Rreshtimi i Kurtit në anën e SHBA-ve, respektivisht Presidentit Trump, ishte mençuri dhe largpamësi
Presidentja dhe Kryeministri në detyrë, përmes një letre, duhet t’ia bëjnë me dije Presidentit Trump se Dardania është e rrezikuar nga Serbia, njësoj si Izraeli nga Irani.
Idetë rreth korrigjimit apo ndarjes së pjesës veriore nënkuptojnë vatër të një konflikti të pashuar Serbi–Dardani, një ide e papranueshme për Republikën e Dardanisë.
Paralajmërimet e Presidentit Trump për ndërprerjen e luftimeve Izrael–Iran, përmes ndikimit të tij direkt, janë një vepër humane, njerëzore dhe largpamëse që me të drejtë duhet të kurorëzohet me Çmimin Nobel për Paqe.
closevolume_off
Duke shpresuar në ndërprerjen e luftës gati katërvjeçare Rusi–Ukrainë, ky është momenti më i përshtatshëm që edhe në Ballkanin fragjil të vendoset një paqe e qëndrueshme, duke krijuar marrëdhënie normale ndërfqinjësore.
Se Serbia nuk mund ta pranojë ekzistencën e Republikës së Dardanisë, njësoj si Irani Izraelin, u vërtetua edhe me deklaratën e Vuçiqit pro Iranit. Rreshtimi i Serbisë në anën e Iranit më detyron t’iu drejtohem Presidentes dhe Kryeministrit në detyrë, që t’i bëjnë me dije Presidentit Trump rreth këtij rreziku për të marrë vendimin e duhur për një paqe të qëndrueshme afatgjatë dhe siguri për Republikën e Dardanisë.
Fatkeqësisht, sjelljet e qëllimshme të opozitës lidhur me moskonstituimin e Parlamentit, po e portretizojnë shtetin para botës demokratike si jo serioz dhe të papjekur, duke i kushtuar qytetarit dhe shtetit një kosto të lartë në jetën e përditshme, në kohë krizash globale, si dhe me mosshfrytëzimin e fondeve evropiane në momentet më të nevojshme, veçanërisht në krizat rajonale dhe ato në Lindjen e Mesme.
Gjykata Kushtetuese e vitit 2014 ia ka dhënë ekskluzivisht të drejtën partisë së parë që të propozojë kandidatin për Kryetar/e Kuvendi. Kjo parti e ka dhënë propozimin, por kjo nuk është pranuar nga opozita. Problemi i vërtetë nuk është Albulena Haxhiu, por Kurti. Kjo do të thotë se VV-ja e ka përmbushur obligimin e saj dhe tani partitë opozitare duhet të votojnë për të përfunduar “sagën e Parlamentit”.
Pra, duke e parë nga ky këndvështrim, përveç nënkryetarëve, do të duhej të përfundohej konstituimi i Parlamentit dhe të hapej rruga për formimin e qeverisë, duke i dhënë mundësinë partisë së parë sipas afateve. Nëse kjo dështonte, atëherë t’i jepej rasti partisë së dytë dhe kështu me radhë.
Partitë opozitare, duke pasur parasysh të kaluarën e tyre 20-vjeçare në pushtet, me vendime të gabuara dhe të rrezikshme për të ardhmen e shtetit në aspektin politik, diplomatik, ekonomik e shtetëror, veçanërisht në raport me Serbinë, kanë bashkëpunuar ngushtë përmes bizneseve të përbashkëta e tenderëve me përfitime marramendëse, duke u pasuruar jashtëligjshëm dhe keqpërdorur pozitat shtetërore. Kështu, u vendosën në pozitën e të shantazhuarve, duke ia bllokuar vetes guximin për të mbrojtur interesat e shtetit.
Duke tentuar t’i shpëtojnë përgjegjësisë, mund të shpëtojnë vetëm duke e eliminuar Kurtin nga skena politike. Ata krijuan një ndërmarrje të përbashkët propagando-dezinformative, në bashkëpunim me media vizuele dhe të shkruara të financuara nga oligarkë vendorë, serbë dhe ndërkombëtarë (përfshirë edhe komunitetin shqiptar në SHBA), si dhe gazeta të njohura për lidhje me Serbinë.
Përveç nepotizmit dhe keqpërdorimeve për përfitime personale, ata kanë kryer vepra kriminale gjatë mandateve të tyre. Sot, ata apriori refuzojnë koalicionin me partinë fituese, duke u arsyetuar se janë ofenduar nga ish-Kryeministri. Në një mënyrë, kjo tregon se ndoshta ofendimet e tij paskan qenë të vërteta.
