Kurti fton sërish LDK-në për koalicion Pse Abdixhiku e sheh të pamundur bashkëpunimin me VV-në?
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se një koalicion i mundshëm qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Nismën Socialdemokrate dhe partitë e pakicave do të mund të siguronte deri në 80 vota në Kuvendin e Kosovës.
Sipas Kurtit, një bashkëpunim i tillë do të përbënte një shumicë të fuqishme parlamentare, e cila do të garantonte stabilitet institucional dhe do të hapte rrugën për reforma të thella në vend. Ai theksoi se një qeveri e tillë do të ishte më gjithëpërfshirëse dhe më përfaqësuese për qytetarët e Kosovës
“Vetëm me LDK-në, pakicat dhe Nismën, pa përfshirë ndonjë subjekt tjetër, mund të arrihen deri në 80 vota. Kjo do të siguronte një bazë të qëndrueshme për qeverisje dhe vendimmarrje strategjike,” është shprehur Kurti.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur skena politike në Kosovë po përgatitet për zgjedhje të reja, ndërsa partitë politike kanë nisur diskutimet për mundësitë e bashkëpunimit pas-zgjedhor.
Vlen të përmendet se ditë më parë vet kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku kishte hedhur poshtë ofertën e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për formimin e koalicionit qeverisës LVV-LDK, duke thënë se qëndrimet e partisë së tij nuk kanë ndryshuar.
“E kam vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me Kurtin”, tha ai.
Pantina: Kurti tregoi jo sinqeritet karshi subjekteve të tjera politike
Zyrtarja e LDK-së, Shqipe Pantina në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se Kurti mbetet i paqartë për krijimin e institucioneve të reja dhe vazhdon të tregojë mungesë sinqeriteti ndaj partive tjera.
Sipas saj, ai nuk ofron partneritet të vërtetë, por kërkon nënshtrim, siç ndodhi me Guxo dhe Alternativën që u shkrinë në VV.
ImageZyrtarja e LDK-së, Shqipe PantinaFoto galeri
“Kurti në qëndrimet e tij politike është shumë i paqartë në atë se çfarë po synon për krijimin e institucioneve të reja.
Në fakt, ai sërish tregoi jo sinqeritet karshi subjekteve të tjera politike dhe nuk është i gatshëm për partneritet, sepse ai partneritetin e kupton vetëm si nënshtrim ndaj tij, siç ka ndodhur me dy partitë tjera, Guxo dhe Alternativa, të cilat pothuajse janë shkrirë në VV”, thotë ajo.
Maloku: LDK po përpiqet të rikthejë një identitet të qartë
Edhe analisti Albinot Maloku, thotë se Albin Kurti nuk ka treguar kurrë vullnet të sinqertë për bashkëpunim me subjektet tjera, sidomos me LDK-në, të cilën e ka trajtuar me përçmim dhe sulme të vazhdueshme, sidomos gjatë fushatës.
“Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk ka bërë asnjëherë një ftesë të sinqertë për bashkëpunim me subjektet e tjera, sidomos me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Përkundrazi, ka ndjekur një linjë përçmuese që e mohon rolin shtetformues të kësaj partie, shpesh përmes kujtimeve selektive e ofenduese rreth historisë së saj politike të koalicioneve. Fushata parazgjedhore, për më tepër, ka qenë më shumë e fokusuar në sulme dhe denigrim ndaj LDK-së, sesa në ballafaqim programor”, thotë ai.
Tutje, Maloku potencon se LDK tani po synon të rikthejë qartësinë politike dhe besueshmërinë. Koalicioni me VV-në ka qenë më i dëmshmi në historinë e saj. Demokracia nuk është vetëm numra, por kërkon bashkëpunim – këtë mesazh qytetari e dha qartë më 9 shkurt, duke refuzuar modelin e sundimit një-partiak.
ImageAlbinot MalokuFoto galeri
“Sot, LDK po përpiqet të rikthejë një identitet të qartë – atë të një subjekti që i qëndron fjalës, qoftë ajo “po” apo “jo”. Nga të gjitha koalicionet që ka pasur kjo parti në historinë e saj, asnjë nuk ka rezultuar më i dëmshëm për të se ai me Lëvizjen Vetëvendosje.
LVV duhet ta kuptojë në një moment se demokracia nuk është fitore numerike, por art i bashkëpunimit politik. Qytetari i Kosovës ka dëshmuar një nivel të lartë pjekurie politike – më të madh se ai që po tregojnë disa liderë politikë. Mesazhi i qytetarit më 9 shkurt ishte i qartë: nuk duam sundim një-partiak e as gjithë-partiak, por qeverisje në bazë të bashkëpunimit. Ky ishte një refuzim i modelit, të ngjashme me përvojat në Shqipëri apo në Serbi”, përfundon Maloku.