Lajçak: Nëse i kthehemi përplasjeve, i harrojmë afatet për marrëveshje
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se beson se problemi me barrikadat është zgjidhur, por sipas tij, tensionet mbeten të larta.
Sipas tij, niveli i mosbesimit është më i lartë se kurrë më parë, teksa shtoi se tani është e rëndësishme që të mos lejohet që situata të kthehet në një krizë tjetër.
“Ajo që është me të vërtetë e rëndësishme tani është që të mos lejohet që situata të kthehet në një krizë tjetër dhe është e rëndësishme që liderët e Kosovës dhe Serbisë të fillojnë të krijojnë një atmosferë të favorshme për diskutime produktive për normalizimin e marrëdhënieve”, është shprehur Lajçak për Politico, transmeton Klankosova.tv.
Lajçak tha se afati i marsit ka për qëllim të përcjellë seriozitetin e arritjes së një marrëveshjeje, dhe se sipas tij, komuniteti ndërkombëtar po ndjen një urgjencë të shtuar për ta zgjidhur çështjen mes Kosovës e Serbisë.
Më tej, ai tha se edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, edhe presidenti i Serbisë, Miroslav Lajçak, janë të gatshëm të takohen por, problem është rezultati.
“Dy takimet e fundit ishin në rregull për sa i përket atmosferës, por vizionet e dy liderëve nuk u përputhën. Ka gjithmonë pritshmëri të mëdha nga këto takime”, është shprehur Lajçak, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se cikli i përsëritur i tensioneve të ndjekura nga zgjidhje të përkohshme po i detyron negociatorët të angazhohen që “ta shuajnë zjarrin, pasi nuk mund të përqendrohemi te normalizimi kur ka krizë”.
“Kështu që ndërsa kriza e fundit ka përfunduar tani ndërsa ne flasim, unë shpresoj që brenda një jave nga tani ne nuk do të përballemi me një krizë tjetër – ose mund të harrojmë normalizimin”.
“Tani për tani, ne kemi një strukturë shumë të favorshme: ne kemi vëmendjen e lidershipit të lartë në ShBA-së dhe BE-së, dhe kemi bashkëpunim shembullor BE-ShBA, kështu që kjo është dritarja e vërtetë e mundësive, diku deri në dhjetor 2023 ose në fillim të 2024″, tha ai.
Lajçak përmendi edhe zgjedhjet e Parlamentit Evropian dhe zgjedhjet presidenciale në ShBA që do të mbahen në vitin 2024, ku tha se afatet për marrëveshje do të harrohen nëse zgjidhja nuk arrihet deri atëherë.
“Nëse gjërat nuk janë bërë deri atëherë, ne do të duhet të fillojmë përsëri nga e para. Nëse i kthehemi krizës dhe përplasjeve, atëherë mund të harrojmë afatet”.