OPINIONTË FUNDIT

Shuhet ëndrra e Vuçiqit për Kosovën, profesori: Thaçistët ose separatristët e Kosovës kanë marrë fund, Trump përcaktoi qartë se..

Tashmë është mbushur një javë nga dita kur Izraeli nisi një valë sulmesh ndaj Iranit duke synuar shkatërrimin dhe rrënimin e infrastrukturës bërthamore të këtij shteti.

Ndërsa lufta në Lindjen e Mesme sa vjen e ashpërsohet, në Ballkanin e Evropës janë aktivizuar “apetitet” e Serbisë ndaj Kosovës, raporton “Bota sot”.

Së fundi, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka kërcënuar hapur Kosovën, duke deklaruar se shteti të cilin ai e udhëheq do të jetë gjithmonë me serbët nga Kosova, ndërsa ka thënë se Serbia do të fitojë edhe në çështjen e Kosovës, pasi sipas tij gjërat janë duke ndryshuar në botë.

“Nuk do t’ju them se çfarë do të thotë kjo, në fund Serbia do të fitojë. Dhe jam absolutisht i sigurt për këtë. Ndërsa gjërat po ndryshojnë ngadalë por me siguri në botë, jam i bindur se Serbia do të fitojë”, theksoi presidenti serb.

Këtë deklaratë e ka komentuar për gazetën “Bota sot” Dr. Enver Bytyçi, profesor i marrëdhënieve ndërkmbëtare.

ImageDr. Enver BytyçiFoto galeri

Ai konsideron se Vuçiqi me këtë deklaratë ushqen ende idenë e shkëmbimit të territoreve, duke potencuar se nuk është e rastësishme që deklarata e tij erdhi vetëm dy ditë pas asaj të Trump-për për Kosovës dhe Serbinë.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është deklaruar sërishmi me një lloj optimizmi për “fitoren e tij në Kosovë”! Se çfarë ai ka në mendje, askush nuk e di. Por ne mund të hamendësojmë se çfarë e nxit kreun e shtetit serb të jetë optimist sa i përket “rikthimit të Serbisë në Kosovë”! Fillimisht duhet ditur se çfarë quan fitore Aleksandër Vuçiq? Për mua ai konsideron se fitore për Serbinë do të ishte më e shumta rikthimi i Kosovës nën sovranitetin shtetëror serb, siç edhe e parasheh kushtetuta e saj. Më e pakta ndarja e Kosovës.

Por duket se Vuçiq ushqen ende idenë e shkëmbimit të territoreve. Sipas tij, kjo nuk ndodhi në vitet 2017-2020, por mund të funksionojë sot, në këto kohë të turbullta të konflikteve dhe ndryshimeve të mëdha gjeopolitike. Me siguri që Vuçiq beson se një rend i ri botëror do të përfundojë edhe në një “fitore” të këtyre vendimeve për Serbinë. Por fakti se ai e bën këtë deklaratë vetëm dy ditë pas asaj që deklaroi presidenti amerikan sa i përket zgjidhjeve për konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë, do të thotë se kreu i shtetit serb po bën thjesht një lloj propagande për të forcuar pozitën e tij në Serbi”, thekson profesori.

Sipas tij, Aleksandër Vuçiq ka nevojë më shumë se kurrë për ta përmirësuar imazhin e tij në opinionin e brendshëm serb.

“I goditur nga protestat e studentëve dhe të qytetarëve serbë, i injoruar nga SHBA-të, pasi e përzunë si të ishte refugjat meksikan nga Amerika, i kritikuar rreptë nga shumë vende të Bashkimit Europian dhe i dyshuar si “tradhtar” nga Rusia dhe presidenti i saj, Vuçiq, ka nevojë të dalë nga ky izolim total. Prandaj dhe sërishmi përdor Kosovën”, nënvizon ai.

Praktikisht, sipas dr. Bytyçit është e pamundur që Serbia ta rifitojë Kosovën si në formën e rikthimit të sovranitetit të saj, ashtu dhe në formën e shkëmbimit të territoreve.

“Madje shoh që edhe asociacionit dhe krijimit të tij i ka ikur koha, i ka ikur treni. Kjo do të thotë se pozitat e Kosovës në situatën e sotme ndërkombëtare janë forcuar shumë. Sa kohë që nuk kishte ardhur Trump në pushtet, administrata Biden punoi shumë që veriu i Kosovës të mbetej de facto nën sovranitetin serb. Po ashtu, makronistët e Europës, së bashku me thaçistët dhe ramistët shqiptarë. Aq u shqetësuan për shtirjen e sovranitetin të shtetit të Kosovës në veri, sa vendosën sanksione, të cilat sërishmi i mbajnë në fuqi makronistët e Europës”, shton ai.

