POLITIKATË FUNDIT

Jakupi rrëfen prapaskenat: A po shndërrohet Guxo në “makthin” e PDK-së dhe LDK-së?

Analisti politik Zejnullah Jakup, ka komentuar zhvillimet e fundit në skenën politike, duke u ndalur veçanërisht te aderimi i avokatit Gazmend Halilaj në partinë Guxo.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot” Jakupi tha se Halilaj përbën një forcim të qartë të profilit të Lisës GUXO.

Sipas Jakupit, Halilaj sjell me vete një përvojë të vyer si avokat dhe ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe prania e tij në politikë është një hap pozitiv në drejtim të konsolidimit të vizionit për një shtet të së drejtës dhe sovranitet të plotë.

ImageZejnullah JakupFoto galeri
“Gazmend Halilaj, një avokat me përvojë dhe ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i është bashkuar së fundmi partisë Guxo. Anëtarësimi i tij është mirëpritur nga udhëheqësit e partisë, të cilët e kanë cilësuar si një forcim të mëtejshëm të vizionit për një Kosovë të drejtë dhe sovrane.

Megjithatë, ky zhvillim ka ngjallur polemika për shkak të së kaluarës së z. Halilaj. Janë bërë përpjekje për ta diskredituar, duke u thirrur në faktin se ai ka qenë i dënuar me dy vjet burg për një proces që ai vetë e ka quajtur të montuar. Më vonë, Gjykata e Apelit e shpalli të pafajshëm. Ndaj z. Halilaj është kryer një atentat nga persona të panjohur, të cilët nuk janë zbuluar asnjëherë,” tha Jakupi.

Ai theksoi se polemikat që e shoqërojnë Halilajn janë të orkestruara dhe kanë për qëllim diskreditimin e tij politik.

“Z. Halilaj ka qenë kritik ndaj ish-presidentit Thaçi dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), dhe vazhdimisht ka kërkuar që prijësit e UÇK-së të përgjigjen për akuzat që u bëhen. Kjo e ka kthyer atë në një figurë të padëshiruar për kundërshtarët e tij politikë.

Ai ka pasur paraqitje të shumta në media si një avokat profesionist, pa kontestime në opinionin publik. Megjithatë, aderimi i tij në partinë Guxo ka shkaktuar reagime të ndryshme, duke nxitur frikë te kundërshtarët politikë për ndikimin e tij në skenën politike.

Anëtarësimi i Gazmend Halilajt në Guxo mund të sjellë përfitime të rëndësishme në aspektin e përvojës dhe njohurive në fushën e drejtësisë dhe sigurisë. Polemikat që shoqërojnë këtë aderim janë bërë të zakonshme, për shkak të mediave që ndjekin agjenda të caktuara të grupeve të interesit. Shpesh, kritikat apo shpifjet ndaj figurave publike kanë për qëllim diskreditimin e tyre, nëse nuk përputhen me pozicionimet politike të këtyre grupeve. Megjithatë, është e vështirë të besohet se këto shpifje do të kenë ndikim real në imazhin publik të partisë apo të shkaktojnë ndarje të mëdha brenda elektoratit. Për të ruajtur besueshmërinë dhe integritetin, partia duhet t’i adresojë këto çështje në mënyrë transparente dhe të qartësojë qëndrimin e saj për të kaluarën e anëtarëve të saj,” deklaroi analisti.

Jakupi shtoi se Halilaj ka qenë një nga figurat publike më të qëndrueshme në diskursin medial si avokat dhe nuk ka pasur asnjëherë kontestime në opinionin publik deri në momentin e hyrjes në politikë.

Sa i përket partisë Guxo, Jakupi vlerësoi se ajo po kthehet në një alternativë serioze për elektoratin e qendrës së djathtë, veçanërisht pas aderimeve të tjera të rëndësishme si ajo e profesorit Nezir Kraki.

“Pas aderimit të profesorit Nezir Kraki, Guxo po shihet si një alternativë e mundshme për të sfiduar LDK-në dhe për të tërhequr votat e elektoratit të Rrugës së Re. Një kthesë e madhe në këtë drejtim do të ishte edhe kalimi i familjes së madhe dhe patriotike Geci në Guxo, duke qenë se LDK-ja aktualisht është më e afërt me PDK-në sesa me politikën rugoviane që Guxo pretendon të përfaqësojë. Partia Guxo nuk ka kohë të merret me akuza dhe shpifje që përhapen në media dhe është e vendosur të mos i japë rëndësi çështjeve të inskenuara që lidhen me të kaluarën e anëtarëve të saj”, shtoi ai.

Jakupi gjithashtu hodhi poshtë spekulimet për një rikthim të mundshëm të presidentes Vjosa Osmani në LDK, duke i cilësuar ato si tentativa për të destabilizuar Guxo-n.

“Së fundmi janë përhapur spekulime rreth një rikthimi të mundshëm të presidentes Vjosa Osmani në LDK. Por zyrtarë të lartë të LDK-së i kanë mohuar këto zëra. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se kjo çështje është e përfunduar dhe se “ora politike e LDK-së nuk kthehet mbrapa.” Edhe nënkryetarja Hykmete Bajrami ka theksuar se Vjosa Osmani është presidente dhe nuk do të rikthehet në LDK. Këto zëra mund të jenë vetëm spekulime, të nxitura nga përpjekjet për të goditur partinë Guxo. Rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK do të ishte një thyerje e parimeve dhe idealeve që ajo ka mbrojtur me fanatizëm. Një rikthim i mundshëm do të ndodhte vetëm nëse i ofrohej posti i kryetares, por kjo nuk pritet të ndodhë”, u shpreh ai.

Në fund, Jakupi tha se nëse Albin Kurti formon qeverinë (Kurti III), Guxo pritet të forcohet edhe më shumë, dhe në një periudhë katërvjeçare mund të arrijë të marrë gjysmën e votave të LDK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *