Analistët: Këshillëdhënësit ta orientojnë Trump që SHBA të involvohet në Kosovë
Analistët politikë vlerësojnë se përmendja e Kosovës nga presidenti amerikan Donald Trump, ndonëse e bërë në kuadër të një krahasimi me konflikte të tjera ndërkombëtare, përbën një sinjal domethënës për rolin amerikan në rajon.
Sipas tyre, kjo deklaratë është sinjal pozitiv, sidomos në një kohë kur Bashkimi Evropian po vlerësohet si pasiv dhe i pafuqishëm në raport me dialogun Kosovë–Serbi.
Përmendja e Kosovës nga një figurë politike me stil të drejtpërdrejtë dhe të paparashikueshëm si Trump, nga analistët politikë po shihet si një mundësi për rikthimin e vëmendjes amerikane ndaj zhvillimeve në Ballkan, raporton KosovaPress.
closevolume_off
Analistët theksojnë se Kosova duhet të jetë e përgatitur për çdo angazhim të mundshëm diplomatik nga ana amerikane.
Politologu Albinot Maloku thotë për KosovaPress se rikujtimi i një ngjarje nga ana e presidentit Trump pati rëndësinë që u përmend emri Kosovë, ndonëse siç tha ai në një kontekst tjetër krahasues.
Maloku: Kosova është përmendur në kontekst të një shpjegimi të një situate tjetër
“Çështja e parë që duhet sqaruar në këtë situatë është që Kosova është përmendur nga presidenti amerikan në një kontekst të një shpjegimi të një situate tjetër. Gjithsesi, për paralele dhe të interesit të këtij presidenti atipik që kanë SHBA-të që kërkon njohjen e kontributit në angazhime të veta të vatrave të konfliktit ose të mosmarrëveshjeve që kanë qenë në periudha të caktuara historike. Sidomos prej angazhimit të parë të tij si president që ndërlidhet me një mosmarrëveshje politike, kryesisht mes Kosovës dhe Serbisë që ai provon ta nxjerrë se paskan qenë në luftë…Dhe të një konflikt tjetër të armatosur që ishte mes Pakistanit dhe Indisë”, tha Maloku.
Sipas analistit politik Albinot Malokut, përfitimi më i madh i Kosovës në këtë rast është fakti që është përmendur nga një figurë me ndikim si Trump, duke shtuar se Kosova ka për detyrë të jetë e përgatitur për çdo zhvillim të mundshëm në të ardhmen në lidhje me dialogun me Serbinë dhe ndërmjetësimin amerikan.
Maloku: Kosova duhet jetë e përgatitur për çdo situatë
“Interesi i Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe rajonin ka një raport historik. Dhe me gjithë këtë pauzë të krijuar sidomos kohëve të fundit e posaçërisht nën qeverisjen e Kurtit, SHBA nuk është se patën ndonjë interes dhe neve na erdhi si befasi edhe përdorimi i emrit Kosovë në kontekstin e raporteve të cilat shpjegoheshin në postimin e presidentit Trump…Rikujtimi i një ngjarje nga ana e presidentit Trump për neve e pati rëndësinë që u përmend emri Kosovë. Se kur do të vijë ai moment që do të ketë një riaktivizim të konkretizuar të Administratës Trump në raport me Ballkanin e posaçërisht raportet Kosovë-Serbi e dialogun, unë prapë po them Republika e Kosovës e ka për obligim vetëm të jetë e përgatitur për çdo situatë dhe të ketë institucionet. E vetmja gjë që është pozitive është që ka një rikujtim për neve nga ana e presidentit Trump duke përmendur Kosovën qoftë edhe për shpjegimin e një konteksti tjetër të një situate të asaj që megjithatë SHBA-të edhe në mandatin e dytë të presidenti Trump e kanë Kosovën parasysh”, potencoi Maloku.
Ndërkaq, profesori universitar Mazllum Baraliu, duke komentuar përmendjen e Kosovës nga presidenti amerikan Donald Trump, e ka cilësuar këtë si një sinjal pozitiv dhe të domosdoshëm për rajonin, sidomos në kontekstin e ndikimit rus dhe dobësisë së Bashkimit Evropian në raport me dialogun Kosovë–Serbi.
Baraliu: Përmendja e Kosovës nga Trump, pozitive
“Pozitive dhe imperative në të njëjtën kohë për arsye se Ballkani përgjithësisht dhe Kosova veçanërisht në relacion edhe me dialogun edhe me marrëdhëniet, të cilat duhet përfundimisht të stabilizohen dhe të rregullohen me Serbinë është çështje e rëndësishme, sepse nuk ka të bëjë vetëm me rajonin e Ballkanit dhe marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë, çështja e Kosovës. Por, gjithsesi me interesimin e madh dhe metodat të speciale dhe hibride të cilat federata ruse përmes eksponentëve të saj, veçanërisht Putin dhe qeverisë së tij përpiqet në forma të ndryshme, herë direkte, herë indirekte dhe me metoda specifike e speciale të ndikojë në destabilizmin e Ballkanit me përqendrim të veçantë edhe në Kosovë dhe ndikimin të Serbia që thjesht të destabilizohet, Kosova dhe Ballkani përgjithësisht. Është një sinjal i mirë nëse qëndron dhe qëndrueshmëria e deklarimeve të presidentit Trump i cili është jo konvencional, është jo tipik si lider dhe politikan i cili edhe është i paparashikueshëm do të ishte shenjë e mirë dhe është sinjal pozitiv”, tha Baraliu.