Kështu, sipas profesorit, me ardhjen e Trump ka ndryshuar gjithçka dhe në fakt presidenti amerikan e tha me gojën e tij në letrën e urimit për presidenten Osmani, se qëndron në krah të Kosovës.

“Në këtë letër urimi me rastin e 17 vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe më pak se një muaj pasi hyri në Shtëpinë e Bardhë, Trump përcaktoi qartë të ardhmen e marrëdhënieve midis Kosovës dhe SHBA-ve, kur kërkoi që të vendosen marrëdhënie biznesi midis dy vendeve. Sot marrim vesh se disa kompani amerikane do të vijnë në Kosovë për investime miliarda dollarësh në fushën e energjitikës. E për këtë atyre u duhet që liqeni i Ujmanit të jetë pasuri e Kosovës, sepse pa ujin e Ujmanit nuk ka e nuk mund të ketë investime në energjitikën e Kosovës.

Nga ana tjetër, investimet amerikane në Kosovë kanë si parakusht sigurinë në këtë vend. Dhe në këtë drejtim kanë menduar amerikanët. Mysafirët më të shpeshtë në Departamentin e Mbrojtjes amerikane janë ministri i Mbrojtjes dhe komandanti i FSK-së së Kosovës. Një bazë amerikane, përveç asaj të Bonstillit po ndërtohet në Kosovë. Një fabrikë armësh dhe municionesh po ndërtohet gjithashtu në Pejë nga një kompani amerikane. Që do të thotë se Kosova është prioritet i SHBA-ve dhe administratës Trump. Që do të thotë se presidenti amerikan ka marrë garanci nga partnerët e tij të fuqishëm në botë për këto investime. Që do të thotë se Serbia nuk ka shans të garantojë “fitore” në Kosovë”, potencon ai.

Se Vuçiq bën propagandë, Dr. Bytyçi thotë se, kjo duket qartësisht edhe në faktin se ai dhe politika serbe është e pabesueshme në formulën që kjo politikë dhe ky vend mund t’i bashkohet Perëndimit.

“Kur bëhesh i pabesueshëm, atëherë është e kotë të presësh mbështetje për “fitores” imagjinare, të cilat i pretendon Vuçiq. Ndoshta presidenti i Serbisë beson se mund të vijë momenti i përshtatshëm për ta ripushtuar Kosovën. Kurrë nuk do të ndodhë kjo. Që Serbia të sulmojë Kosovën, kur aty ka një bazë të NATO-s dhe po ndërtohet një tjetër bazë amerikane, kjo nuk mund të ndodhë”, nënvizon profesori.

Në fund Bytyçi thekson se nuk do të nododhë kurr që në pushtetin e Kosovës të kthehen ata që e projektonin ndarjen e saj.

Ai potencon faktin se pa votën e Kosovës ose përfaqësuesve të saj, nuk mund të merret asnjë vendim për të.

“Ndoshta, Aleksandër Vuçiq beson se në politikën e Kosovës e atë shqiptare mund të ringjallen dhe fitojnë përkrahësit e tij për ndarjen e vendit. Kurrë nuk do të ndodhë kjo, edhe pse ka nga ata që predikojnë Thaçin si politikanin, me të cilin mund të bisedojë Perëndimi. Thaçistët ose separatristët e Kosovës kanë marrë fund. Nuk rikthehen më ata në skenën e politikës kosovare, edhe nëse në pushtet vjen PDK. Vjosa Osmani dhe fituesi i zgjedhjeve, Albin Kurti nuk firmosin kurrë ndarjen e Kosovës. Pa votën e Kosovës ose përfaqësuesve të saj, nuk mund të merret asnjë vendim për të. Thjesht ka nevojë që zonja Osmani dhe zoti Kurti të bëhen bashkë. Të mbajnë të njëjtin qëndrim. Në fund të fundit, kur qytetarët e Kosovës nuk i dhanë Kurtit fitore absolute në zgjedhjet e kaluara, kjo do të thotë se ata duan që ai të bashkëpunojë ngushtë me presidenten e Republikës”, përfundoi Prof. Dr. Enver Bytyçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *