POLITIKATË FUNDIT

Në ballë të bllokadave kundër liberalizimit të tregut të energjisë vendosen kamionët e “Devolli Coorporation”

Qindra kamionë të bizneseve të mëdha kanë bllokuar sot hyrjet kryesore të Prishtinës, në një aksion protestues kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për kalimin në tregun e hapur të energjisë.

Në qendër të vëmendjes së kësaj proteste qëndron “Devolli Corporation”, një nga kompanitë më të mëdha në vend, në pronësi të oligarkëve Blerim dhe Shkëlqim Devolli. Kamionët e kësaj korporate janë vendosur në ballë të protestës, duke dominuar pamjet nga vendi i ngjarjes, shkruan KosovaNews.

Bizneset e mëdha po shprehin pakënaqësinë ndaj vendimit të ZRRE-së, që sipas tyre do të rrisë ndjeshëm kostot e operimit të tyre për shkak të çmimeve të larta në tregun e hapur të energjisë.

Vendimi i ZRRE-së bazohet në projektligjin e hartuar nga qeveria Mustafa dhe të miratuar në Kuvendin e Kosovës më 16 dhjetor 2015.

Ligji më pas ishte publikuar në Gazetën Zyrtare më 1 korrik 2016, pas nënshkrimit nga ish-presidenti Hashim Thaçi. Në atë kohë, vendimi ishte përshëndetur nga koalicioni qeverisës i përbërë nga PDK, LDK dhe Lista Serbe.

Asokohe, asnjë përfaqësues i komunitetit të biznesit dhe as Oda Ekonomike e Kosovës nuk kishin shprehur kundërshtime ndaj këtij projektligji.

Megjithatë, sot – kur zbatimi i tij po bëhet realitet – pikërisht “Devolli Corporation”, e cila më herët ka përfituar nga marrëdhënie të ngushta me qeveritë e kaluara, është ndër zërat kryesorë kundërshtues të reformës në sektorin e energjisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *