Konjufca: Aktgjykimi i Kushtetueses na dha të drejtë
Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur konferencë për media para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Glauk Konjufca, foli për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ku në aktgjykimin e saj të së enjtes, ka pohuar se deputetët e zgjedhur janë të obliguar që brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, të përfundojnë seancën konstituive përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit,
Ai tha se Gjykata nuk ka gjetur asnjë shkelje për votimin e fshehtë për kryeparlamentaren.
“Propozimi ynë nuk hasi në mirëkuptim dhe pikërisht qasja e tyre ishte bllokuese, sepse zgjodhën të mos e votonin zonjën Albulena Haxhiu Ne nuk i kishim automatikisht 61 vota, atëherë ne ndërmorën një seri të veprimeve tjera, duke i gjykuar si veprime që do të mund t’i ndihmonin konstituimin të Kuvendit., Njëra prej veprimeve është ftesa dy herë me radhë e Kurtit për liderët e subjekteve politike, që të krijohet një marrëveshje politike. LVV gjithmonë ka vlerësuar që nëse partitë opozitare e bllokojnë kryetarin e Kuvendit, i njëjtë reciprocitet mund të shkojë me nënkryetarët e Kuvendit. Aktgjykimi na dha të drejtë, dhe aty një nga pikat më të rëndësishme është se nëse hyhet në bllokadë për të krijuar marrëveshje politike, kjo nuk vlen vetëm për kryetarin e Kuvendit, çka u sqarua edhe një herë. Interpretimi sa i përket kësaj pike, të raportit mes kryetarit dhe nënkryetarëve, është që t’i vendosim të gjithë në një pako dhe t’i votojmë pa u përzier në emrat që ne propozojmë. Gjykata ka paralajmëruar, nuk është një instruksion”, u shpreh ai.
Mes tjerash, ai tha se obligimi për konstituim është i të gjithë deputetëve, dhe jo vetëm i partisë që del e para në zgjedhje.
“Obligimi është i të gjithëve”, ka pohuar ai derisa kritikoi subjektet tjera politike, ku tha se LDK nuk merr fare pjesë në asnjë votim.