Zbulime me rëndësi historike në Istog, Instituti Arkeologjik dhe Universiteti i Miçiganit ndriçojnë historinë e hershme të Kosovës
Në fshatin Vrellë të Komunës së Istogut po zhvillohen gërmime arkeologjike në një prej lokaliteteve më të rëndësishme parahistorike të Kosovës – vendbanimin neolitik të Llugës.
Gërmimet po realizohen nga Instituti Arkeologjik i Kosovës në bashkëpunim me Universitetin e Miçiganit nga SHBA-ja, dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ky bashkëpunim ndërkombëtar po sjell në dritë dëshmi të jetës së organizuar që zhvillohej në këtë zonë rreth 7 mijë vjet më parë.
Sipas ministrit në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku, Lluga përfaqëson një nga vendbanimet më të hershme në territorin e Kosovës, me shtëpi të ndërtuara nga balta dhe druri, që tregojnë për një komunitet të zhvilluar në epokën neolitike.
Veçori e veçantë e këtij lokaliteti është zbulimi i punishtes për vegla prej stralli, si dhe figurinave të hyjneshave, artefakte të njohura që dëshmojnë zhvillimin shpirtëror, artistik dhe shoqëror të asaj kohe.
Ministri Çeku theksoi se ky projekt gërmimi është më shumë sesa një ekspeditë shkencore – është një përpjekje për të ndriçuar rrënjët e qytetërimit në Kosovë dhe për të forcuar lidhjen e brezave të sotëm me trashëgiminë mijëvjeçare.