Kurti, në Samitin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë në Samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, që do të nisë sot në Shkup.
Lajmi është konfirmuar për KOHËN nga Zyra e Kryeministrit.
Kurti do të marrë pjesë në darkën e liderëve sonte, ndërsa nesër do të jetë pjesë e panelit të parë që zhvillohet në kuadër të diskutimeve.
Takimi i liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të jenë për Planin e Rritjes.
Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.
Në këtë Samit do të marrë pjesë edhe Marta Kos, komisionere për Zgjerim e Bashkimit Evropian, ku do të takohet me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.