Unë, që jetoj në SHBA për mbi 35 vjet, kam ndjekur debatet presidenciale ku janë përdorur fjalë ofenduese si “qeni im është më inteligjent se ti”, por debatet gjithmonë kanë vazhduar në interes të shtetit dhe qytetarëve, pa krijuar kriza tragjikomike si në rastin e Dardanisë.
Problemi i opozitës është tjetërkund. Shumica e tyre nuk kanë probleme ekonomike si qytetarët e zakonshëm, sepse përmes hajnive brutale nuk e kanë turpin të dalin publikisht si mbrojtës të standardit të qytetarëve. Elektorati është i lodhur dhe i zhgënjyer. Përndryshe, opozita nuk e meriton pushtetin, sepse gjithmonë problemet ua ka zgjidhur Amerika. Ata, në shenjë “mirënjohjeje”, nuk kanë reaguar kurrë guximshëm për të mbrojtur sovranitetin, integritetin dhe tërësinë territoriale. Për të mbetur në pushtet dhe për të vazhduar hajnitë, ata kanë nënshkruar marrëveshje për falje territoresh dhe ndarje të veriut, të cilin nuk kanë qenë kurrë në gjendje ta çlirojnë dhe ta vendosin nën kontroll, duke i larguar grupet kriminale dhe Serbinë nga ai territor.
Deklaratat tronditëse të nënkryetarit të LDK-së pas sulmit në Banjskë, dhe kjo e fundit, pas zbulimit të armatimit që supozohet të jetë montim apo bashkëpunim, tregojnë nivelin ku kemi rënë.
Mund të keqkuptohem, por sipas sjelljeve të opozitës që ndodhet në panik – disa për humbje të pushtetit, disa për shkak të pragut zgjedhor – nëse duam që Republika e Dardanisë të realizojë ëndrrën e shtetformimit dhe funksionimit, populli duhet të gjykojë situatën me maturi. Kjo udhëheqje duhet të marrë edhe një mandat, veçanërisht në këtë kohë të ndryshimeve globale dhe suprizave gjeostrategjike që mund të ndikojnë edhe tek ne.
Presidentja ka fituar simpati nga shumë shtete, posaçërisht nga SHBA-të. Po ashtu edhe Kryeministri në detyrë, veçanërisht për veprimet në veri. Kjo është një shenjë shumë domethënëse për ne.
Sipas gazetës prestigjioze New York Times, në një artikull të sotëm me titull “Ndërprerja e luhatshme e konfliktit për 12 ditë”, thuhet se ndërprerja po mbahet nën presionin e Presidentit Trump, i cili kritikoi të dyja palët për shkeljen e marrëveshjes. Kritikat ishin më të ashpra ndaj Izraelit, ndërsa Irani deklaroi se nuk e kishte shkelur marrëveshjen. Edhe Izraeli pranoi se reagimi i tyre ishte i moderuar.
Të gjitha palët deklaruan fitore: Izraeli, Irani dhe Trumpi. Por qëllimi i Trumpit – përveç paqes – ka domethënie të madhe. Poenta kryesore është shmangia e krizës ekonomike përmes zhbllokimit të Ngushticës së Hormuzit, nëpër të cilën kalon 20% e konsumit global të naftës dhe gazit natyror. Kjo ngushticë ishte nën shantazh nga Irani për të krijuar kriza ekonomike globale.
Për Dardaninë, pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike me 16% këtë vit, çdo rritje tjetër do të ishte një tronditje për ekonominë. Ngushtica e Hormuzit trajton 85% të eksporteve irakiane dhe pjesën më të madhe të dërgesave iraniane në Kinë. Ende nuk dihet nëse Izraeli mban kontroll të ndonjë territori iranian, që ishte një ndër kërkesat e Iranit për marrëveshjen.
Pas këtij akti të përkohshëm paqeje 12-ditore, Trumpit i jepet mundësia të ndërmarrë hapa edhe në Gaza.
Tani, shtetet kryesore evropiane bëjnë thirrje për një marrëveshje të qëndrueshme, duke ftuar palët që t’u përmbahen detyrimeve.
Sipas disa mediave, Presidenti Trump ka vendosur ta mbajë në fuqi urdhrin ekzekutiv për Ballkanin Perëndimor – një sinjal që tregon vazhdimësinë e politikës amerikane në rajon. Në bazë të këtij urdhri, SHBA do të zbatojë sanksione ndaj individëve të përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë dhe në akte të dhunshme që destabilizojnë rajonin.
Lidhur me këtë, udhëheqja shtetërore duhet të reagojë dhe ta shfrytëzojë këtë moment për të kontribuar në krijimin e paqes dhe sigurisë në rajonin fragjil të Ballkanit.