Kurti viziton komandën amerikane në kuadër të Defender Europe 25: Ushtria jonë po dëshmon aftësi të larta ndërveprimi me NATO-n
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka vizituar komandën e divizionit të 28-të të këmbësorisë së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila po drejton brigadat shumëkombëshe në kuadër të ushtrimit të përbashkët ushtarak Defender Europe 25 që po mbahet në Kosovë.
Në këtë vizitë, Kurtit i shoqëroheshin ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Gjatë vizitës, Kurti theksoi se ky ushtrim është duke u zhvilluar me sukses të plotë, ndërsa vlerësoi lart bashkëpunimin ndërkombëtar ushtarak.
“Ushtria jonë çdo ditë po dëshmon aftësitë ndërvepruese me ushtritë e vendeve të NATO-së”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.