që vjen si rrjedhojë e mosnjohjes në thellësi të karakterit të shtetit, pushtetit dhe politikës.

Kurse e vërteta është se në fakt gjithçka qëndron tek interesi amerikan – prandaj duan apo nuk duan Moska dhe Beogradi ajo federatë do të krijohet, dhe ky do të jetë një fillim i ri për shqiptarizmin.

II.

Interesi kryesor i politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor është që duhet të krijohet një federatë e gjerë në Gadushullin Ilirik midis dy shteteve shqiptare: Shqipëria dhe Kosova.

Pikërisht këtu do të fillojë forcimi i kësaj federate ushtarakisht dhe ekonomikisht, sepse të dy shtetet janë me burime shumë të pasura minerare, por edhe në aspekte të tjera të lëndëve të para. Kurse, sidomos, përqëndrimi politik është te gjeopolitika: pozicioni gjeografik i Shqipërisë.

Pikërisht për këtë arsye sot dihet që forcimi i botës shqiptare në Gadishullin Ilirik është një interes shumë i madh i politikës amerikane, sepse forcimi interesit federativ i kësaj bote shqiptare me dy shtete shqiptare, ka brenda kësaj ideje edhe të ardhmen e Çamërisë.

Dhe shenjat janë të qarta. A e mbani mend fjalimin e kryeministrit Rama që ai mbajti në Greqi për Çamërinë?

Ja kjo është e vërteta historike, e cila po e kërkon botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor si një nga skemat e fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Por politika shqiptare nuk po e mbështet këtë skemë; se ne ende nuk po kemi në drejtim kryeministra që t’i përkasin historisë; por duhet thënë se gjithmonë kemi qenë të bllokuar në politikë edhe nga fqinjët tanë, të cilët dihet se janë dhe kanë qenë armiqtë kryesorë kundër shqiptarisë.

Por le të kthehemi aty u e lanë më lart në këtë shkrim, sipas kësaj pyetjeje:

A do ta kuptojë dot politika shqiptare në thellësi që sot në gadushullin tonë shqiptarët kanë dy shtete të pavarur – Shqipërinë dhe Kosovën?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *