Shumë “selfie”, pak shpenzime, turistët e huaj nuk po zëvendësojnë dot shqiptarët e larguar
Shqipëria po përjeton një valë të pashembullt turistësh.
Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2025, mbi 1.3 milion hyrje u regjistruan në vend, një rritje prej 35% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Por ndërsa rrugët mbushen me gjuhë të huaja dhe aparate fotografike, ekonomia duket më e ftohtë se kurrë.
Pavarësisht pranisë së turistëve, konsumi në vend nuk ka ndjekur të njëjtin ritëm. Sipas të dhënave zyrtare, konsumi i qytetarëve në tre muajt e parë të vitit është rritur me vetëm 2.45 për qind – niveli më i ulët që nga viti 2021.
“Kjo kryesisht sepse turistët që kanë ardhur kanë shpenzuar pak. Kemi pasur të bëjmë me turistë të varfër, të paaftë për të shpenzuar,” u shpreh Kujtim Dervishi, kryetar i Shoqatës së Bujtinave.
Nga janari deri në mars, Shqipërinë e vizituan mbi 1.6 milion turistë të huaj, por shpenzimet e tyre kanë qenë të kufizuara.
Për ekonominë vendase, e cila tradicionalisht mbështetet në konsumin e familjeve shqiptare, mungesa e tyre po ndihet gjithnjë e më shumë.
“Kjo ka lidhje me pritshmëritë e tregtarëve që mendonin se do të kishim një konsum të lartë si pasojë e rritjes së turizmit. Por mos të harrojmë se tkurrja e popullsisë ndikon drejtpërdrejt në nivelin e konsumit. Ne jemi konsumatorë më të lartë se të huajt,” tha Rahman Kasa nga Unioni Turistik Shqiptar, për A2CNN.
Turistët janë të mirëpritur, por të përkohshëm. Ata nuk blejnë mobilje, nuk marrin kredi, nuk bëjnë shpenzime afatgjata – elementë kyç që mbajnë gjallë ekonominë e përditshme.
“Me gjithë numrin rekord të hyrjeve, xhiroja në treg nuk është ringjallur në të njëjtën masë. Në rrugët e Tiranës, Vlorës apo Shkodrës shihen fytyra të reja, por mungojnë zërat e vjetër,” shtoi Dervishi.
Mes një sezoni turistik premtues dhe një realiteti ekonomik të vakët, Shqipëria po mëson një të vërtetë të re: turizmi sjell gjallëri, por jo domosdoshmërisht mirëqenie.
Dhe në mungesë të konsumatorit vendas, as miliona turistë nuk mund të mbajnë në këmbë ekonominë e përditshme të vendit.