OPINIONTË FUNDIT

A është kjo arsyeja pse Kurti po refuzon koalicionin me Nismën? Analisti jep paralajmërimin: Kjo është zgjidhja e vetme

Gjatë ditës së sotme, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të premten ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Kosova vazhdon të mbetet pa Kuvend të ri edhe pas tre muajsh që nga përfundimi i zgjedhjeve, të cilat prodhuan një rezultat ku asnjëra nga partitë politike nuk ka shumicën, duke bërë që tashmë 20 herë të dështojë zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës.

Një ditë më parë, kryetari i Nismës Socialdemokrate paralajmëroi se shumë shpejt do të krijohet shumica parlamentare — deklaratë që erdhi vetëm pak pasi lideri i VV-së, Albin Kurti, konfirmoi se Nisma i ka kërkuar postin e kryetarit të Kuvendit për të hyrë në koalicion.

Por pavarësisht paralajmërimeve të Limajt, analisti Nexhat Haziri shprehet skeptik për tejkalimin e ngërçit politik në të cilin është futur Kosova.

“Nuk shihet një kalim i shpejtë i këtij ngërçi politik e institucional, përkundër deklaratës së z. Limaj, i cili sigurisht llogarit që ta marrë drejtimin e Kuvendit të Kosovës në bazë të një marrëveshjeje me LVV, për çka nuk shihet një disponim i brendshëm i partisë së z. Kurti”, shprehet Haziri.

ImageNexhat HaziriFoto galeri
Ai thotë se Kurti kërkon një qeveri stabile, gjë të cilën mund ta ketë vetëm me LDK-në ose PDK-në.

“Vetë z. Kurti nuk është që e dëshiron një qeveri me parti të vogla, e cila mezi do të kishte një shumicë të thjeshtë, që do të ishte një qeveri e brishtë pa një stabilitet afatgjatë, për të cilin është i interesuar z. Kurti”, deklaron Haziri.

“Kështu që saga e vazhdimit të seancave çdo 48 orë do të vazhdojë tutje, deri në një marrëveshje mes LVV dhe PDK-së, që këto dy subjekte politike ta bëjnë koalicionin qeveritar, e që do të prodhonte një qeveri stabile”, shton Haziri.

Në fund, Haziri thotë se zgjidhje tjetër nuk ka, përveç nëse vendi shkon në zgjedhje të reja.

“Nuk ka tjetër zgjidhje në çfarëdo kombinimesh të tjera pas refuzimit të LDK-së për të bërë koalicion me VV”, përfundon për “Bota sot” analisti Nexhat Haziri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *